Në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian sot do të diskutohet për Raportin për Kosovën, ndërsa të martën në mëngjes do të votohet për këtë Raport, si dhe për qindra amendamente që janë paraqitur rreth këtij Raporti. Diskutimi i parë për këtë Raport ishte zhvilluar që në muajin nëntor të vitit të shkuar, ndërsa në mesin e dhjetorit ishin paraqitur mbi 200 amendamente nga deputetët e ndryshëm.
Në këtë Raport të paraqitur nga raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunacek, që është në formën e mocionit për rezolutë, Parlamenti Evropian pritet që qartë të refuzojë çfarëdo mundësie për ndarje të Kosovës, duke rikujtuar edhe në rezolutat e mëparshme të këtij Parlamenti, ku një ide e tillë ishte hedhur poshtë. Parlamenti Evropian vazhdon të jetë institucioni i vetëm i BE-së i cili e trajton Kosovën si shtet të pavarur, megjithëse nga diplomacia serbe janë shtuar presionet që ky trajtim të ndryshojë dhe që Parlamenti, ashtu siç bëjnë Këshilli dhe Komisioni, të ketë një qëndrim „neutral ndaj statusit“, që do të thoshte të mos e trajtojë si shtet.
Por Raporti do të jetë mjaft kritik ndaj Kosovës, po ashtu duke rikujtuar në parregullsitë në zgjedhje dhe mosdënimin e përgjegjësve, dhe këtu përmenden fjalë të qarta „mashtrime dhe parregullsi serioze“ e jo fjalë diplomatike si „mangësi“, që përmendet nga disa zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë. Kritikat e Parlamentit Evropian për mashtrime në zgjedhje duhet të merren seriozisht, sepse Parlamenti Evropian ishte i vetmi institucion i BE-së i cili kishte vëzhguesit në terren në Kosovë kur u regjistruan këto parregullsi.
Në pikën 4 të këtij dokumenti thuhet se Parlamenti është „i shqetësuar për parregullsitë serioze gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare; thërret për dënime të shpejta dhe adekuate të kryesve të këtyre mashtrimeve, përfshirë zyrtarë lokalë zgjedhorë, në mënyrë që të hiqet kultura e pandëshkueshmërisë, që ul besimin e shoqërisë në legjitimitetin e institucioneve shtetërore“, thuhet në këtë dokument dhe u bëhet thirrje edhe qeverisë, edhe opozitës që të angazhohen në vazhdimin e shpejtë të punës në reformat zgjedhore dhe kushtetuese, ashtu siç iu ishte premtuar elektoratit pas zgjedhjeve. Po ashtu, duke rikujtuar se “mediet e forta dhe të pavarura janë themele të demokracisë“ kritikohet edhe vazhdimi i ndërhyrjes politike në media dhe këtu përmend ndër metodat edhe „përdorimin selektiv të shpalljeve dhe reklamave shtetërore“. Kërkohet nga Qeveria që të angazhohet më seriozisht në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe ky bashkëpunim të marrë formë të strukturuar në mënyrë që të shfrytëzohen përparësitë e një bashkëpunimi të tillë. Posaçërisht nënvizohet „rëndësia e OJQ-ve në monitorimin e aktiviteteve të autoriteteve shtetërore,posaçërisht në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe ndërtimin e raporteve ndëretnike“, thuhet në draftrezolutë.
Në këtë Raport, duke rikujtuar se pavarësia e Kosovës është njohur nga „87 shtete“ deri me tash, përfshirë edhe 22 anëtare të BE-së, thuhet se „do të mirëpritej njohja e pavarësisë nga 5 shtetet e mbetura të Bashkimit Evropian“. Në pjesën ku flitet për rolin e BE-së në Kosovë dhe perspektivën evropiane të Kosovës në këtë draftrezolutë përkujtohet se „Strategjia e BE-së për ta bërë perspektivën evropiane të prekshme edhe për Kosovën nuk ka qenë e suksesshme deri më tash dhe pak rezultate janë arritur“. Nga EULEX-i kërkohet të bëjë më shumë për të kryer punën edhe në pjesë të ndjeshme të Kosovës në kushte krize, sikur është rasti me zhvillimet në veri të Mitrovicës.
Me të po ashtu „i bëhet thirrje Qeverisë së Serbisë që të shpërbëjë strukturat paralele në territorin e Kosovës“. Sa i përket zgjidhjes së situatës në veri, Parlamenti është i mendimit se ajo duhet të gjendet përmes negociatave dhe zbatimit të Pakos së Ahtisaarit, zbatimi i së cilës, sipas këtij Raporti, „do t’u siguronte serbëve një autonomi të gjerë“.
Ruajtja e mjedisit ka gjetur vend po ashtu në këtë dokument prej 6 faqesh dhe Parlamenti Evropian ripërsërit thirrjet për „mbyllje të menjëhershme të termocentralit ‘Kosova A’ dhe që një sasi më e madhe e energjisë të vijë nga burimet alternative, duke pasur parasysh mbylljen sa më të shpejtë edhe të ‘Kosovës B’ (Koha Ditore)
© Panorama.al











