
Profesori i socialistëve dje mbushi 75 vjeç. Dita e djeshme në këtë moment kulmor për profesorin, ashtu siç dhe pritej, ishte shumë e ngjeshur. Kreu socialist, Edi Rama, kishte përgatitur një kokteil festiv për ish-kreun e Kuvendit në bar-restorant “Austria” e ku të ftuarit i përkisnin të gjitha forumeve të Partisë Socialiste. Ishte vetë Rama, që i dhuroi buqetën e urimit Pëllumbit, duke hapur këtë ceremoni sa zyrtare, aq dhe familjare. Jeta e profesorit është ngushtësisht e lidhur me Partinë Socialiste, prandaj të pranishëm ishin që nga kryetari i PS, ish- presidenti Meidani, por dhe punonjës të administratës së PS, me të cilët Pëllumbi ka ndarë ditë të bukura, por dhe të vështira të jetës së tij politike. Gjatë gjithë kohës, telefoni i profesorit, një telefon i ri “touchscreen”, me sa duket dhuratë e familjes për këtë ditë, nuk pushoi së përcjelli urimet që vinin nga brenda vendit, por dhe jashtë tij. Në krah të ish-kreut të Kuvendit qëndronte gjatë gjithë kohës një nga kolegët e tij të hershëm të viteve të vështira opozitare,‘92-‘97 Namik Dokle, por dhe bashkëpunëtorë të tjerë në Parlament. Por për profesorin kishin mbërritur në Tiranë edhe shumë kryetarë të degëve socialiste në rrethe, ish-drejtues të vjetër të PS ndër vite. Libra, piktura dhe kravata ishin disa nga dhuratat që binin në sy për profesorin. “I zoti i shtëpisë”, kreu i PS-së, që kishte organizuar këtë pritje, kishte treguar kujdes dhe për tortën e rastit. “Gëzuar ditëlindjen, Profesor!” ishte dedikimi i shkruar mbi tortë, ndërsa profesori fiku qirinjtë me numra “75”.
“Ju falënderoj të gjithëve, kryetarin e PS, Kryesinë e PS, për këtë festë të shkëlqyer, në këtë 75-vjetor të ditëlindjes sime. Uroj me gjithë zemër fitoren e PS në zgjedhjet e ardhshme. Kjo ka qenë dëshira ime në këtë 75-vjetor, e kam thënë edhe kur isha 60 vjeç edhe kur isha 55 vjeç e do të jetë ky urim derisa të jem gjallë”, ishte urimi i profesor Pëllumbit, ndërsa të gjithë ngritën gotat në shëndet të tij.
Nano
Nën tingujt e muzikës, të ftuarit e shfrytëzuan këtë rast për të ndarë dhe shqetësimet lidhur me politikën e ditës. Temat e bisedave ishin që nga largimi i qeverisë, presidenti i ardhshëm e deri tek Avokati i Popullit që do të zgjedhë PS-ja. I pyetur se ç’mendim ka për kandidaturën e Fatos Nanos për president, si një kritik konstant i ish-kryetarit socialist, Pëllumbi u shpreh shkurt: “Është normale që të shfaqë ambicien zoti Nano, por unë të them të drejtën, ata që vetëkandidojnë nuk i kam shumë për zemër”. Por profesori i kërkon PS që të forcojë edhe më shumë dialogun për të arritur objektiva kombëtarë. “Forcat politike do të dëshiroja që të gjejnë, kështu siç e kanë filluar, gjuhën e përbashkët, gjuhën e dialogut dhe të konvergojnë për një çështje kombëtare”, u shpreh Pëllumbi. Kreu socialist, Rama, gjatë gjithë kohës që qëndroi në festën e organizuar me rastin e 75-vjetorit të Pëllumbit, takoi të gjithë të ftuarit, duke shkëmbyer batuta me ta. Në një tavolinë ishin ulur ish-presidenti Meidani, dy nga figurat themeluese të PS-së, Moikom Zeqo e Bardhyl Agasi, shumë nga pjesëmarrësit, kryesisht figura të hershme në këtë parti kalonin dhe përshëndesnin. Gjatë lëvizjes së tij nëpër sallë, ku kaloi nga të gjitha tavolinat, Rama e shmangu takimin me Meidanin, Zeqon dhe Agasin. Kjo sjellje e Ramës vjen pas qëndrimeve kritike të tre eksponentëve të vjetër në PS ndaj programit dhe qëndrimeve të kreut socialist.
Berisha, lule për Pëllumbin
Kryeministri Berisha nuk mungoi në ditëlindjen e 75-të të profesorit socialist. Kreu i maxhorancës i dërgoi një buqetë me lule me një kartë urimi për këtë jubile. Mësohet se Kryeministri Berisha i uron jetë të gjatë dhe vlerëson qëndrimin parimor politik gjatë karrierës së tij, kryesisht në drejtim të Kuvendit. Buqeta me lule mbërriti dje pasdite gjatë kokteilit të organizuar nga Instituti i Sociologjisë. Po dje, edhe pasardhësja e Pëllumbit, Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, i ka telefonuar profesorit të socialistëve duke i ka uruar ditëlindjen.
Rexhep Meidani
Ish-presidenti socialist, Rexhep Meidani, nuk ka dashur të japë asnjë koment rreth kandidaturës së Fatos Nanos për kreun e shtetit. I pyetur se ç’mendim ka për figurën e Nanos si një president i mundshëm vitin e ardhshëm, Meidani nuk preferoi të japë asnjë opinion. Pak ditë më parë, ish-kryetari socialist, Fatos Nano, gjatë një interviste nga Londra në Top-Channel, shprehu ambicien e tij për postin e kreut të shtetit, duke e pozicionuar veten mbi palët dhe të angazhuar në një përpjekje për të forcuar dialogun dhe frymën e re politike të arritur në vend.
Instituti i Sociologjisë
Instituti i Sociologjisë dhe familja e profesor Pëllumbit organizuan një pritje-kokteil në një nga lokalet e njohura në kryeqytet. Të pranishëm në këtë pritje- politikanë, profesorë, akademikë, familjarë. Kishte ardhur në këtë pritje dhe ambasadori danez në Tiranë, Karsten Ankjaer Jensen. Shumë deputetë të Grupit Parlamentar socialist, kryesisht ata që kanë punuar nga afër me ish-kreun e Kuvendit. Ruçi, Dokle, Dade, Leskaj, Malaj, Kodheli, Gjermeni e të tjerë i uruan sërish ditëlindjen e 75-të profesorit. Në emër të Institutit, sociologu Lekë Sokoli i uroi ditëlindjen Pëllumbit.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











