PD: Rama do anulimin e lëvizjes së lirë

Jun 4, 2012 | 13:41
Komisioni i sigurise

Partia Demokratike ka hedhur poshtë peticionin e dorëzuar një ditë më parë nga 17 krerët e bashkive dhe komunave të majta, për të shfuqizuar moratoriumin e skafeve. Me anë të zëdhënëses Silvi Bardhi, demokratët i quajtën absurde pretendimet e vendorëve të opozitës, se moratoriumi i skafeve ka penguar zhvillimin e turizmit detar. Zëdhënësja e PD-së akuzoi socialistët se duan të rikthejnë regjimin e vizave dhe tragjeditë detare, si ajo e Otrantos, vetëm për të pasuruar një grusht pushtetarësh që disponojnë mjete lundruese. “Partia Demokratike denoncon dhe hedh kategorikisht poshtë këtë qëndrim të z.Rama e krerëve të tjerë të Partisë Socialiste me të cilin, për interesa të pasurimit të pushtetarëve të saj me paratë e pista të trafiqeve kriminale, kërkojnë të anulojnë lëvizjen e lirë e të rikthejnë vizat për qytetarët e thjeshtë shqiptarë, ta rikthejnë sërish Otranton në varrezën e zezë të të rinjve shqiptarë. Shqipëria dhe qytetarët e saj kanë nevojë për reforma që i afrojnë me Bashkimin Europian dhe jo trafiqe e skafe që i largojnë nga Europa”, deklaroi dje zëdhënësja e PD-së. Demokratët kanë renditur disa nga arsyet pse qeveria nuk pranon që të heqë dorë nga moratoriumi i skafeve dhe pikë parësore për ta mbetet lufta ndaj kriminalitetit dhe trafiqeve. “Në Shqipëri, skafet si flotilje e krimit të organizuar dhe trafiqeve i kanë shërbyer vetëm pasurimit të grupeve kriminale dhe mbrojtësve të tyre, pushtetarëve që i mbështesin dhe jo qytetarëve. Pretendimi se ndalimi i skafeve ka dëmtuar turizmin në qytetet e qeverisura nga socialistët është sa absurd, aq edhe qesharak. E vërteta është se pas ndalimit të skafeve, numri i turistëve në këto qytete jo vetëm që nuk është ulur, po është rritur me rreth 15 herë. E në shkallë vendi, ky numër është rritur me 13 herë dhe konkretisht Shqipëria priti vitin e kaluar mbi 4 milionë turistë e vizitorë, kundrejt vetëm 300 mijë që ajo priti në vitin 2004. Moratoriumi i skafeve bëri të mundur avokatin e shkëlqyer nga fqinjët tanë, madje garancinë e tyre për heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë në mbarë Europën për qytetarët shqiptarë. Sigurisht që për disa pushtetarë, që vetë lëvizin me pasaporta diplomatike, lëvizja e lirë e qytetarëve nuk ka rëndësi, madje mirë është që ajo mundësisht të anulohet, sepse përbën një sukses të qeverisë së kësaj maxhorance”, deklaroi dje zëdhënësja e Partisë Demokr-atike, Silvi Bardhi.

© Panorama.al

Te lidhura