Kush e di se sa herë i është dashur të bëjë vajtje-ardhje nga plazhi në det… Dhe nuk shkonte thjesht për t’u freskuar. Cilido që do ta shihte nga larg, nuk do ta kuptonte dot se çfarë ndodhte me bukuroshen zeshkane, Penelop Kruz, që në filmin “Piratët e Karaibeve” luan rolin e Anxhelikës, vajzës së piratit Mjekërzi. E vërteta ishte se në ishull nuk kishte tualete dhe asaj i duhej patjetër.. Ishte shtatzënë në muajin e katërt. Pak muaj më vonë, më 22 janar, ajo dhe aktori Havier Bardem, të martuar qysh në korrikun e shkuar, u bënë prindër. Që atëherë, aktorja ka marrë një rol të ri, atë të nënës. “Jemi shumë të lumtur, Havier, Leonardo dhe unë”. Ndërsa ka qenë e pranishme në prezantimin e filmit në Festivalin e Kanës, Kruz ka treguar disa “të fshehta”, si e realizoi rolin, ndërsa ishte shtatzënë. Aktorja zbulon se ka qenë e motra, Monika, që i ka shërbyer si kundërfigurë, atëherë kur barku i ishte rritur mjaftueshëm e nuk kishte shkathtësinë për të realizuar lëvizjet e shpejta për një pirate… “Ajo më ka dhënë leksione skerme. Është shumë e zonja. Dhe në disa skena finale, atëherë kur isha shumë e shëndoshë, ka bërë kundërfigurën time”, është shprehur Kruz. Por duket se këtë dëshirë për të luajtur “piratçe”, motrat Kruz e kanë pasur që të vogla. “Fëmijë më pëlqenin lojërat e meshkujve. Qëkur kam qenë 3 apo katër vjeç, argëtohesha pa fund, duke recituar apo imituar dikë të ndryshëm nga unë”, thotë Penelop. Për të gjithë kureshtarë(e)t ajo tregon edhe për raportin e saj me aktorin tërheqës, Xhoni Dep. Ajo thotë se është ca kokëfortë. Nuk donte e nuk donte të realizonte skenat e kërcimit. “Vazhdonte të thoshte: nuk jam i aftë. Por më pas e ka mësuar koreografinë në 5 minuta. Ka një sens të shkëlqyer ritmi, u bie shumë instrumenteve, këndon: si mund të mos ishte dhe një balerin i mirë?”. Po a ka ai ndonjë defekt? “Të bën për të qeshur”, thotë Penelop. “Po nisi edhe ai të qeshë, atëherë gjithçka ka marrë fund. Një herë bllokuam xhirimet për dy orë. Bën shakara vazhdimisht”… E megjithatë mes shakash, por edhe sikletesh që i shkaktonte shtatzënia, Penelop Kruz ia doli të ishte heroina e episodit të katërt të filmit “Piratët e Karaibeve”, i cili tashmë po shfaqet edhe në kinematë e Tiranës.











