Eurodeputetët e majtë dhe të djathtë në Parlamentin Europian apelojnë për zgjedhjen e një Presidenti konsensual
Kukan: Por nëse s’është e mundur do zgjidhet ai që merr më tepër vota
Eurodeputetët e majtë dhe të djathtë në Parlamentin Europian apelojnë për zgjedhjen e një Presidenti konsensual në muajin korrik. Eduard Kukan, kryetar i Partive Popullore Europiane, deklaroi gjatë një interviste për “AS” se forcat politike duhet të tentojnë gjetjen e një emri të pranuar nga të dyja palët. Ndër opsionet që ofrojnë ndërkombëtarët në rastet e mosarritjes së një emri konsensual është edhe vota e popullit. Për Eduard Kukan, qytetarët votojnë dhe fiton ai kandidat që merr më shumë vota. “Do të ishte një gjë shumë e mirë ose ideale që Presidenti të zgjidhej me konsensus, sepse ai është President i gjithë vendit, i mbështetësve të qeverisë dhe i mbështetësve të opozitës. Pra, është e preferueshme që të zgjidhet President një person që do t’i përmbushte këto kushte. Por, në qoftë se nuk është e mundur të arrihet konsensusi, atëherë njerëzit votojnë dhe ai që merr më shumë vota, ai është fituesi. Votimi nuk është konsensus, zgjedhja nuk është konsensus. Pra, le të jemi realistë dhe të presim që partitë politike shqiptare të bien dakord për një kandidat, i cili të mund të zgjidhet me shumicën e votave”, tha Eduard Kukan, kryetar i delegacioneve të PE-së. Konsensusi
Kryetari i socialdemo-kratëve në Parlamentin Europian, Hanes Svoboda, shprehet se zgjedhja e Presidentit duhet të ndjekë trajektoren e paktit maxhorancë-opozitë për votimin e reformave integruese. Eurodeputeti Svodoba shprehet se zgjedhja e kreut të shtetit duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e vendit, por në të njëjtën kohë të jetë një individ që të bashkojë votat e demokratëve dhe socialistëve. “Unë mendoj se Kushtetuta është njëra anë, dhe sigurisht që ajo duhet të respektohet. Por nga ana tjetër, ajo që i duhet Shqipërisë sot është jo vetëm të respektojë Kushtetutën, por edhe të arrijë një konsensus për zgjedhjen e Presidentit. Pra, Presidenti duhet të bashkojë forcat e ndryshme, sepse ai duhet të ketë si mbështetjen e qeverisë, ashtu edhe atë të opozitës”, pohoi Svoboda. Konsensusi, sipas kryetarit të socialdemokratëve në PE, është i mundur duke marrë parasysh dhe miratimin në Parlament të ligjeve me tre të pestat e votave. Ndërkombëtarët vazhdimisht kanë këshilluar klasën politike që zgjedhja më e mirë do të ishte një kandidaturë e mirëpëlqyer nga e majta dhe e djathta.
Rama: Jo koalicion me LSI, janë hajdutë që hanë djathtas
Kreu i PS, Rama
Kryetari i opozitës, Edi Rama, mohoi dje kategorikisht bashkimin e Partisë Socialiste me ata që i quajti “hajdutë që hanë djathtas”, duke etiketuar kështu Lëvizjen Socialiste për Integrim. Deklaratat e shefit të opozitës erdhën gjatë takimeve me emigrantët në Athinë, ku Rama promovoi dhe librin “Kurban”. “Ne jemi angazhuar t’i japim Shqipërisë një lidership të ri. Kjo është e mundur, duke filluar nga programi ynë i ri. Ftojmë shqiptarët kudo ku ata janë të bëhen pjesë e asaj që ne e quajmë “Rilindja Shqiptare”. Në këtë nismë ftohen të gjithë ata që aspirojnë një të ardhme më të mirë,”, deklaroi Rama. Kreu i PS-së ftoi emigrantët të marrin pjesë në diskutimet e Partisë Socialiste për programin e ri, duke filluar nga programi për emigrantët: “Do të ndërtojmë stacione takimi ku mund të flasim dhe ku mund të marrim përsipër gjëra që mund të bëjmë dhe jo të premtojmë gjëra që nuk mund t’i realizojmë”, u shpreh ai. “Shqiptarët janë kokulur, sepse ata që i përfaqësojnë i kanë detyruar ta bëjnë këtë. Po kuptojmë përse na lanë jashtë Europës. Ndodhemi në një udhëkryq tepër të rrezikshëm. Mjafton të shikojmë sulmet që kryetari i qeverisë ndërmerr ndaj Prokurores së Përgjithshme për të kuptuar se ku po e çojnë ata vendin”, theksoi Rama. Kryetari i PS-së, nga Athina akuzoi ashpër qeverinë se ka braktisur brezat e rinj. Ai kujtoi rastet e kampionëve olimpikë, të cilët detyrohen të lënë vendin dhe të konkurrojnë nën flamujt e vendeve të tjera, sepse vendi ynë nuk mund t’u ofrojë as kushtet minimale të jetesës. Rama i ka ftuar emigrantët të jenë prezentë në proceset e zhvillimit të vendit. Po ashtu, një ftesë konkrete dhe direkte ka bërë Edi Rama kur u tha emigrantëve të vijnë masivisht për të votuar në Shqipëri, pasi siç tha ai, “në këtë mënyrë nuk mund të vidhet vota”.
Klosi: Të përgatitemi për zgjedhje të parakohshme
Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Pandeli Majko, i deleguar në qarkun e Dibrës, nuk ka marrë pjesë në zonën elektorale që u caktua nga Asambleja Kombëtare e PS-së. Sekretari i Organizativ i PS-së, Blendi Klosi, së bashku me dy deputetët, Sadri Abazi dhe Qemal Minxhozi, ka bërë prezantimin e strukturave të reja në qarkun e Dibrës. Në takimin me elektoralin e majtë, sekretari Organizativ u bëri thirrje strukturave të përgatiten, pasi viti 2012 mund të jetë një vit zgjedhjesh të parakohshme. Klosi pohoi se PS-ja duhet të jetë e gatshme për të qeverisur vendin, pasi Kryeministri aktual po bie. “Zgjedhjet e reja politike mund të mbahen këtë vit, kësaj nuk i dihet. Ne duhet të jemi të përgatitur për të qeverisur vendin. Dihet se Berisha nuk e lëshon lehtë pushtetin, por ky pushtet i ka bërë shumë të këqija vendit. Ne jemi një strukturë e organizuar mirë dhe i kemi të gjitha mundësitë për t’i fituar këto zgjedhje në të gjithë vendin”, deklaroi Klosi. H.P