
LSI, PBDNJ, PR, PDI e PSD do ndajnë mes tyre 300 mijë USD nga fondi i buxhetit të shtetit për partitë
KQZ ndan sot fondin për 7 parti, 80% e përfitojnë partitë e mëdha
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot për të ndarë fondin e përvitshëm prej 1.8 milion dollarësh të parashikuar nga buxheti i shtetit për partitë politike për vitin 2012. Nga kjo shumë, rreth 1.5 milion USD e përfitojnë Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, ndërsa 0.3 milion e marrin pesë parti të tjera.
Fondi
Sipas ligjit “Për partitë politike” të vitit 2000, shuma e caktuar nga buxheti i shtetit ndahet në këtë mënyrë: 70 për qind, sipas numrit të deputetëve të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare; 20 për qind, në mënyrë të barabartë, ndërmjet partive parlamentare; 10 për qind, sipas përqindjes së fituar ndërmjet partive politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe kanë fituar mbi 1 për qind të votave në shkallë vendi. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009 rezultoi se Partia Demokratike mori 68 mandate në Parlament, Partia Socialiste 65 mandate, Lëvizja Socialiste për Integrim 4 mandate dhe PBDNJ-ja, PR-ja e PDI-ja nga 1 mandat. Në të njëjtën kohë, sa i takon kriterit në ligj ku thuhet se përfitojnë partitë politike që kanë marrë mbi një për qind të votave, këtu futet e Partia Socialdemokrate, e cila më 28 qershor 2009 mori 1.76 për qind. Sipas kalkulimeve që janë bërë nga administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, partia që ka marrë më shumë nga fondi prej 1.8 milion USD është Partia Demokratike. Fituesit e zgjedhjeve të vitit 2009 do të marrin 78.9 milion lekë, ndërkohë që menjëherë pas tyre vijnë socialistët me 75.2 milionë lekë. Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila fitoi katër mandate tre vjet më parë, do të marrë 11 milionë lekë, ndërsa më pas vijnë PDIU-ja me 8.2 milionë lekë, PBDNJ-ja me 7.4 milionë lekë, PR-ja me 7.6 milionë lekë dhe PSD-ja me 332 mijë lekë.
1.8 milion usd
Për vitin 2012 buxheti i shtetit ka përcaktuar një fond prej 1.8 milion dollarësh, që do t’u shpërndahet partive që kanë marrë mandate dhe mbi 1 për qind të votave në Parlament. Nga ky fond, 1.5 milion dollarë do ta marrin vetëm PD-ja dhe PS-ja
Fondet e partive
Partia Mandate Vota në %
PD 68 40.85%
PS 65 40.18%
LSI 4 4.85%
PBDNJ 1 1.19%
PR 1 2.11%
PDI 1 0,95%
PSD – 1,76%Partia Lekët
PD 78 985 728
PS 75 283 434
LSI 11 045 574
PDI 8 214 462
PBDNJ 7 482 141
PR 7 656 021
PSD 332 640
Totali 189 000 000
Dhuruesit: Kush jep mbi 100 mijë lekë, t’i dalë emri
Sipas nenit 90 të Kodit, çdo forcë politike duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm shumën e fondeve të përfituara nga çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin e qartë të dhuruesit. “Forma dhe përmbajtja e deklaratës miratohet nga KQZ-ja dhe është e detyrueshme për t’u nënshkruar në çdo rast dhurimi. Lista e personave që dhurojnë shuma jo më pak se 100 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse duhet të bëhen kurdoherë publike. Dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor”, thuhet në pikat 1 dhe 2 të nenit 90.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











