Pensionet, 3 variantet për rritjen e moshës

Sep 14, 2011 | 9:37
Nga konferenca e djeshme

Skema e pensioneve, investimet, korrupsioni, problemet me pronat kanë qenë disa nga pikat e nxehta të shënjestruara nga Banka Botërore si problematike për Shqipërinë.Drejtoresha për Vendin dhe Koordinatorja Rajonale për Europën Juglindore, Jane Armitage, gjatë një konference për shtyp ditën e djeshme dha edhe sugjerimet e Bankës Botërore për qeverinë.
Pensionet
Diskutimi i reformës në skemën e pensioneve nga Armitage dje vjen pas një debati, që ka më shumë se dy javë që gëlon pas deklaratës së kreut të qeverisë, Sali Berisha, për rritje të moshës së pensionit dhe pastaj, tërheqjes nga kjo e fundit. Banka Botërore ishte institucioni i parë, që i rekomandoi fort qeverisë të ndryshonte skemën e pensioneve, sepse ishte e falimentuar. Deklaratat e fundit në qeveri mbështesin alternativën se një reformë do të ndërmerret, por kjo e fundit është ende e paqartë.   Në deklaratën e drejtoreshës për Shqipërinë, Janë Armitage, ditën e djeshme, Banka Botërore parashtroi edhe tri variantet e sugjeruara për skemën e pensioneve. E para është ajo e rritjes së moshës së pensionit, por që duket edhe më e kundërshtuara. Alternativa e dytë është ajo e barazimit të moshës së daljes në pension për gratë dhe për burrat në të njëjtën kohë, duke qenë se diferenca mes të dyve është 5 vjet më herët në favor të grave. Varianti i tretë është ai i indeksimit me rritjen e jetëgjatësisë, pra një shtrirje e rritjes së moshës në një periudhë më afatgjatë. Gjithsesi, përkundër këtyre propozimeve, Banka Botërore, që do të asistojë Shqipërinë në reformën e skemës, vlerëson se për një reformë efikase duhet të disponohen të dhëna të sakta nga ISSH-ja.
Sugjerimet
Korrupsioni vlerësohet nga Banka Botërore si një ndër problemet që qeveria shqiptare duket të zgjidhë, edhe pse niveli nga viti në vit ka pësuar ulje. “Perceptimi i korrupsionit, në sensin e atyre që paguajnë ryshfet, ka ardhur në rënie në tri vitet e fundit, sipas studimeve tona, por është sërish i lartë dhe është më i lartë sesa në vendet fqinje. Mbetet ende shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim”, tha Armitage në deklaratën e saj. Në fakt, lufta ndaj korrupsionit dje u kthye në temë të rëndësishme edhe për fjalën e kreut të qeverisë, që përshëndeti aktivitetin e Bankës Botërore me fokus një qeverisje më të mirë. Berisha u shpreh se është bërë një punë e madhe për luftën ndaj korrupsionit dhe se lufta duhet të fillojë nga vetja, në këtë rast nga qeveria. “Asnjë reformë nuk mund të ketë sukses, pa një luftë eficiente kundër korrupsionit. Në qoftë se ne vendosim në themel parimin se “nuk ka imun ndaj korrupsionit”, askush nuk është imun ndaj korrupsionit. Për definicion, luftën kundër tij duhet ta fillojmë nga vetja jonë”, tha Berisha. Por korrupsioni nuk ka qenë e vetmja pikë e vënë në diskutim nga Banka Botërore. Çështja e pronave është risjellë edhe një herë në vëmendje dhe Armitage vlerësoi se qeveria duhet të bëjë përpjekje për t’ia kthyer pronat ish-pronarëve. “Qeveritë e njëpasnjëshme kanë bërë përpjekje për të rregulluar këtë problem, që njerëzve t’u jepet mundësia të regjistrojnë pronat e tyre. Shqipëria duhet të nxitojë të zgjidhë këtë problem, pasi ai është rritur edhe për shkak të emigrimit të brendshëm”,tha ajo. Nga tradita e rekomandimeve të institucioneve financiare ndërkombëtare nuk ka dalë as pika e borxhit, deficitit dhe buxhetit. Banka Botërore kërkoi që buxheti 2012 të ishte konservator, në kuptimin e të qenët realist dhe solli në vëmendje që rritja ekonomike e post-krizës nuk ka ritmet e mëparshme. “Shqipëria është shumë e lidhur me ecurinë ekonomike të Europës Perëndimore. Normat e rritjes ekonomike nuk janë më si më parë. Qeveria duhet të ulë borxhin publik dhe të miratojë buxhete me deficit më të lartë se 3 për qind”, tha Armitage.

Prokurimet publike

Banka Botërore ka vlerësuar përmes koordinatores Jane Armitage se Shqipëria ka një ligj të mirë për prokurimet publike, por puna më e madhe duhet të bëhet në zbatimin korrekt të tij për të rritur besimin e biznesit. “Ju keni një ligj shumë të mirë të prokurimeve publike, por e rëndësishme është që ai të zbatohet ashtu siç duhet. Ka shumë ankesa nga operatorët ekonomikë në këtë drejtim. Edhe pse nga vrojtimet tona perceptimi i korrupsionit ka pësuar një rënie, sërish ai mbetet më i larti në rajon”, tha Armitage.

Rekomandimet e Bankës Botërore

Reforma në pensione
Banka Botërore: Kjo reforme është komplekse, mund të rritet mosha e pensionit, mund të barazohet mosha e daljes në pension mes burrave dhe grave apo mund të kryhet një indeksim me rritjen e jetëgjatësisë.
Korrupsioni
Banka Botërore: Nga vrojtimet tona, perceptimi i korrupsionit ka pësuar një rënie, por sërish ai mbetet më i larti në rajon.
Kryeministri Berisha: Nuk ka armik më të egër për njeriun e lirë sesa korrupsioni. Lufta kundër tij është përcaktuese në suksesin e të gjitha reformave të tjera. Për definicion, luftën kundër tij duhet ta fillojmë nga vetja jonë.
Prokurimet publike
Banka Botërore: Ju keni një ligj shumë të mirë të prokurimeve publike, por e rëndësishme është që ai të zbatohet ashtu siç duhet. Ka shumë ankesa nga operatorët ekonomikë në këtë drejtim.
Kryeministri Berisha: Në sajë të një vullneti politik, ky vend vendosi i pari në botë, sistemin 100 për 100 të prokurimeve elektronike.
Pronat
Banka Botërore: Qeveritë e njëpasnjëshme kanë bërë përpjekje për të rregulluar këtë problem, që njerëzve t’u jepet mundësia të regjistrojnë pronat e tyre. Shqipëria duhet të nxitojë të zgjidhë këtë problem, pasi ai është rritur edhe për shkak të migrimit të brendshëm.
Kryeministri Berisha: Problemet që lidhen me pronësinë janë një problem serioz, janë një problem, i cili duhet të marrë zgjidhje para së gjithash me regjistrin dixhital të tokës.
Investimet
Banka Botërore: Qeverisja e mirë është një tregues i rëndësishëm për investitorët, për të marrë vendime investimi.
Kryeministri Berisha: Janë masat që u morën për të zvogëluar barrën burokratike dhe fiskale mbi biznesin ato që kanë bërë që Shqipëria vitin që kaloi, të jetë i vetmi vend në rajon me rritje të investimeve të huaja.
Buxheti
Banka Botërore: Normat e rritjes ekonomike nuk janë më si më parë dhe është e rëndësishme që qeveria të ulë borxhin publik e për këtë i duhet të miratojë buxhete me deficit më të lartë se 3 për qind.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura