
Partia Demokratike dhe Partia Socialiste vendosin të mos ndryshojnë sistemin zgjedhor. Komisioni i Reformës Zgjedhore ka miratuar dje axhendën e punës për tre muajt e ardhshëm, pjesë e së cilës janë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, por jo kërkesat e partive të vogla për ndryshimin e sistemit elektoral në proporcional kombëtar me korrigjim të votës. Axhenda e punës ka shkaktuar debate në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Reformës, çka ka pasuar dhe acarimin e toneve me përfaqësuesit e partive të vogla. Sipas burimeve mësohet se PD dhe PS, me konsensus, kanë refuzuar të përfshijnë në axhendën e punës kërkesat e paraqitura nga Partia Republikane dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.
Debati
Lënia jashtë e kërkesës kryesore të partive të vogla ka bërë që Fatmir Mediu dhe Vangjel Tavo të largohen më parë nga punimet e Komisionit të Reformës Zgjedhore. I kontaktuar në telefon, nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Tavo, deklaroi se demokratë dhe socialistë, në dakordësi të plotë, i “mbyllën derën” ndryshimit të sistemit. “Komisioni i Reformës Zgjedhore, që duhet të ishte konsensual, është kthyer në një variant bipartizan. Ata kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe po përsërisin precedentin e vitit 2009. I njëjti skenar që dy forcat po sjellin një draft përfundimtar dhe nuk po marrin parasysh kërkesat tona. Drafti vjen i parapërgatitur nga dy forcat politike”, deklaroi Vangjel Tavo. Bashkëkryetari i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, theksoi se kërkesa për ndryshimin e sistemit do të shqyrtohet në një fazë të dytë, pasi do të duhet arritja e një konsensusi më të gjerë politik. “Partitë e vogla kanë interes ndryshimin e sistemit zgjedhor. Por, Komisioni nuk mund të mbajë peng punën për çështjet e tjera që janë po aq imediate, që kanë të bëjnë me standardet zgjedhore. Në axhendë janë përfshirë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it që kanë të bëjnë me problemet që kemi hasur në sistemin zgjedhor”, theksoi Gjiknuri. Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, deklaroi se nuk do të marrë pjesë në mbledhjet e tjera të Komisionit të Reformës Zgjedhore nëse nuk do të përfshihet në axhendën e punimeve ndryshimi i sistemin elektoral.
Kalendari
Të vegjlit i druhen faktit se mospranimi i kërkesave të tyre dhe mbyllja e axhendës tremujore korrespondojnë me përfundimin e mandatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Sipas Vangjel Tavos, Komisioni po keqpërdor partitë e vogla. “Nuk duhet të përdoren partitë e vogla si fasadë dhe për t’i thënë OSBE/ODIHR-it që në tryezë ishin të pranishëm dhe partitë e vogla. Uroj që kjo dashuri midis PD-së dhe PS-së të mos jetë si në 2009-n, ku më pas kjo ‘dashuri e madhe’ solli një problem shumë të madh dhe të këqija me pasoja sociale”, pohoi Tavo.
propozimi
Komisioni i Reformës Zgjedhore ka caktuar datën 20 dhjetor për realizimin e konsultimit me partitë joparlamentare që kanë marrë 1% të votave në lokalet e 2011-s. Po ashtu, brenda kësaj date do të realizohen konsultat me KQZ-në, Ministrinë e Brendshme dhe OJF-të që monitorojnë zgjedhjet.
PLANI I PUNËS I KOMISIONIT TË REFORMËS ZGJEDHORE
1. Regjistrimi i subjekteve e kandidatëve – (dhjetor 2011)
2. Fushata zgjedhore – (dhjetor 2011)
3. Media në fushatën zgjedhore – (dhjetor 2011)
4. Financimi i zgjedhjeve – (dhjetor 2011)
5. Regjistrimi i zgjedhësve – (janar – mars 2012)
6. Procedurat e votimit – (janar – mars 2012)
7. Numërimi i votave – (janar – mars 2012)
8. Nxjerra dhe shpallja e rezultatit – (janar – mars 2012)
9. Administrata zgjedhore – (janar – mars 2012)
10. Procesi i ankimit – (janar – mars 2012)
FATION BINJAKU
© Panorama.al











