Për çfarë do ta përdorë Serbia arrestimin e Mlladiçit?

May 28, 2011 | 11:23

DENIS MACSHANE

A mundet Ballkani më në fund ta kthejë faqen? Ratko Mlladiç, gjenerali serb, i cili ishte bartës i fushatës ushtarake të Millosheviçit në luftërat e gjata të asgjësimit antimysliman dhe të spastrimit etnik në Ballkanin Perëndimor në vitet 1990, është kapur më në fund. A mundet Beogradi të përdorë këtë arritje për të lënë pas të kaluarën e saj nacionaliste dhe përfundimisht të mbyllë çështjen e Kosovës, e cila e bllokon të ardhmen e Serbisë në BE?
Sikurse disa gjeneralë fatkeq të SS-ve, që fshiheshin pas 1945-s, edhe Mlladiç kishte një rrjet të mbështetësve dhe të admirueseve që e mbronte atë nga drejtësia. Ai vazhdonte të merrte pensionin e tij ushtarak – i cili i paguhej familjes së tij – deri pak vite më parë. Shumë serbë kanë refuzuar të pranojnë rolin e tij. Shumë, të gatshëm për ta falur atë, teksa ata u zgjuan dhjetë vjet më parë për të zbuluar se Millosheviçi, Mlladiçi dhe Karaxhiçi më në fund e kishin varrosur Shtetin e Madh Federal Europian, të krijuar nga Tito pas vitit 1945.
Presidenti modernizues proeuropian i serbëve, Boris Tadiç, një social-demokrat i përkushtuar, gjithmonë insistonte, edhe si ministër i Mbrojtjes, edhe si President më pas, se dëshironte ta sillte Mlladiçin në gjyq. Tani ai e ka bërë këtë. Si ministër për Ballkanin gjatë viteve 2001-2005, më pas delegat i Britanisë në Këshillin e Europës, unë kam insistuar se Serbia duhej ta dorëzonte – jo ta mbronte – Mlladiçin, nëse donte që t’i hapej krejtësisht dera drejt Europës. Tani Tadiç meriton falënderimet e Europës.
Por, a do të nxjerrë Tadiçi një humbje diplomatike nga fitorja e arrestimit të Mlladiçit? Nesër, në një prej këtyre rastësive të jashtëzakonshme që i adhuron historia e Ballkanit, Tadiç do të takohej me presidentin Obama në Varshavë. Por, në një gafë diplomatike, Tadiç deklaroi më parë këtë javë se do të shpërfillte presidentin Obama, duke refuzuar të shkonte në Poloni për të përshëndetur Presidentin amerikan.
Arsyeja ishte se Kosova ishte ftuar bashkë me shtetet e tjera ish-jugosllave për të marrë pjesë në takim. Tadiç ende mund të shkojë në Varshavë si hero i çastit i Europës, pas kapjes së kriminelit më të kërkuar të luftës nga bota perëndimore, për ta çuar atë në Hagë për gjykim më në fund.
Megjithatë, qëndrimi zyrtar serb – të paktën deri në lajmin e arrestimit të Mlladiçit – ishte se Beogradi, ishte aq i ofenduar nga prania e Presidentes së Kosovës në Varshavë, dhe Tadiç nuk do të fluturonte për në Varshavë për të shtrënguar duart me Obamën.
Uashingtoni është ende i angazhuar fort në mbështetjen e demokracive të reja postkomuniste të Europës Lindore dhe të Ballkanit. Përderisa Xhorxh W. Bush largoi sytë nga Ballkani për t’u përqendruar në Irak dhe Afganistan, Barak Obama nuk do të harrojë se ishin Shtetet e Bashkuara ato që ndihmuan në mposhtjen e makinës vrasëse të Millosheviçit, fillimisht në Bosnjë, e më pas edhe në Kosovë. Këshilltarët kryesorë për politikë të jashtme të Obamës, zv.presidenti amerikan, Xho Bajden dhe sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, janë fëmijë të 1990-s, të cilët shikuan të frustruar teksa as OKB, as BE nuk qenë të afta të ndalnin luftën gjenocide në Srebrenicë, e as vrasjet masive të myslimanëve të Kosovës nga paramilitarët serbë të udhëhequr nga “gjeneralët”, si Ratko Mlladiç.
Sjellja e Obamës në Varshavë është një arritje e rëndësishme për Radek Sikorskin, ministrin e Jashtëm të vendosur, të sinqertë dhe strategjik të Polonisë. Sikorski, i arsimuar në Oksford, ka avancuar nga neokonservatorizmi i viteve 1980, në pozitën e tij sot si ministri i Jashtëm më novator dhe më kreativ i Europës. Ai ka ndihmuar në reduktimin e armiqësive të moçme të Polonisë karshi dy fqinjëve të saj, Rusisë dhe Gjermanisë, në marrëdhënie të menaxhueshme, madje edhe miqësore.
Ai ka më shumë kontakte në Uashington sesa cilido politikan tjetër europian dhe i ka shfrytëzuar këto për vizitën e madhe të Obamës. Për ta bërë Poloninë bosht të politikave euroatlantike në Europën e Re, Sikorski i ka ftuar të gjitha vendet europiane të vijnë dhe të bisedojnë me Obamën.
Këto vende tani përfshijnë komb-shtetin e ri të Kosovës, i cili njihet nga 75 vende, është pranuar si partner nga institucionet financiare ndërkombëtare. Por, Kosova përballet me një fushatë të vendosur nga Serbia për të mohuar identitetin e kombit të ri. Rusia, e cila kurrë nuk e humbet një mundësi për t’u përzier, mbështet qëndrimin anti-Kosovë të Beogradit. Diplomacia antikosovare serbe është vazhdim i luftës së Millosheviçit me masa të tjera.
Serbia ka aleatë në pak shtete anëtare të BE-së, kryesisht dy vendet ortodokse, Greqinë dhe Qipron. Spanja gjithashtu ka dalë nga rreshti i BE-së me arsyetimin jobindës se njohja e Kosovës do të nxiste separatizmin katalan dhe bask – sikur njohja e entiteteve të tjera ish-jugosllave, s’do ta nxiste. Sllovakia dhe Rumania janë me të drejtë të zemëruara me populizmin nacionalist të qeverisë së re konservatore të Hungarisë, e cila lëshon pasaporta për minoritetet hungareze në dy fqinjët e saj me nënkuptimin e qartë se shtetësia e parë e qytetarëve me origjinë hungareze të Sllovakisë dhe të Rumanisë duhet të jetë hungareze.
Vetëm Rumania ka vendosur ta bëjë mosnjohjen e Kosovës, arsye për refuzim të ftesës së Sikorskit për të darkuar me presidentin Obama në Varshavë. Edhe SHBA-të, edhe Sikorski, janë të vendosur se Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, do të marrë pjesë në Samitin e Varshavës.
Sikorski ishte shumë i qartë. “Kosova njihet nga 75 vende, përfshirë shumicën e Bashkimit Europian. Polonia e njeh Kosovën, kështu që nuk kishte arsye të mos e ftonim përfaqësuesen e Kosovës”, ka thënë Sikorski për “Financial Times”. Ai kishte një porosi të hapur për Presidentin e Serbisë, Boris Tadiç. “Serbia duhet të tregojë se i ka mundur ‘djajtë’ nga e kaluara, nëse dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian”.
Në fakt, shefja e BE-së për punë të Jashtme, Katerin Ashton, ka qenë heshtazi e efektshme në përpjekjet e saj për të bërë bashkë Beogradin dhe Prishtinën. Ndihmësi i saj kryesor, diplomati i aftë britanik, Robert Kuper, është përfshirë në diplomaci shëtitëse ndërmjet Brukselit, Beogradit dhe Prishtinës.
Serbët e zgjuar e dinë se pretendimi se Kosova është vetëm një provincë separatiste që do të pranojë urdhrat e Beogradit, është vetëm një fantazi. Fatkeqësisht, disa shtete anëtare të BE-së si Spanja, Greqia, Sllovakia dhe Rumania, e ndihmojnë Beogradin – dhe pas Beogradit, Moskën – për të besuar në këtë fantazi.
Obama dhe Sikorski e kanë quajtur këtë blof duke insistuar se Kosova ka po aq të drejtë sa secili vend i BE-së për t’u ulur pranë shteteve të tjera të Ballkanit në konferenca ndërkombëtare. Serbia është e mbyllur në mospajtim rreth kësaj çështjeje.
Pyetja tani është se, a do ta shtyjë arrestimi i Mlladiçit, Tadiçin të shkojë triumfalisht në Varshavë, apo a do të insistojë nacionalizmi dhe irredentizmi serb që ai të qëndrojë në Beograd, e jo të ulet në të njëjtën tavolinë si homologia e tij nga Kosova? Sa më herët që e gjithë BE-ja, dhe e gjithë bota, ta lërë Kosovën të jetë Kosovë, aq më shpejt Serbia mund të fillojë përpjekjen e saj për anëtarësim në BE.
Arrestimi i Mlladiçit duhet të jetë momenti kur Serbia shkurton nyjën e saj gordiane me Kosovën dhe vazhdon përpara drejt Europës, në vend që të vazhdojë së kujtuari të kaluarën, kur gjakatarët si Mlladiç supozonin se mund të sundonin popujt dhe kombet e tjera që kërkonin liri.
* Autori është parlamentar britanik dhe ish-ministër britanik për Europën

© Panorama.al

Te lidhura