Spahiu: Të hapen dosjet e politikanëve spiunë

Jan 28, 2012 | 13:03

TIRANE- Drejtuesi i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu tha sot se ngritja e Komisionit Hetimor për shkarkimin e tij nga posti i nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë provoi publikisht aleancën e Partisë Demokratike me Vangjel Dulen dhe me Athinën.

Komentet, Spahiu i bëri gjatë një aktiviteti të Lëvizjes Rinore Kuq e Zi, ku shtoi se, votat me Athinën u bashkuan tri herë; një herë për kufirin ujor, herën e dytë për kombësinë dhe herën e tretë për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së.

Spahiu akuzoi politikën për tradhti, duke thënë se “për të mbajtur një kolltuk, janë të gatshëm t’i shtrijnë dorën çdo kujt, edhe atyre që i kanë poshtëruar shqiptarët.”

Pa nacionalizëm demokracia është në rrezik, tha ai.

“Lidershipi i krokodilit nuk sfidon dot Kuq e Zinjtë”, tha Spahiu duke artikuluar edhe njëherë idenë për hapjen e dosjeve të politikanëve spiunë.

© Panorama.al

Te lidhura