
Festa e “Birrës Korça” do të arrijë kulmin mbrëmjen e sotme në qytetin, ku e ashtuquajtura kulturë e birrës nisi që në vitin 1928.
Mijëra veta priten të marrin pjesë në një nga festat më të mëdha në vend, të cilët do të shijojnë në vapën e këtij gushti mijëra gota e shishe me birra “Korça”. Kryetari i Bashkisë e cilësoi birra “Korçën” si mbretëreshën e padiskutueshme të festës. Tashmë ka përfunduar thuajse çdo përgatitje dhe pak orë na ndajnë nga mbrëmja. Skena ku do të performojnë emra të njohur të muzikës shqiptare, por edhe këngëtarë e grupe të njohura të huaja, stendat, tavolinat e gjithçka tjetër i duhet kësaj feste janë gati, të vendosura në parkun “Rinia” të qytetit. Birra që mban emrin e qytetit, përveçse promovon vlerat e Korçës, ka sjellë me qindra turistë të cilët tejmbushën hotelet e qytetit. Për 5 net do të qëndrojnë nën shoqërinë e birrës, kërnackave të Korçës dhe muzikës. Vetë kryetari i Bashkisë, Niko Peleshi, theksoi se për të gjashtin vit kjo festë renditet në krye të listës sa i takon gjallërisë që i sjell qytetit. Madhështia e saj mbështetet te “Birra Korça” si një prej ideatoreve kryesore të kësaj feste, që ka qëllim të ruajë traditën e hershme të birrës. Sipas Peleshit, këtë vit do të ketë mjaft risi kjo festë, ndërsa organizimi e gjithçka tjetër ka shkuar në mënyrë perfekte.
Z.Peleshi, për të gjashtin vit radhazi organizohet në kulmin e sezonit veror Festa e Birrës. Çfarë organizimi do të ketë këtë vit në qytetin ku tashmë festa është kthyer në traditë?
Është viti i gjashtë që Festa e Birrës me shumë sukses zhvillohet në qytetin e Korçës. Pritshmëria është e madhe pasi kjo festë mbledh shqiptarët, të kudondodhur, por edhe të huajt të cilët do të festojnë për pesë net rresht në shijen e shkëlqyer të birrës “Korça”. Nga viti në vit, ne ndiejmë më tepër përgjegjësi për të kënaqur vizitorët që zgjedhin Korçën për të festuar. Këtë vit Festa e Birrës vjen edhe më e pasuruar jo vetëm në cilësi, por edhe në sasi. Këtu kam parasysh që festa do të nisë sot dhe do të përfundojë të dielën. Do të jetë i larmishëm programi muzikor që do jetë totalisht live me këngëtarët më të mirë të skenës shqiptare dhe të huaj. E kemi nisur fillimisht me 3 net, vijuam vitin e kaluar me 4 mbrëmje, por duke parë suksesin e saj, menduam që të jemi pranë qytetarëve me këtë festë edhe për një natë më tepër, pra 5 net. Ne ndihemi shumë krenarë që, falë kësaj feste, në vitin 2012 Korça mori dhe çmimin e turizmit nga Ministria e Kulturës. Kështu ne kemi certifikuar filozofinë tonë të jetës ekonomike nëpërmjet paketës së festave, që pa dyshim Festa e Birrës arrin kulmin.
A ka ndonjë risi për këtë vit, qoftë në emrat që do të performojnë por edhe në organizim?
Sigurisht festa nga viti në vit ka shtuar suksesin dhe është duke u rritur në çdo dimension të sajin. E veçanta do jetë “Beer bike”, që është një biçikletë e madhe me 10 vende pedalimi, që do të jetë në shërbimin e birrës natyrisht. Por ndërkohë “Beer Bike” bën edhe një guidë në bulevardet kryesore të qytetit dhe kjo do shtojë edhe më tepër atmosferën e festës. Do ketë edhe një tjetër risi këtë vit, që do jetë këndi i kuzhinës VIP. Do jetë Kastro Ziso, ai i cili do të gatuajë produkte të ndryshme për personazhet VIP, që do jenë të ftuar në këtë festë. Natyrisht do ketë edhe aksesorë të tjerë, do jetë edhe kampionati i fluturimeve të lira. Anëtarët e këtij klubi po bëjnë promocion për Festën e Birrës, duke hedhur fletushka në plazhe.
Çfarë vendi do të zërë birra “Korça” në këtë festë?
“Birra Korça” është pa dyshim mbretëresha e kësaj feste dhe, pa ngjallur xhelozi për birrat e tjera, nëse nuk do ishte birra “Korça”, nuk do ishte dhe ideja e Bashkisë për të realizuar këtë festë. Festa e Birrës natyrisht që e ka motivin nga birra “Korça”, birra e parë shqiptare, me një cilësi të shkëlqyer dhe ne krenohemi me të. Atje ka dhe birra të tjera, por kjo birrë do ketë vendin kryesor në këtë festë.
Çfarë synon Bashkia e Korçës me këtë event dhe a ia keni arritur deri diku të realizoni atë që keni synuar?
Qëllimi ynë është i qartë tashmë dhe multidimensional do të thosha. Së pari, ne duam të mos lëmë të harrohet tradita e kulturës së birrës. Korça e ka traditë të hershme, e cila e ka fillin e saj pikërisht me lindjen e birrës “Korça” prej vitit 1928. Që në atë kohë nisi dhe e ashtuquajtura kultura e birrës. Tashmë prej një shekulli, dhjetëra familja korçare çdo pasdite shijojnë produktet autentike korçare në veçanti birrën “Korça”. Ne duam jo vetëm të rikthejmë këtë traditë, por dhe të gjallërojmë ekonominë, apo për t’i dhënë një dorë turizmit në vendin tonë. Kjo është festa më e madhe në Shqipëri. Sot hoteleritë në Korçë janë të tejmbushura, prenotimet janë mbyllur prej dy javësh dhe vështirë se gjen vend gjatë ditëve të festës.
Sa është kostoja e festës?
Më pëlqen kjo pyetje, se ka shumë persona që priren të shohin jo vetëm të bukurën dhe pozitiven, por bëjnë dhe kritikën. Kështu dua t’i qetësoj që Bashkia shpenzon një shumë modeste prej 600 mijë lekësh nga buxheti i saj. Pa dyshim që kostoja e saj është 10-fish më e madhe, por organizimi i saj bëhet nga sponsorizimet apo edhe nga tarifat e hapësirave që zënë në këtë festë bizneset.
Artistët që do të performojnë në 5 netët e festës
E mërkurë: Fenix Band, Portokalli Show, Eneida Tarifa, Elton Deda, Renis
Gjoka Band
E enjte: Mateus Frroku, Alban Skënderaj dhe The Voice of Albania Band,
Grupi NA
E premte: Bledi Polena, Eltina Minarolli, The Pumpers Band, Altin Goci
Band
E shtunë: Grupet angleze – The Good Natured Band, The Goaler’s
Doughter Band, Devis Xherahu, Redon Makashi, Top Show Band
E diel: Niki & Flori, Vëllezërit Prifti, Dren Abazi & Zig-Zag Orchestra,
Eugent Bushpepa Band
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











