PD, provat për votat e kontestuara

May 29, 2011 | 9:48

Votat e kontestuara, për të cilat Partia Demokratike kërkon që të rivlerësohen dhe rinumërohen në Tiranë, ndodhen të gjitha në kutitë e kandidatëve për kryetarin e Bashkisë.Dy ditë pas dorëzimit të kërkesës së PD-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, bëhen të ditura detaje nga ajo çfarë kanë shënuar komisionerët në librin e protokollit të mbledhjeve, shënime të cilat janë përdorur si prova nga demokratët. Në dokumentin e dërguar në KQZ, në krah të numrit të votave të kontestuara për secilën qendër votimi, është shënuar edhe faqja e librit të protokollit të mbledhjeve ku ndodhen shënimet, të cilat do të vlerësohen në mbledhjet e KQZ-së. Burime pranë grupit të juristëve të Partisë Demokratike, të cilët janë marrë me hartimin e kësaj kërkese ankimore, bëjnë të ditur për gazetën se nga 26 qendra për të cilat kërkohet të hapen kutitë, vetëm një pjesë e tyre kanë shënime specifike për fletët e kontestuara. Kështu, mësohet se një pjesë e fletëve të votimit të kontestuara, pavarësisht se në favor të kujt kanë shkuar, janë vlerësuar si të tilla për shkak se kryqi ose plusi përbri emrit të kandidatit ka dalë pak jashtë kuadratit të përcaktuar. Një tjetër rast i evidentuar në librin e protokollit të mbledhjeve nga anëtarët e grupeve të numërimit dhe anëtarët e komisioneve zonale të administrimit të zgjedhjeve është kur në kuadratin përbri emrit të kandidatit, në vend që të shënoheshin dy shenjat e përcaktuara në Kodin Zgjedhor, është shënuara fjala “po”. Burimet bëjnë të ditur gjithashtu se ka pasur raste për fletë votimi të kontestuara ku nuk janë shënuar shenjat x ose +, por një vizë në të gjithë kuadratin. Nga 403 fletë votimi që kërkojnë demokratët të rivlerësohen dhe rinumërohen, 2 prej tyre janë në Njësinë Bashkiake Nr. 3, 73 fletë votimi në Njësinë Bashkiake Nr. 5, 190 fletë në Njësinë Nr. 8 dhe 138 fletë në Njësinë Bashkiake Nr. 9. Në kërkesën e PD-së thuhet se, “aktualisht ne vlerësojmë se në këtë fazë është me vend dhe me rëndësi për t’i shtuar legjitimitetin dhe besimin e duhur publik procesit zgjedhor në Tiranë, që edhe këto vota të kontestuara dhe të identifikuara për kandidatët e Bashkisë së Tiranës të merren, këqyren, të vlerësohen, rinumërohen dhe të reflektohen në rezultat për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Kjo mundësi është tërësisht ligjore, e mbështetur në dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe në jurisprudencën e zhvilluar nga ana e Kolegjit Zgjedhor, si dhe unifikon në mënyrë të njëtrajtshme me vlerësimin e votave në përputhje me kriteret e përcaktuara nga Kodi Zgjedhor”. Demokratët i referohen gjithashtu një vendimi të Kolegjit Zgjedhor të vitit 2009, që flet për votat e caktuara. Sipas këtij vendimi, në procesin e vlerësimit të votave, është kategoria e votave të kontestuara ajo për të cilën subjektet zgjedhore mund të paraqesin pretendime para autoritetit më të lartë administrativ në rrugë hierarkike (KQZ), dhe më tej përpara gjykatës. “Në këtë kërkesë ankimore vëmë theksin në mënyrë të veçantë se nuk kërkojmë këqyrje, rivlerësim, rinumërim të fletëve të votimit në të gjitha ato qendra votimi ku ka të dhëna të dokumentuara se ka vota të kontestuara për shkak se janë gjetur me kundërfletën bashkëngjitur”, thuhet më tej në kërkesën e PD-së.

Kutitë që kërkon PD të hapen

Njësia bashkiake        Nr. i votave    Procesverbali

Njësia 3 QV 1773        2    Faqe 28
Njësia 5 QV 1835        2    Faqe 27-28
Njësia 5 QV 1842        6    Faqe 34
Njësia 5 QV 1844        16    Faqe 35
Njësia 5 QV 1845        6    Faqe 47
Njësia 5        29    Faqe 58
Njësia 5 QV 1847        10    Faqe 69-75
Njësia 5 QV 1850/2        4    Faqe 80
Njësia 8 QV 1926/1        7    Faqe 41
Njësia 8 QV 1930        57    Faqe 44
Njësia 8 QV 1931        5    Faqe 47
Njësia 8 QV 1933        51    Faqe 48
Njësia 8 QV 1936        5    Faqe 49
Njësia 8 QV 1939        1    Faqe 50
Njësia 8 QV 1941        1    Faqe 50
Njësia 8 QV 1942/1        4    Faqe 53
Njësia 8 QV 1941        3    Faqe 53
Njësia 8 QV 1944         19    Faqe 54-55
Njësia 8 QV 1944/1        17    Faqe 56
Njësia 8 QV 1945        10    Faqe 57
Njësia 8 QV 1923        5    Faqe 57
Njësia 8 QV 1924        5    Faqe 58
Njësia 9 QV 1963        69    Faqe 14
Njësia 9 QV 1962         15    Faqe 15
Njësia 9 QV 1969        6    Faqe 16
Njësia 9 QV 1977        48    Faqe 17

Kërkesa e PS në 2009 që s’u pranua nga KQZ

Partia Socialiste përdori në vitin 2009 një fjali të nenit 138 të Kodit Zgjedhor, për të kërkuar rinumërimin dhe rivlerësimin e fletëve të votimit. Në fjalinë që i referoheshin socialistët thuhet se “në rast se kërkesa për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të caktuara bëhet nga dy anëtarë të KQZ-së, ajo është e detyruar të bëjë rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të kërkuara”. Duke u bazuar në këtë dispozitë, PS kërkonte rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në të gjithë qarkun, megjithëse në procesverbalin e konstatimit, të plotësuar nga komisionerët e KZAZ-ve, nuk kishte asnjë shënim për parregullsi gjatë procesit të votimit dhe numërimit. Në fakt, neni 138, pika 3, u referohet votave të kontestuara. Sipas këtij ligji, KQZ mund të rivlerësojë dhe rinumërojë vetëm votat e kontestuara nëse ajo e çmon të arsyeshme përpara se të marrë vendimin. “KQZ, me kërkesë të palëve ose kryesisht, kur çmon se për dhënien e vendimit është i nevojshëm rinumërimi dhe/ose rivlerësimi i votave të caktuara, kryen, në praninë e palëve, rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave dhe pasqyron përfundimin në procesverbalin e mbledhjes së KQZ-së dhe vendimin përkatës të saj”. Ndryshimi me kërkesën e PD-së është se demokratët kërkojnë rinumërimin dhe rivlerësimin vetëm të votave të kontestuara, për të cilat ka shënime në librin e protokollit të mbledhjeve.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura