PD-PS, Negociatat e ambasadorëve

May 13, 2011 | 9:57

Është dashur sërish ndikimi i ambasadorit amerikan, pak më pak i atij të BE, që Tirana të shm-angte ndonjë përplasje të fortë jo vetëm politike.Afrimi i votave të fundit, bllokimi i votimit i dha ditës së djeshme tiparet e ditës finale mes dy forcave politike. Shkëndijën e parë të një dite të zjarrtë e dha Erion Braçe, që në orët e para të mëngjesit. Pasi akuzoi ashpër maxhorancës për bllokimin e numrit në Njësinë 5 në Tiranë, Braçe etiketoi me një gjuhë të përzier me zhargon rruge, deputetin Genc Ruli, Bashën dhe disa eksponentë të tjerë të PD. Por përveç gjuhës jashtë politike, thirrja e Braçes nga selia rozë kërkoi angazhimin e popullit socialist për mbrojtjen e votës e i dha një karakter lufte ditës që në mëngjes. Duket se brenda PS dhe më vonë edhe nga trupi diplomatik, kjo deklaratë nuk la një shije të mirë. Në fakt, vetëm 10 minuta më vonë ishte sërish Brace që po nga foltorja e PS e korrigjoi disi gjuhën, kur përsëriti thirrjen për rifillimin e numërimit të votave në Tiranë. Pak më vonë, u qartësua arsyeja e ndryshimit të oratorisë dhe thirrjeve të PS. Ishte ambasadori Arvizu, i cili pati dy takime të shpejta me kryeministrin Berisha dhe kreun e opozitës Rama. Takime që deri në darkë duket se e qetësuan situatën. Në të dy takimet, ambasadori i SHBA mori garanci, të paktën kjo nga deklaratat publike, se numërimi do të vazhdojë i qetë nga të dy palët. Në fakt, ndërhyrja e trupit diplomatik i dha shtysë edhe numërimi më të shpejtë të votave, duke mbyllur Njësinë Nr. 8 dhe atë 11 dhe përshpejtoi numërimin në Njësinë Nr. 9 dhe atë Nr. 5. Tek njësia më e madhe, Njësia Nr. 5, u vendosën edhe disa nga ambasadorët e huaj të akredituar në Tiranë. Sidoqoftë, duhet theksuar se pranë shkollës “Vasil Shanto”, ku numërohen votat e Njësisë 5, u grumbulluan disa qindra opozitarë, si përgjigje ndaj thirrjes së fortë të Braçes. Emri i ambasadorëve u përmend rreth drekës së djeshme edhe nga kreu i opozitës Rama. Ky i fundit në një nga daljet publike e falënderoi trupin diplomatik për misionin e tyre në qetësimin e situatës.
Por premtimet e Berishës dhe Ramës për vazhdimin e numërimit, nuk sollën qetësimin e situatës deri në darkë. Sërish zona numër 5, ku PS kishte maxhorancën e votave, nuk po numërohej aq shpejt sa duhet. Pasdite ishte sërish Erion Braçe, i cili kërkoi që të përshpejtohet procesi. Por angazhimi maksimal i ambasadorëve i vu re në mesnatë, kur Arvizu dhe përfaqësuesi i BE, Sequi, u vunë vetë në rolin e vëzhguesve në Njësinë 5 dhe 9. Në fakt, pjesëmarrja e ambasadorit amerikan në procesin e numrit tregoi një tjetër pamje të sallës në shkollën “Vasal Shanto”. Debati i zhurmshëm u “fik” kur ambasadori hyri në sallë dhe çuditërisht numërimi i një kutie mbaroi për më pak se 15 minuta. “Njerëzit meritojnë që votat e tyre të numërohen dhe ne po punojmë që kjo gjë të ndodhë”, garantoi Arvizu. Në fakt kjo ndodhi sa Arvizu ishte në sallë. Me ikjen e diplomatëve, në Njësinë numër 5 procesi iu rikthye zvarritjes së zakonshme, deri në pezullimin përfundimtar në orët e parë të mëngjesit. Mëngjesi i sotëm është sërish vendimtar për fitimin e Tiranës.

© Panorama.al

Te lidhura