Pëllumb Gaçe, profesori që diplomoi qindra mësues

Dec 25, 2011 | 11:27

BEKIM ÇOMO

Prof.dr.Pëllumb Gaçe njihet si mësues i merituar, pedagog i shquar, ekspert dhe mjeshtër i kërkimit shkencor në fushën e edukimit. I veçantë ka qenë kontributi i tij për ngritjen dhe konsolidimin e Institutit të Studimeve Pedagogjike përkrah pedagogëve të njohur Bedri Dedja, Nos Josifi e të tjerë.
Në këtë Institut ai punoi me përkushtim deri në fund të jetës.
Profesor Gaçe lindi më 25 dhjetor 1937 në Elbasan, në një familje qytetare të lagjes “Kala”, e njohur për njerëzit e ditur, që kanë lënë gjurmë në jetën kulturore e shkencore të vendit.
Pata fatin ta kisha shok klase në Shkollën e Mesme Pedagogjike të qytetit, dikur Shkolla Normale. Bashkë gjithashtu ndoqëm studimet e larta jashtë shtetit. U diplomuam për Pedagogji e Psikologji dhe si u kthyem në atdhe, nuk u ndamë. Punuam bashkë në Ministrinë e Arsimit, në Institutin e Studimeve Pedagogjike dhe në Universitetin e Tiranës. Gaçe ishte i virtytshëm dhe i zgjuar, me një kulturë të përgjithshme të admirueshme. Spikaste për një të menduar të zhdërvjelltë, kritik e krijues. Në bashkëbisedim me kolegët e të tjerët kishte një sens humori të këndshëm. Këto veti të personalitetit të tij dallonin dhe në veprimtarinë shkencore, në shumë shkrime, analiza dhe studime që ai bëri për çështje të rëndësishme të arsimit, në hartimin e teksteve të pedagogjisë, psikologjisë etj.
Prof.dr.Gaçe dha ndihmesë të vyer në zhvillimin e mendimit pedagogjik. Ai u bë nismëtar për  botimin periodik të buletinit  “Shkolla dhe pedagogjia nëpër botë”, por që u ndërpre për shkak të kufizimeve politike të asaj kohe. Gjithsesi, përpjekjet e tij për të futur dhe afirmuar në teorinë dhe praktikën e të mësuarit një mendim pedagogjik të ri, nuk reshtën. Kjo bie në sy në mjaft punime dhe artikuj studimorë që botoi në organet e shtypit pedagogjik, në gazetën “Mësuesi”, në Revistën Pedagogjike apo revistën “Arsimi Popullor”. Pullumbi ishte ndër bashkëpunëtorët më të kualifikuar të këtyre organeve. Materialet që botonte ishin mjaft të dobishme dhe të punuara me kualitet të lartë shkencor.
Ndër shkrimet e tij spikat qartë preferenca për hulumtimin e mekanizmave psikologjikë të edukimit. Ai kërkonte që edukimi në përgjithësi dhe veçanërisht mësimdhënia apo të nxënit, të bazoheshin më mirë në psikologjinë e moshës, që për teorinë edhe praktikën e të mësuarit të kishte më shumë analiza psikologjike, që veprimtaria mësimore–edukative t’i shërbente si duhet zhvillimit apo formimit të personalitetit.
Përpjekjet e tij në këtë drejtim, kërkimi shkencor dhe studimet e veçanta për aspektin psikologjik të edukimit, u kurorëzuan me botimin e librit “Psikologjia pedagogjike”. Me këtë libër ai hodhi bazat e një disipline shkencore që më vonë u përfshi në planet mësimore të shkollës së lartë. Sot ajo njihet si “Psikologjia e edukimit” dhe klasifikohet si ndër lëndët më kryesore në degët e mësuesisë.
Prof.dr.Pullumb Gaçe punoi me përkushtim jo vetëm për përgatitjen e mësuesve të rinj. Ai ndihmoi pa u lodhur edhe për kualifikimin shkencor të personelit pedagogjik. Ndihmesa e tij si udhëheqës shkencor, recensent apo oponent i shumë punimeve shkencore ishte efektive. Nga specialistët e arsimit nuk janë të paktë ata që përfituan nga ndihma e tij dhe që sot gëzojnë tituj dhe grada shkencore, duke shprehur mirënjohjen e tyre për Profesor Pullumbin, për këtë mësues të mësuesve.

© Panorama.al

Te lidhura