
Maxhoranca është e vendosur të zgjedhë me votat e saj Presidentin vitin e ardhshëm. Këtë e ka lënë të nënkuptohet dje edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, njëherësh numri dy në Partinë Demokratike, gjatë një prononcimi për mediat. E pyetur mbi deklaratën e bërë nga kreu i Grupit Parlamentar të PS-së në Kuvend mbi nisjen e negociatave për zgjedhjen e kreut të shtetit, ajo u shpreh se nenet e Kushtetutës për këtë çështje janë të miratuara me pëlqimin e të dyja forcave politike. Sipas Topallit, “dua t’ju ftoj të gjithë ju gazetarëve, që të lexoni dispozitat kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit dhe do të gjeni se këto janë dispozita konsensuale. Pra, janë e kundërta e dispozitave bllokuese apo destruktive. Dispozita e zgjedhjes së Presidentit është dispozitë konsensuale”.
Ligjet me 3/5
Në prononcimin për mediat, kryetarja e Kuvendit është ndalur gjithashtu te seanca e fundit parlamentare, ku për shkak të refuzimit të opozitës u tërhoqën për të disatën herë nga votimi ligjet që kërkojnë 3/5 e votave. Sipas Topallit, e enjtja ishte një ditë e trishtueshme dhe vendit iu bë një dëm i madh. “Përsa i takon ditës së djeshme në lidhje me bllokimin e të gjitha ligjeve që kërkonin 3/5 dhe janë ligje të axhendës së integrimit, për mua personalisht dhe për të gjithë shqiptarët besoj ka qenë një ditë e trishtueshme. Opozita, duke bllokuar këto ligje, në fakt i ka bërë një dëm tjetër të madh vendit pas dy vitesh që i bëri përmes bojkoti dhe bllokut të Parlamentit dhe zhvillimeve të mëtejshme të Shqipërisë”, u shpreh Topalli. Sipas saj, “ajo që duhet të bëjmë në këto momente është që të shikojmë përpara, për një Shqipëri që sipas raporteve të fundit, dhe brenda tri ditëve kemi tri raporte të fundit, të cilat flasin për kapërcim të rëndësishëm, për transparencën, për kompetitivitetin dhe rritjen e në fushën e investimeve të huaja, në fushën e eksporteve. Përpjekjet tona nuk do të rreshtin kurrë për të qenë të hapur me opozitën, për të bashkëpunuar brenda rendit kushtetues dhe për të marrë me seriozitetin më të madh çdo propozim që ata sjellin”. Në seancën e së enjtes ishte kreu i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, i cili indirekt kërkoi nisjen e bisedimeve për zgjedhjen e një Presidenti konsensual. “Po lançoni me të madhe të ashtuquajturin Avokatin e Popullit. Nuk duam ne emër të përveçëm, sikur po na e lëshoni. E thashë sot në Konferencën e Kryetarëve, po jua them edhe këtu në Parlament. Kemi qenë ne në pushtet, kemi qenë ne në maxhorancë dhe kemi pasur edhe shumicën e cilësuar për të zgjedhur Presidentin me 84 vota, por u ulëm një javë të tërë negociuam me ju dhe pranuam propozimin dhe ofertën tuaj. Ne jemi gati të ulemi të negociojmë për të gjitha institucionet e pavarura kushtetuese, uluni negocioni”, u shpreh Ruçi.
Patozi: Nuk do të ketë pazare për Presidentin
Në seancën e Parlamentit, deklaratës së Ruçit për zgjedhjen e kreut të shtetit iu përgjigj kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Astrit Patozi. Sipas tij, nuk do të ketë pazare për integrimin e vendit. “Sot, gjithashtu, për herë të parë kemi hasur dhe në oferta të reja që të nisim negociatat për Presidentin e ardhshëm dhe për disa çështje të tjera që artikulohen për herë të parë. Ne, zotërinj të opozitës, jua themi qartë dhe pastër. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pazar me integrimin. Në rast se ju e konsideroni tender, në rast se ju mendoni që bashkëpunimi juaj për reformat integruese duhet të marrë në këmbim pushtetin, sigurisht që gaboheni rëndë”, tha Patozi.
“Reforma zgjedhore, kusht për integrimin”
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, tha dje në një konferencë për shtyp, se reforma elektorale është kusht për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Në një prononcim për mediat, ai u shpreh se “reforma zgjedhore dhe e gjithë paketa që vjen si kusht për tërë procesin e integrimit europian të vendit është ajo që duhet të dominojë dhe që duhet të na bashkojë të gjithëve në qëndrimin që mbajmë. Nuk ka kohë për të humbur. Nuk ka kohë për kundërvënie për shkak të interesave partiake, por ajo çka është e rëndësishme është që duhet të gjithë të kontribuojmë pozitivisht”. Sipas Luan Ramës, “Lëvizja Socialiste për Integrim shpreson dhe beson dhe një herë që edhe lidershipi i Partisë Socialiste më në fund ta kuptojë që edhe interesat e qytetarëve, të votuesve dhe të simpatizantëve të Partisë Socialiste janë një me interesat europiane të vendit”.
“Rama do pushtet pa pasur vota”
Pas publikimit të 10 pikave të “paktit për Shqipërinë si gjithë Europa” të publikuar nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar dje edhe Partia Demokratike. Përmes deputetes së qarkut të Elbasanit, Adriana Gjonaj, demokratët duket se i kanë refuzuar që në fillim propozimet e opozitës. Sipas Gjonajt, kreu i PS-së kërkon pushtet pa marrë më parë votat e qytetarëve shqiptarë. “Deklarata e sotme e zotit Rama është letër për Prokurorinë, për zonjën Rama. Sot Rama u përpoq që të lajë duart si Ponc Pilati, pasi ai me bllokimin ka dëmtuar vendin në procesin e integrimit. Kërkesat e zotit Rama në këtë letër nuk mbështeten në dëshirat e shqiptarëve, duket si një dëshirë e madhe për pushtet, pa qenë i votuar nga shqiptarët”, u shpreh deputetja e Partisë Demokratike.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











