Pensionet dhe kontributet, aplikim e verifikim online

Jan 17, 2012 | 11:34

ISSH zbardh skemën: Kategoritë që do marrin informacionin në internet

Qytetarët gjejnë vetëm të dhënat dhe dokumentat për pension

Informatizimi i sistemit të Sigurimeve Shoqërore do t’i mundësojë çdo qytetari që të kontrollojë gjendjen e “llogarisë” së tij të kontributeve pranë ISSH-së apo të përllogarisë vetë masën e përfitimit. Sakaq online do të mund të kryhen, përveç kontrollit të parave të derdhura si kontribute apo verifikimeve të tjera, edhe marrja e vërtetimeve të veçanta. Ndonëse më herët Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka dhënë detaje lidhur me këtë projekt ambicioz, tashmë ka vendosur që të zbulojë në total cilat do të jenë avantazhet dhe facilitetet që do të krijojë projekti i informatizmit të sistemit. Deri më tani bëhet me dije se ka përfunduar hartimi i softit financiar që përfshin ky projekt, ndërsa stafi i ISSH-së ka kryer trajnimet e nevojshme. Një pikë tjetër e informatizimit është ajo e hedhjes së të dhënave që kanë të bëjnë me vjetërsinë në punë dhe krijimit të regjistrit kombëtar të pensioneve. “ISSH disponon 10 800 regjistra, nga të cilët deri tani janë hedhur në sistem 2920 prej tyre. Parashikohet që ky proces të mbyllet brenda 6-mujorit të parë të këtij viti. Pjesë e këtij procesi ka qenë edhe hartimi i regjistrit kombëtar të pensioneve, që nënkupton regjistrimin e të gjitha të dhënave që ndodhen në dosjen e pensionit në një sistem të centralizuar, duke bërë të mundur kontrollin e të dhënave lidhur me gjeneralitetet, vjetërsinë, datëlindjet e deklaruara nga vetë personat. Deri tani, nga 570 mijë dosje pensioni, janë hedhur në sistem 310 mijë dosje”, thuhet në një njoftim të ISSH-së. Pjesë e projektit është edhe krijimi i infrastrukturës së duhur, që do të përballojë sistemin e ri të informatizuar. Janë një sërë drejtorish rajonale të sigurimeve shoqërore, që po i nënshtrohen rehabilitimit dhe pritet që brenda këtij viti infrastruktura e sigurimeve shoqërore të pësojë përmirësim të ndjeshëm. Bashkëpunimi me institucionet e tjera është edhe pjesa e katërt e këtij projekti. Rakordimi i deklarimeve online të sigurimeve, që bëhet pranë Tatimeve, do të jetë pjesë e punës së ISSH-së. Kjo e fundit do të përpunojë të dhënat e saj në bazë të të dhënave të Tatimeve. Ndërsa pjesë e bashkëpunimit do të jetë edhe Posta Shqiptare apo bankat e nivelit të dytë dhe zyrat e gjendjes civile. “Është bërë e mundur që nëpërmjet bashkëpunimit me Gjendjen Civile, ISSH të ketë aksesin e konsultimit në kohë reale lidhur me gjeneralitetet e çdo kontribuesi apo përfituesi për të shmangur deklarimet e pavërteta. Për shembull: Nga hedhja e 310 mijë pensioneve në regjistrin kombëtar të pensioneve, janë konstatuar 463 raste me ndryshim të ditëlindjes, me një dëm të konstatuar prej 20 milionë lekësh, nga të cilat janë shlyer 3.1 milionë lekë, ndërkohë që vazhdon zhdëmtimi i dëmeve duke iu ndaluar 20 për qind e masës mujore të pensionit”, detajon ISSH. Projekti pritet të rrisë në mënyrë të ndjeshme transparencën për qytetarët, si dhe të krijojë lehtësi shërbimi për ta.

Avantazhet e informatizimit
.    Transparencë me kontribuesit dhe përfituesit e skemës

.    Informacion në kohë reale për sa i përket marrëdhënies së tyre me ISSH-në dhe pagimin e detyrimeve nga punëdhënësit

.    Shpejtësi në lidhjen e përfitimeve

.    Miradministrim i fondeve të Sigurimeve Shoqërore

.    Auditim i përfitimeve përpara kalimit të tyre tek qytetari

.    Rritja e besimit tek skema

.    Krijimi i infrastrukturës për realizimin e marrëveshjeve bilaterale dhe multilaterale në fushën e Sigurimeve Shoqërore

.    Lehtësim i procedurave të komunikimit me agjentët

© Panorama.al

Te lidhura