PD-PS i heqin imunitetin Dritan Priftit

Feb 25, 2011 | 13:35

Parlamenti ka vendosur dje unanimisht t’i heqë imunitetin deputetit Dritan Prifti, pas kërkesës së bërë nga Prokuroria për ta hetuar. Me 119 vota pro, tre kundër dhe tre deputetë që nuk morën pjesë në votim, u miratua raporti i Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, i cili u prezantua në sallë nga deputeti i PD-së, Viktor Gumi. Sipas rregullores së Kuvendit, Dritan Prifti kishte të drejtën të merrte fjalën, por ai zgjodhi të mos ishte i pranishëm në sallë, duke dërguar nëpërmjet Taulant Ballës një letër, e cila iu shpërnda deputetëve përpara votimit. Në këtë letër, ish-ministri i Ekonomisë ka sqaruar pozicionin e tij dhe arsyen përse nuk ishte i pranishëm në sallë. “Kam gjykuar të mos marr pjesë sot në seancë, meqë Kuvendi voton për dhënien e autorizimit për Prokurorinë për hetime ndaj meje. Nuk dua që kolegët deputetë të ndikohen në votim nga prezenca ime në sallë. U kërkoj kolegëve, që pavarësisht nga marrëdhënia personale apo politike që kanë me mua, të votojnë pro dhënies së autorizimit për Prokurorinë”, thuhet në letër. Më tej, Prifti shton se është pro heqjes së imunitetit për deputetët dhe do të mbështesë iniciativën, nëse kjo bëhet përmes ndryshimit të Kushtetutës. “Unë e kam deklaruar që në mbledhjen e Komisionit të Rregullores dhe Mandateve, që jam gati të lëshoj imunitetin tim parlamentar për çdo lloj hetimi nga Prokuroria. Kam deklaruar votën time pro për të ndryshuar Kushtetutën e vendit, për ta hequr përgjithmonë nga Kushtetuta imunitetin parlamentar, ashtu siç kam deklaruar që jam dakord me ndryshimin e rregullores së Kuvendit për kufizimin e imunitetit dhe lëshimin e tij automatikisht për çdo kërkesë të Prokurorisë. Përpara drejtësisë, të gjithë duhet të jenë të barabartë, dhe deputetët nuk duhet të kenë imunitet ndaj çdo lloj hetimi”, thekson Prifti. Ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim ndalet edhe në kërkesën e Prokurorisë, e cila ka kërkuar ndjekjen penale ndaj tij, pasi ka gjetur një video, ku Prifti ka filmuar veten në një bisedë me ish zv.ministrin e Ekonomisë, Leonard Beqiri, teksa ka marrë nga ai një shumë prej 70 mijë eurosh. “Prokuroria e Përgjithshme gjykoi që të kërkojë autorizim nga Kuvendi për ndjekjen time penale, në lidhje me një video që unë kam regjistruar vetë. Pavarësisht sa i çuditur jam unë nga kjo kërkesë, pavarësisht se në video nuk ka asnjë veprim të kundërligjshëm nga ana ime, pavarësisht se do më pëlqente të më kishin lejuar të jepja vullnetarisht sqarimet e mia, përpara se të bëhej kjo kërkesë për heqje imuniteti, tani jemi përpara një kërkese zyrtare të mbërritur në Kuvend”, shton Prifti. Në fund, ai e mbyll letrën me gatishmërinë për t’i hapur rrugë hetimit të Prokurorisë, duke theksuar se është vullneti i tij për të mos qenë prezent në sallë.

© Panorama.al

Te lidhura