
Pas një muaji fushate zgjedhore, nga Tropoja në Konispol, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet mbylli mbrëmë fushatën në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, të mbushur me flamuj kuqezi, sikurse e nisi një muaj më parë. Duke bërë një retrospektivë të programit të PDIU-së, lideri i kësaj force politike, Shpëtim Idrizi, bëri thirrje që të votohet këtë herë për një parti të re, që ka mbështetës kudo në Shqipëri dhe që ka në thelbin e vet çështjen kombëtare. “Siç e keni vënë re, sot, dy partitë e mëdha po vazhdojnë të debatojnë nëse këto zgjedhje janë administrative apo politike. Ne, si PDIU, themi se janë edhe administrative, edhe politike. Janë administrative sepse të zgjedhurit në mandatin e tyre të ri do t’i përkushtohen fatit të bashkësive lokale, jetës së këtyre bashkësive. Janë politike, sepse prej këtyre zgjedhjeve varet integrimi i vendit, forcimi i kombit shqiptar në garën me kombet e tjera të rajonit. Janë politike, sepse nga forcimi ynë si PDIU sot nga këto zgjedhje varet pesha jonë në institucionet kryesore nesër. Ndaj unë sot ju kërkoj votën juve familjarëve, juve pensionistëve, ju të rinjve që do të votoni për herë të parë, kujtdo, nga Jugu në Veri, që dëshiron të provojë një forcë të re: votoni PDIU-në!”, theksoi Idrizi. Sipas tij, PDIU bëri një fushatë moderne, ku nuk shau askënd dhe ku foli vetëm për kombin, për dinjitetin e shqiptarit, për shtimin e mirëqenies së tij nëpërmjet bashkimit ekonomik kombëtar. “Ne nuk u ngjamë të tjerëve. Ne treguam qartësisht se PDIU nuk është partia e një grupi popullsie, parti krahinore, por parti e kauzës kombëtare, parti e të gjithë shqiptarëve”, tha Idrizi, i cili u mbështet më pas edhe nga Presidenti i Nderit i PDIU-së, Tahir Muhedini. Ai kërkoi bashkimin e të gjithë shqiptarëve rreth kësaj partie, si një kontribut për zgjidhjen e çështjes kombëtare dhe të çështjes çame.











