
Rileximi i Fukujamës
Frencis Fukujama, në librin e tij, “Fundi historisë dhe njeriu i fundit”, mbron tezën se demokracia liberale mund të përbëjë “pikën e fundit të evolucionit ideologjik të njerëzimit” dhe “formën përfundimtare të qeverisjes njerëzore” dhe, si e tillë, ajo shënon “fundin e historisë”. Këtë tezë e kam analizuar në mënyrë kritike në librin “Globalistika-refleksione për një epokë”, 2009, f. 167-172) dhe kam dhënë mendimin se ajo nuk i qëndron së vërtetës për epokën e sotme të globalizimit. Ndërkohë, mendoj se teza e Fukujamës bëhet më interesante po të jetë se do të rilexohet nga një kënd tjetër vështrimi, po të jetë se “fundi i historisë” do të shihej si një zinxhir i pafund “fillim-fundesh e fund-fillimesh”. Në një kuptim të tillë dialektik, çdo herë mund të flitet dhe të gjendet një “fund” dhe një “fillim”. Kjo shkon sidomos për “izmat”. Kështu, duke iu referuar modeleve konkrete të politikës shqiptare të 20 vjetëve të fundit, mund të flitet për modelin “Berisha 1”, që dështoi në vitin 1997, më pas për modelin “Nano”, që e mbylli historinë e vet, me të mirat dhe të këqijat e veta, në vitin 2005. Në këtë kuptim, Nano ka të drejtë kur thotë: “Unë jam Fatos Nano, prapa më vjen historia”, d.m.th. një “histori e mbyllur”. Ndërkohë, çdo rikthim apo restaurim i “modelit-fund” është jo i arsyeshëm, pra jo real dhe as i nevojshëm. Tani kemi para syve tanë modelin “Berisha 2”, që në thelb është “restaurim” i modelit të parë, të cilin sot mund ta vëzhgojmë, ta studiojmë, ta vuajmë përsëri mbi kurrizin tonë në formën e autoritarizmit, të preferencës për zëvendësimin e realitetit me retorikën më të rëndomtë dhe me manipulimin e votës së qytetarëve. Ndërkohë, kemi arritur në një cak kur kërkohet një pastrim rrënjësor i politikës, pra kur kërkohet një “fund tjetër i historisë”, kësaj here i historisë së modelit “Berisha”, apo siç thirret ndryshe, i “berishizmit”. Të dhëna të shumta flasin për atë që ky fund ka filluar të duket dhe pritet të jetë më dramatik nga ai i “nanoizmit”. Në të dy izmat “fundi” e ka emrin korrupsion: në rastin Nano ai ishte kryesisht individual, në rastin Berisha, i tipit familjar e klanor. Berisha e ndien tashmë “fundin e historisë”, prandaj flet natë e ditë për sukseset e modelit dhe nevojën e “ngurtësimit” të tij, si i vetmi që meriton të hyjnizohet në politikën shqiptare.
Gjithsesi, mbeten dy gjëra themelore të pazgjidhura, apo dy pyetje që kërkojnë përgjigje. Së pari: si mund të shpejtohet dhe të arrihet te fundi i modelit autoritarist, që ka si shtojcë të detyrueshme manipulimin e zgjedhjeve në funksion të përjetësimit të berishizmit? Dhe, së dyti: a ka forca vërtet kreative të një modeli të ri për të kapërcyer të vjetrin, pra për t’i dhënë fund një historie dhe për t’i hapur rrugën një etape të re apo historie të re më frutdhënëse? Më tej: a është “kursi i ri” i E. Ramës një model tjetër, gjithsesi, modeli që pritet të ngrihet mbi dy të parat dhe të hapë një faqe të re në historinë e politikës shqiptare? Ende nuk mund të thuhet ndonjë gjë e saktë, aq më pak përfundimtare. Mbetet për t’u përpunuar e provuar.
Të dyja këto çështje, realisht janë të pazgjidhura, sepse terreni i politikës shqiptare, e ritheksoj, është i mbingarkuar me prirje klanore e madje tribale, me tifozllëk e fanatizëm partish, me mungesë të theksuar idesh dhe paaftësi për dialog e bashkëpunim. As nga brenda “kështjellës”, nga brenda PD-së, që ruhet me fanatizëm nga vetë Berisha me klanin e tij, por as nga opozita, e sidomos nga PS-ja, nuk po duken vizione dhe preokupime të natyrës së qytetërimit modern në funksion të konsolidimit dhe të së ardhmes së demokracisë në Shqipëri. Lufta në PS vazhdon të zhvillohet në hapësira tepër të ngushta dhe shpesh reduktohet me çështjen: të jetë a të mos jetë më tej Rama në drejtimin e PS-së? Veprimtaria e PS-së, më tepër bojkotuese se bashkëpunuese, që nga viti 2009 ushqeu prirje përçarëse dhe mungesën e vizionit për të ardhmen. Flitet për mendim ndryshe, por realisht ai mungon. Një konfuzion ideor dominon në këtë parti, kurse piramida e saj organizative, dikur me “themele e mure” të forta, thuajse nuk ekziston më. Më të avancuarit në fushën e “mendimit ndryshe” duken ata që janë për një rikthim, gati të pa mundshëm e të panevojshëm, te modeli “Nano”!
Tri grupimet për të cilat flitet se ekzistojnë dhe veprojnë në fshehtësi në PD, ende nuk ofrojnë asgjë tjetër veçse një qëndrim “anti-Berishë”, pra një version të paartikuluar të sloganit socialist “Berisha ik!”. Berisha, pas Kuvendit Kombëtar (dhjetor 2009) mbajti pezull për gati dy vjet zgjedhjet dhe ngritjen e strukturave drejtuese në PD për të nxitur daljen hapur të “kundërshtarëve”, por askush nuk u ndje duke e lënë çdo gjë në nivelin e “vesh më veshit”. Kjo është situata reale e dy forcave politike në vend. Për të dy krahët duket se rëndësi parësore ka “pritja” që të fitohet më tepër nga dështimi i kundërshtarit, dhe jo nga ajo që bën vetë. Kështu ka vazhduar të mbetet në pikëpyetje çështja e një modeli të ri për politikën shqiptare, që në thelb duhet të jetë çlirimi i frymës së lirisë, që njerëzve t’u jepet siguri për të ardhmen, që të tjerët të na respektojnë për rregullin e korrektësinë, si politikanë të një vendi me standarde, që ecin përpara duke bashkëpunuar e dialoguar, dhe jo duke u grindur e sharë njëri-tjetrin. Vetëm mbi një bazë të tillë të natyrës së filozofisë politike kombëtare mund të flitet për rreshtimin e Shqipërisë në radhën e vendeve të zhvilluara, dhe jo vetëm se Berisha e shpall të tillë çdo ditë! Sikur të mos kishte dalë botimi i dosjeve të WikiLeaks-it, “gjumi” i politikanëve tanë, mbase do të kishte vazhduar në inercinë e tij si gjumë i pandërprerë. Zgjimi duke u hedhur “ujë të ftohtë” në fytyrë politikanëve tanë, me sa duket, është një nga arsyet pse kabllogramet “WikiLeaks” po përcillen me kaq interes nga opinioni ynë publik. Kuptohet, kjo mund të jetë, njëherësh, edhe shkak për ndonjë teprim në vlerësimin e rolit të Wikileaks-it, deri dhe për të harruar filozofinë e popullit që thotë: “Kur ujkun e ke përballë, nuk ka kuptim të ndjekësh gjurmët”!
Sesioni i ri politik dhe fenomeni “opozitë”
Po përmend një fakt shumë domethënës: jemi i vetmi vend i Europës pa një marrëdhënie formale midis qeverisjes autoritariste të Berishës dhe opozitës bojkotuese që drejtohet nga kreu i PS-së, Edi Rama. Këtu gjenden shkaku dhe pasojat e kolapsit apo “ngërçit politik” që po vazhdon prej më se dy vjetësh, thelbi i të cilit është mungesa gati e plotë e konkurrencës politike. Të dyja palët, që duket sikur po luftojnë shumë ashpër kundër njëra-tjetrës, në të vërtetë nuk bëjnë asnjë luftë politike të mirëfilltë përpos deklarimeve mediatike në distancë, sharjeve e fyerjeve me të cilat as zemërohen seriozisht me njëra-tjetrën, sepse e dinë që pas një kohe ato do të deklarohen “taktika”, “lojëra” për efekte elektorale etj. Në një sfond të tillë, do parë edhe fenomeni “WikiLeaks”. Nëpërmjet kabllogrameve të Ambasadës Amerikane duket sikur na thuhen copë, pa shtrëngimin diplomatik të duarve, të paktën tri të vërteta me natyrë pragmatiste: 1. “Bëjuni më të ndjeshëm, më realistë, të paambietueshëm me të keqen dhe të korruptuarit”; 2. “Nuk është kjo që keni sot politika që i duhet Shqipërisë, nuk janë këta politikanët që do ta çojnë këtë vend përpara. Pra, zgjidhni më mirë”; 3. “Nuk ju funksionon sistemi politik, nuk ju funksionon demokracia, me këtë ritëm reformash nuk mund të integroheni në botën e qytetëruar dhe rrezikoni që miqtë t’u largohen…”!
Ndërkohë, pritet me interes fillimi i sesionit të ri politik, që përkon me sesionin e vjeshtës të Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë verës, veçanërisht të nxehtë të këtij viti, hamendësimet rreth përgjegjësisë së opozitës për gjendjen dhe të fajeve të maxhorancës me në krye Berishën, nuk reshtën, as në media dhe as në “auditorin” masiv të njerëzve që deklarojnë se nuk qëndrojnë dot pa folur për politikë! Në një auditor të tillë u gjenda, herë-herë, edhe unë duke filluar nga Durrësi, Korça, Pogradeci, Vlora, Saranda e Tepelena dhe deri në Prizren, në Ohër e Strugë. Njerëzit, kudo gjatë bisedave shpreheshin të shqetësuar për mënyrën e të bërit politikë tek ne dhe donin të dinin: A ka shpresë për më mirë? Ç’do të ndodhë në shtator? Po më tej? Kishte midis tyre zëra tepër radikalë, që thoshin: “Asnjë bashkëpunim me hajdutin”; “Deputetët socialistë të dorëzojnë mandatet”; “Asnjë marrëdhënie me qeverinë” etj., por në përgjithësi dominonin zërat realistë që shpresonin se “politikanët do t’i thërresin mendjes”, se “mund të nisë mbarë në shtator” etj.
Dhe vërtet, rënia e toneve dhe pushimet e politikanëve gjatë gushtit, sikur po gatuanin diçka të re, një kurs të ri politik që realisht filloi të ndihet që me nisjen e punës nga ana e PS-së për kongresin e saj, në të cilin do të miratohet edhe programi i ri që pritet të hapë rrugën për të fituar zgjedhjet e vitit 2013. Duket sikur po kuptohet kryesorja: opozita do të fitojë, jo thjesht duke i ndalur dorën “hajdutit të votave” (edhe kjo duhet bërë), por, para së gjithash, përmes një alternative të re, një modeli të ri qeverisjeje për qytetarët. Deri tani PS-ja është marrë më tepër me kundërshtarin, por jo edhe me veten, ka ndjekur metoda pasive lufte, siç janë bojkotimet e zgjatura të Kuvendit dhe të institucioneve të tjera, që nuk e di pse e çoi atë edhe në një lloj mbylljeje në qendër në reduktimin e pjesëmarrjes qytetare vetëm në mitingje në kryeqytet, në nënvleftësimin e opinioneve, të iniciativave qytetare dhe të kontakteve të gjalla të deputetëve me zgjedhësit.
Për këtë arsye, sipas mendimit tim, kërkohet jo vetëm që opozita të lërë mënjanë taktikën e bojkotit të Kuvendit dhe të shkojë atje që me hapjen e sesionit të vjeshtës më 5 shtator, por dhe të bëjë të qartë të gjithë komponentët e tjerë të “Kursit të ri” të deklaruar nga kryetari i PS-së. Kuptohet, asgjë nuk duhet harruar, as Gërdeci, as prilli i 2008-s kur u bënë ndryshimet kushtetuese me një “urraaa”, as 29 qershori 2009, as 21 janari 2011 dhe as 8 maji 2011, por e kaluara nuk duhet të na errësojë vështrimin për të nxjerrë mësime dhe për të ecur përpara me mend në kokë! Ndryshe, duke qëndruar secili në “llogoren e vet”, nuk ka politikë. Ndërkohë, nuk duhet harruar se të dyja palët, PD dhe PS, me koalicionet përkatëse, aktualisht janë më të dobëta. Në zgjedhjet e 8 majit 2011, me gjithë manipulimet e njohura, PD mori 101 873 vota më pak nga PS-ja. Por, Koalicioni për të Ardhmen, që kryesohej nga PS, mori 141 723 vota më pak nga Koalicioni për Qytetarin, që kryesohej nga PD dhe manipuloi votat e qytetarëve. Ndërkohë, aleatët e dy koalicioneve shprehen mjaft të pakënaqur nga polarizimi PD-PS. Tek e fundit, për të dyja palët janë të rëndësishme analizat kritike, por sidomos rritja e besimit reciprok, moderimi i situatës konfliktuale, si dhe i mungesës së dialogut e i bashkëpunimit institucional.
Gjithsesi, të dyja palët do të përfitonin nga një normalizim i shpejtë i punës së Kuvendit që në ditët e para të sesionit të vjeshtës. Kuptohet, as për “hatër” të WikiLeaks-it dhe as për të “përshëndetur” raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit 2011. Po kështu, nuk do të ishte bindës as “argumenti” se ky normalizim ndërmerret nga secila palë, veç e veç, vetëm si përgjigje ndaj faktorit ndërkombëtar, pra vetëm për plotësimin e kritereve për të fituar statusin e vendit kandidat për në BE. Nevojat e brendshme të të dyja palëve për kapërcimin e “ngërçit politik”, sipas mendimit tim, janë parësore prej nga kushtëzohet edhe plotësimi i 12 kritereve të parashtruara nga Brukseli. Prandaj shumica qeverisëse duhet të ndryshojë rrënjësisht qëndrimin ndaj opozitës që çoi në një 21 janar, kurse opozita të hyjë në Kuvend për të kryer detyrën e saj kushtetuese duke i kthyer normalitetin institucionit më të lartë legjislativ që shpreh sovranitetin e popullit. Opozita socialiste, me 65 deputetët e saj (e bashkuar edhe me “opozitën joparlamentare”), ka rastin që të dëshmojë se mund të jetë poli që mund të bëjë jo vetëm mobilizimin shpirtëror të shoqërisë shqiptare, por dhe promotorin e një alternative demokratike europiane për Shqipërinë. Nëpërmjet “Kursit të ri” dhe programit të ri që pritet të miratohet në kongresin e nëntorit 2011, PS duhet të synojë jo vetëm arritjen e një “Pakti politik për Europën”, por dhe të një konsensusi kombëtar për vlerat dhe drejtimet e zhvillimit ekonomik të vendit, për vlerat bazë morale mbi të cilat duhet të mbështetet shoqëria shqiptare, për etikën e raporteve midis sipërmarrjes dhe punës, për përpunimin dhe realizimin e një dimensioni social të “kapitalizmit shqiptar” përmes përvetësimit të logjikës së ekonomisë së tregut të harmonizuar me spektrin më të moderuar të së majtës europiane.
Partia Socialiste dhe forca të tjera progresiste, të hapura për bashkëpunim nga pozita partneriteti me të gjithë krahët e politikës, e ndihmuar nga vizioni kritik që ka një opozitë serioze, gjithashtu ka rastin që të dallohet në përpunimin dhe realizimin e një strategjie kombëtare për modernizim të Shqipërisë, pa u mjaftuar me humorin apo me kritikat rreth toneve retorike të deklaratave të Kryeministrit, sipas të cilave Shqipëria, për tre vjet, pra, në vitin 2014, do t’u bëka vend i zhvilluar! Në të vërtetë, modernizimi nuk është thjesht ekonomik, por shumëdimensional dhe social në thelbin e vet, që krijon infrastrukturën e së drejtës dhe hapësirën unike në të cilën i fuqishmi dhe më i dobëti barazohen realisht para ligjit, kurse liria individuale bëhet vlera që vihet në themelet e qytetërimit modern dhe që bëjnë të mundur përdorimin racional e në bashkëveprimin dialektik midis tyre, të katër kapitaleve bazë: të kapitalit njerëzor, të kapitalit para(pronë), të kapitalit social dhe të kapitalit kulturor. E ndërkaq, Shqipërisë ende i mungojnë shumë parakushte për adoptimin e modelit perëndimor të modernitetit, që sipas Hutingtonit, “përfshin industrializimin, urbanizimin, ngritjen e shkallëve të shkollimit, edukimit, pasurisë e mobilizimit shoqëror, si dhe struktura punësimi më të ndërlikuara e të larmishme” (S.Hutington, Përplasja e qytetërimeve, Logos, 2004, f.98).
Çështja e përcaktimit të stadit në të cilin gjendet sot shoqëria shqiptare është një çështje tepër e rëndësishme kur është fjala për të marrë përsipër një “fillim të ri” dhe detyra të natyrës strategjike. Pa mohuar arritjet dhe transformimet e kryera gjatë 20 vjetëve të fundit, na duhet të pohojmë se ende pak gjëra kanë ndryshuar për të arritur qytetërimin bashkëkohor. Në shoqërinë shqiptare, ende janë të forta tiparet e zakoneve dhe të kulturës tradicionale, sidomos strukturat fisnore, krahinore dhe klanore, që zënë vendin e qoshes deri dhe në partitë politike dhe institucionet. Po ashtu dhe mentalitetet e prapambetura mbi kohën sociale që përfytyrohet sikur vërtitet “avash-avash”, brenda një rrethi të mbyllur dhe një hapësire sinkretike ku mungojnë deri dhe ndarjet karakteristike për modernen, ato të privates nga publikja, të individuales nga e përgjithshmja apo ndarja e hapësirës së qyteteve në mjedise banimi, mjedise prodhimi dhe mjedise social-kulturore. Një njohje e tillë realiste duhet të jetë vendimtare në përcaktimin e strategjisë dhe taktikave të çdo force politike, sidomos kur ajo është në kërkim të një kursi, të një modeli dhe të një roli të ri për modernizimin e vendit, siç është rasti i PSSH-së. Themelore për këtë model është zëvendësimi i garës së deritanishme të strukturave partiake (dhe listave partiake me “vulën” e kryetarit) me garën e ideve dhe të njerëzve të aftë dhe me integritet të lartë moral. Ide dhe garë njerëzish të lirë-ky duhet të jetë modeli ideal i së ardhmes për të cilin duhet të mendojnë seriozisht të gjithë krahët e politikës në Shqipëri.
Të vërteta të harruara për “Kursin e ri”
Socialistët shqiptarë duhet t’i njohin vetes misionin për t’i siguruar çdo shqiptari, pavarësisht të ardhurave, origjinës, moshës, gjinisë, edukimit, orientimit politik, fetar dhe kulturor, mundësitë për t’u arsimuar, për të pasur një punë të denjë dhe të paguar mirë, për të krijuar familje të fortë e të qëndrueshme, të aftë për të rritur dhe edukuar fëmijë të shëndetshëm, që të kenë mundësi të jetojnë në fqinjësi e komunitet të sigurt, në banesë e mjedis të mbrojtur, që të marrin shërbime jetësore cilësore dhe të gëzojnë një pension të denjë në moshën e pleqërisë. Për arritjen e një objektivi të tillë, plotësisht real dhe jo utopik, politikat sociale duhet të jenë të tilla që të parandalojnë varfërinë duke e vënë qeverinë në shërbim të qytetarëve dhe duke nxitur iniciativën dhe pjesëmarrjen e tyre në të gjitha lëmenjtë e jetës.
Partia Socialiste, duke synuar besimin e zgjedhësve në vitin 2013, të programojë krijimin e Fondit Social, në përputhje me direktivat e BE-së, si mbështetje financiare për politikat e mbrojtjes shoqërore, krijimin e vendeve të punës, sigurimin e papunësisë, luftën kundër varfërisë dhe përjashtimit social, ndihmën ekonomike, shërbimet sociale, pagesat për personat me paaftësi etj. Ndërkaq, konkurrenca që nxit, kooperimi që forcon dhe solidariteti që bashkon, duhet të njihen si vlerat themelore nëpërmjet të cilave mund të ndërtohet një Shqipëri demokratike e sociale: punëtore, solidare, me kohezion social e territorial, e gjelbër, një Shqipëri e qytetarëve, e grave dhe e burrave, e vajzave dhe e djemve, e të rinjve dhe të moshuarve. Askush nuk duhet të ndihet i braktisur. Socialistët shqiptarë deklarojnë hapur se janë pjesë e familjes së madhe europiane të qendrës së majtë: e socialistëve, socialdemokratëve dhe demokratëve progresistë, se mbështesin socializmin demokratik, një shoqëri të njerëzve të lirë, solidarë, të barabartë në dinjitet dhe të drejta. Një ekonomi, shtet dhe shoqëri të ndërtuara në bazë të parimeve të demokracisë sociale dhe liberalizmit social, garantojnë, sidomos në kushtet e sotme, të drejta themelore për të gjithë qytetarët, një jetë pa shfrytëzim, shtypje dhe dhunë, siguri sociale dhe njerëzore dhe politika kundër nënshtrimit të interesave politike ndaj atyre ekonomike. Kjo i hap rrugën vizionit politik që nuk ndalet te shteti, por çmon lart bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe veprimin e lirë të njerëzve të lirë. Në përputhje me këtë vizion, ligji dhe drejtësia, siguria publike, arsimi, shëndeti, kultura dhe mjedisi natyror duhet të jenë misioni më i rëndësishëm i politikës së Partisë Socialiste. Kjo do të thotë, më tej, se në shoqërinë tonë të së ardhmes së afërt do të luftohet për të harmonizuar dinamizmin ekonomik me drejtësinë sociale dhe arsyen ekologjike, pa lejuar që ekonomia e tregut të shpjerë drejt një shoqërie të tregut. Shqipëria e të ardhmes synon bashkimin e të gjitha kontributeve: të punëtorëve, sindikalistëve, sipërmarrësve, lëvizjeve dhe veprimtarëve për të drejtat e njeriut, grave dhe të rinjve, veteranëve dhe pensionistëve, njerëzve të varfër e nevojtarë, fshatarëve, fermerëve dhe bujqve, profesionistëve të lirë dhe intelektualëve, ish-të përndjekurve politikë dhe pronarëve, të qytetarëve shqiptarë që punojnë e sakrifikojnë për veten, familjen dhe atdheun e tyre, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Pa qenë thjesht përfaqësues të këtyre shtresave, socialistët shqiptarë janë, në thelb, përfaqësuesit më të mirë të shumicës së secilës prej tyre.
Duke shtruar ide të tilla të përgjithshme e programore nuk po i vë vetes ndonjë qëllim doktrinar, por dua të shpreh nevojën për t’iu kthyer disa të vërtetave të harruara, sa politike aq dhe etike e morale, që duhet të bëhen pjesë organike e “Kursit të ri” dhe sidomos e detyrave konkrete të programit të ardhshëm të PS-së dhe të qeverisjes së ardhshme. Ndryshe, ka për të vazhduar inercia e punës që ka si moto: “s’ka ç’na duhet programi kur duhet të veprojmë” dhe për pasojë, nuk do të bëhet e mundur që të ndërpritet inercia e arrogancës së pushtetit të sotëm të korruptuar si dhe pandëshkueshmëria e tij. Kjo, tashmë, është provuar dhe po ashtu janë të njohura edhe pasojat negative të taktikave pasive si ajo e “marrëdhënieve të kufizuara me Kuvendin”. Hajde, pra, të mendojmë bashkërisht dhe të veprojmë ndryshe, të ndërtojmë një model të ri të menduari dhe një formë të re qeverisjeje,po së bashku, por ndryshe, me objektiva të qartë e konkretë, me vështrim nga e ardhmja dhe mbi bazën e një alternativë që ofron përgjigje e zgjidhje dhe nuk e redukton veprimin opozitar me parulla mitingjesh të tipit “Berisha ik!”, apo “Rruga e vetme”!
SERVET PELLUMBI











