PD, kërkesë në KQZ si PS për zgjedhjet e 2009

May 28, 2011 | 11:30

Partia Demokratike i kërkon KQZ-së të rivlerësojë dhe rinumërojë votat e kontestuara, të hedhura në kutitë e Këshillit Bashkiak të Tiranës në zgjedhjet e 8 majit.Në minutat e fundit të ditës së enjte, kur përfundonte afati për t’u ankimuar ndaj vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit të Bashkisë së Tiranës, demokratët kanë dorëzuar një kërkesë ankimore në zyrën e protokollit me numër 4704. Në këtë kërkesë janë listuar 26 qendra votimi, ku sipas demokratëve, në procesverbalet e secilës prej tyre ka informacion se ndodhet zarfi i fletëve të votimit me vota të kontestuara që duhet të numërohen. Në total, sipas PD-së, janë 403 vota që nuk janë pasqyruar në tabelën përfundimtare të Bashkisë së Tiranës.
Kërkesa
Në kërkesën ankimore demokratët i referohen nenit 138, në pikën 3 të të cilit thuhet se KQZ-ja mund të rinumërojë dhe të rivlerësojë votat e caktuara nëse e çmon se ky veprim është i nevojshëm për dhënien e vendimit. Në të njëjtin nen mbështeteshin edhe dy anëtarët e majtë të KQZ-së në vitin 2009, Dëshira Subashi dhe Artan Lazaj, kur kërkonin rivlerësimin dhe rinumërimin për disa qarqe, kërkesë kjo që u hodh poshtë nga demokratët. Sipas PD-së, “aktualisht ne vlerësojmë se në këtë fazë është me vend dhe me rëndësi për t’i shtuar legjitimitetin dhe besimin e duhur publik procesit zgjedhor në Tiranë, që edhe këto vota të kontestuara dhe të identifikuara për kandidatët e Bashkisë së Tiranës të merren, këqyren, të vlerësohen, rinumërohen dhe të reflektohen në rezultat për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Kjo mundësi është tërësisht ligjore, e mbështetur në dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe në jurisprudencën e zhvilluar nga ana e Kolegjit Zgjedhor, si dhe unifikon në mënyrë të njëtrajtshme me vlerësimin e votave në përputhje me kriteret e përcaktuara nga Kodi Zgjedhor”. Përfaqësuesi i PD-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Njazi Kosovrasti, sqaroi për gazetën se pjesë e kërkesës nuk do të jenë kutitë e njësive bashkiake dhe këshillave të minibashkive që janë hapur gjatë fazës së parë nga KQZ-ja. Për të argumentuar kërkesën ankimore lidhur me votat e kontestuara, PD-ja i referohet një vendimi të vitit 2009 të Kolegjit Zgjedhor, që flet për “votat e caktuara”. Në këtë vendim thuhet se në procesin e vlerësimit të votave, është kategoria e votave të kontestuara ajo për të cilën subjektet zgjedhore mund të paraqesin pretendime para autoritetit më të lartë administrativ në rrugë hierarkike (KQZ) dhe më tej përpara gjykatës. Në fund të kërkesës ankimore PD-ja bën kujdes të sqarojë se objekt i saj nuk janë ato kuti ku për faj të administratës është votuar me gjithë kundërfletë. “Në këtë kërkesë ankimore vëmë theksin në mënyrë të veçantë se nuk kërkojmë këqyrje, rivlerësim, rinumërim të fletëve të votimit në të gjitha ato qendra votimi ku ka të dhëna të dokumentuara se ka vota të kontestuara për shkak se janë gjetur me kundërfletën bashkëngjitur. Fleta e votimit me kundërfletë, vlerësojmë se ka ardhur nga defekte në menaxhimin dhe punën e administratës zgjedhore të nivelit të parë, dhe aspak për shkak të shprehjes së paqartë të vullnetit nga ana e zgjedhësve. Në çdo rast ato janë shpallur të vlefshme dhe janë kalkuluar në rezultat”, thuhet më tej në kërkesë.

Baza ligjore e kërkesës

Neni 138, pika 3
KQZ, me kërkesë të palëve ose kryesisht, kur çmon se për dhënien e vendimit është i nevojshëm rinumërimi dhe/ose rivlerësimi i votave të caktuara, kryen, në praninë e palëve, rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave dhe pasqyron përfundimin në procesverbalin e mbledhjes së KQZ-së dhe vendimin përkatës të saj. Në rast se kërkesa për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të caktuara bëhet nga dy anëtarë të KQZ-së, ajo është e detyruar të bëjë rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të kërkuara.

Kutitë që kërkon PD të hapen

Njësia bashkiake           Qendra e Votimit          Nr. i votave
Njësia 3             QV 1773        2
Njësia 5             QV 1835        2
Njësia 5             QV 1842        6
Njësia 5             QV 1844        16
Njësia 5             QV 1845        6
Njësia 5                        29
Njësia 5             QV 1847        10
Njësia 5             QV 1850/2        4
Njësia 8             QV 1926/1        7
Njësia 8             QV 1930        57
Njësia 8             QV 1931        5
Njësia 8             QV 1933        51
Njësia 8             QV 1936        5
Njësia 8             QV 1939        1
Njësia 8             QV 1941        1
Njësia 8             QV 1942/1        4
Njësia 8             QV 1941        3
Njësia 8             QV 1944         19
Njësia 8             QV 1944/1        17
Njësia 8             QV 1945        10
Njësia 8             QV 1923        5
Njësia 8             QV 1924        5
Njësia 9             QV 1963        69
Njësia 9             QV 1962         15
Njësia 9             QV 1969        6
Njësia 9             QV 1977        48

PD: S’duam 200 votat me kundërfletë për Ramën
Në një deklaratë për shtyp të zëdhënëses së PD-së thuhet se nga numërimi i votave të kontestuara nuk ndryshon rezultati. Sipas Mustafarajt, “PD ka vendosur të përjashtojë nga kërkesa për rivlerësimin e votave në dy kuti votimi, ku z. Rama ka fituar me më shumë se 200 vota, por që të gjitha fletët e votimit në këto kuti ishin hedhur së bashku me kundërfletët, duke mbajtur si kriter themelor të vlefshmërisë së votës shprehjen e qartë të vullnetit të zgjedhësit”.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura