Nëse drita e një analize të ftohtë, si të qe një rreze katodike, do të na lejonte të tejkëqyrnim rezultatin e votës popullore të dalë nga këto zgjedhje, pjesa më e brendshme dhe vitale e fitores së gjerë të koalicionit qeverisës, pa dyshim janë aleancat e goditura të tij. Po, nëse koalicioni me LSI ishte tashmë një gjë e qartë, edhe pse rezultati i tij në elektorat, për shumë arsye, qe një e panjohur, ai me PDIU jo vetëm testonte për herë të parë funksionimin e kësaj force të re e të sapokrijuar politike brenda koalicionit, por edhe gjithë organizimin e saj kapilar në të gjithë Shqipërinë, përballë pëlqimit apo miratimit popullor. Gjithsesi, shtysa për një analizë të tillë nuk vjen parësisht nga dëshira për të matur apo peshuar sprovën që kjo parti i bëri elektoratit të vet dhe, për më tepër, shtrirjes në të gjithë hapësirën dhe territorin kombëtar. Përkundrazi, është rezultati i saj i bujshëm ai që na detyron ta vlerësojmë atë në dy rrafshe. Në rrafshin e koalicionit, ky rezultat merr një vlerë të qenësishme për ardhmërinë e maxhorancës, pasi është përtej rritjes së saj të fortë (në diferencë votash nga zgjedhjet e shkuara nga 100 mijë në 140 mijë), akoma dhe më i madh se kjo diferencë. Kjo provon se një rritje e tillë në pjesën e saj të luanit i takon kësaj partie. Por, edhe në rezultatin e saj në vetvete, ajo tregon se përbën shtyllën kryesore të mirëvajtjes së maxhorancës. Diçka e tillë përforcohet nga risia e ngjitjes kaq të shpejtë e të fortë të një elektorati në një periudhë shumë të shkurtër kohore. Madje, është pikërisht kjo periudhë e shkurtër kohore ajo që e bën akoma dhe më të vlertë e plot perspektivë ardhmërinë e saj në gjirin e maxhorancës. Diçka e tillë nuk ka ndodhur ndonjëherë në politikën shqiptare, por, gjithsesi, përtej shifrave dhe statistikave, kjo gjë kërkon edhe një tejçim sociologjik e, pse jo, edhe nga pikëpamja kombëtare. Vijmë kështu në rrafshin e dytë të trajtesës. E etiketuar si një parti e një elektorati të caktuar (atij çam) dhe e një gjeografie të pozicionuar në zonat ku gjendet ky komunitet, jemi të detyruar edhe njëherë të surprizohemi, derisa harta e saj e shtrirjes së votave arrin deri në Tropojë. Atëherë, mos vallë diçka tjetër josh dhe frymëzon elektoratin shqiptar në qasjen ndaj kësaj partie? Natyrshëm i vihet merita e gjithë kësaj arritjeje edhe kandidaturave të mira e të vlerësuara që u zgjodhën me kujdes nga ana e drejtuesve të saj. E, në të tilla zgjedhje, kjo është shumë e rëndësishme, pasi krahasuar me disa qarqe, edhe vetë pjesët e tjera të koalicionit nuk patën kujdesin dhe selektivitetin skrupoloz që tregoi ky organizëm partiak. Megjithatë, ka shumë gjasa që një rol të themelor të ketë luajtur edhe shtylla bazë e fushatës së saj elektorale, ose dhe vetë sigla e saj, që i vendoste një theks të madh identitetit dhe krenarisë kombëtare.
Të kesh lavdi të përbashkëta në të shkuarën dhe një vullnet të përbashkët në të tashmen, të kesh bërë gjëra të mëdha së bashku e të dëshirosh të bësh akoma dhe më shumë në të ardhmen, ja, këto janë kushtet thelbësore që formojnë një komunitet unik e, pse jo, edhe një popull. Ndoshta ky qe dhe sfondi që frymëzoi edhe elektoratin e kësaj partie. Nëse do ta përthyenim këtë pohim në të famshmin përkufizim të Renanit, mund të shihnim se krijesa që do të shëmbëllehej do të kishte emrin e një “plebishiti të përditshëm”. Ideja se konsiston në një “plebishit të përditshëm” ushtron mbi njerëzit një efekt të fortë çlirues. E gjithë veprimtaria e kësaj partie, e fokusuar vazhdimisht në pikat e nxehta të marrëdhënies me fqinjët, me problemet e të drejtave të popullsisë çame, mbi racizmin dhe trajtimin e saj jo të barabartë, mbi çështjet e detit, të varrezave, ndërrimit të kombësisë apo dhe regjistrimit të popullsisë, ndoshta kanë qenë pikërisht ajo çka kërkonte një pjesë e elektoratit shqiptar, përtej atij çam; ndoshta ato rezultuan të qenë copëzat e atij mozaiku të “plebishitit të përditshëm”, që shfaqi qartë identitetin e kësaj partie e që duhet ruajtur i pastër, i qartë dhe i pacenuar edhe në të ardhmen. Do të qe naivitet po të mos e nëpër dukje këtë gjë. Vërtet, nuk është patriotizmi ai që i ka krijuar kombet, përkundrazi ja se ç’rijehon gjithmonë nga fraza e Renanit: “Kombi, si një program i mrekullueshëm për të sotmen”.
Kjo është qasja bazë nëse shqyrtojmë edhe në një rrafsh të përgjithshëm pjesët më vitale të një kombi të kompozuar nga këta dy përbërës: së pari, një plan të jetës së përbashkët në bazë të një ndërmarrjeje të përbashkët; së dyti, mbështetjen e njerëzve ndaj kësaj ndërmarrjeje joshëse. Ndoshta këto ka arritur të godasë në shenjë politika dhe fushata e kësaj partie, derisa ka arritur të marrë aq shumë vota në gjithë elektoratin shqiptar. Ndoshta kjo është dhe pikënisja e madhe e gjithë politikës së saj në të ardhmen, sepse edhe nga ana sociologjike dhe politike, është e qartë se një komb s’është kurrë i formuar përfundimisht, madje në këtë pikë ai ndryshon edhe tipat e ndryshëm të shteteve. Kombi është gjithmonë ose në proces formimi, ose në proces shformimi. Po njëlloj edhe “plebishiti i tij i përditshëm” ndaj një ndërmarrjeje të përbashkët ose është duke fituar mbështetës, ose duke i humbur ato, në varësi të mënyrës se si shteti përfaqëson apo jo aspiratën e tyre në një periudhë të caktuar të kësaj ndërmarrjeje jetësore.
Të vijojë në një politikë të tillë garantimi ndaj shtetit dhe maxhorancës për çështje të rëndësishme jo vetëm të komunitetit të vet, por edhe të vetë kombit në tërësi, besoj është rruga e sigurt e një apoteoze plebishitare të elektoratit shqiptar në të ardhmen, çka në panoramën e sotme politike, kjo parti duket ta mbartë dhe përthithë më mirë me aktivitetin dhe programin e saj. Tek e fundit, kjo do të qe një ardhmëri e vlertë edhe për vetë patriotizmin e mirëpeshuar të shqiptarëve, që s’ka pse mungon aspak, ashtu si dhe i të gjitha kombeve të tjera, e s’ka pse të ngatërrohet aspak me nacionalizmin, apo gjithfarëlloj iz-mash me konotacione negative që i vishen këtij qëndrimi.
© Panorama.al












