Maxhoranca s’ka numrat, shtyhen edhe ligjet me 71 vota

Sep 23, 2011 | 11:40
Gjate seances se djeshme ne parlament

Maxhoranca shtyn ligjet që kërkojnë një shumicë të thjeshtë votash për shkak të mungesave në Parlament.Në seancën e djeshme, kur po votohej ligji “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, deputetët e opozitës, duke parë që maxhoranca nuk kishte më shumë se 69 deputetë, vendosi të heqë kartat e prezencës në sallë. Në këtë moment, ndërkohë që ishte votuar në parim dhe nen për nen ligji, duke parë numrat e maxhorancës, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, kërkoi që ligji të shtyhet për javën tjetër. Në seancën e djeshme, përveç Kryeministrit Berisha, mungonin ministrat Bode e Mediu, si dhe deputetët Dashnor Sula dhe Gazmend Oketa. Fillimisht, kryeparlamentarja Topalli kërkoi pesë minuta pushim për të gjetur mënyrën për të siguruar 71 vota, por pas rifillimit të seancës, deklaroi se “meqenëse zoti Ruçi kërkoi të shtyhet votimi në tërësi dhe zoti Patozi ra dakord për t’i dhënë një mundësi tjetër”. Përpara këtij momenti, maxhoranca arriti të miratonte edhe falë pjesëmarrjes së opozitës në votim ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Në votim, 69 deputetë votuan pro dhe 55 ishin kundër. Ashtu siç pritej, edhe këtë radhë u tërhoqën nga rendi i ditës të gjitha kodet që kërkojnë 84 vota.
Debati
Përpara se të zhvillohej votimi, krerët e grupeve parlamentare të PD-së dhe PS-së replikuan mes tyre për përgjegjësitë në këtë krizë. Fillimisht ishte kreu i deputetëve socialistë, Gramoz Ruçi, u shpreh se vendosja në kalendar e ligjeve me 3/5 është sa për larë gojën. Por ndërkohë ai kaloi në diskutimin e tij në një çështje tjetër, atë të zgjedhjes së Presidentit. “E thashë sot në Konferencën e Kryetarëve, po jua them edhe këtu në Parlament. Kemi qenë ne në pushtet, kemi qenë ne në maxhorancë dhe kemi pasur edhe shumicën e cilësuar për të zgjedhur Presidentin me 84 vota, por u ulëm një javë të tërë, negociuam me ju dhe pranuam propozimin dhe ofertën tuaj. Ne jemi gati të ulemi të negociojmë për të gjitha institucionet e pavarura kushtetuese, uluni negocioni!”. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i kreut të deputetëve demokratë, Astrit Patozi, i cili përjashtoi çdo mundësi, për pazar, siç e quajti ai, për integrimin e vendit. “Sot, gjithashtu, për herë të parë kemi hasur dhe në oferta të reja që të nisim negociatat për Presidentin e ardhshëm dhe për disa çështje të tjera që artikulohen për herë të parë. Ne, zotërinj të opozitës, ia u themi qartë dhe pastër. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pazar me integrimin, në rast se ju e konsideroni tender, në rast se ju mendoni që bashkëpunimi juaj për reformat integruese duhet të marrë në këmbim pushtetin, sigurisht që gaboheni rëndë”, u shpreh Patozi. Gjatë debatit ndërhyri edhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila sot do të jetë në Bruksel për një takim me përfaqësuesit e Komisionit Europian dy javë para publikimit të progres-raportit. “Nuk është hata fakti që Shqipëria po humbet për herë të dytë shansin për të marrë statusin e vendit kandidat, sepse historia jonë e integrimit dhe e vendeve të tjera është e mbushur me komplekse dhe probleme të tilla, por e dini se cila është hataja më e madhe? Që ju dhe sot po demonstroni që votoni kundër fatit të shqiptarëve, votoni një projekt tërësisht tuajin, i cili, me sa duket, është i vetmi projekt i kursit të ri antikombëtar dhe antishqiptar”, u shpreh Bregu.

Debati në Parlament
Ruçi:
Përsëritja në mënyrë të herëpashershme, vendosja në kalendar në programin e punimeve është thjesht për të larë gojën. Është thjesht për të fituar kredo politike, për të thënë që në fillim të tetorit do të ketë një refuzim Shqipëria për statusin dhe për ta lënë përgjegjësinë e fajit tek e majta. Po lançoni me të madhe të ashtuquajturin Avokatin e Popullit. Nuk duam ne emër të përveçëm, sikur po na e lëshoni. E thashë sot në Konferencën e Kryetarëve, po jua them edhe këtu në Parlament. Kemi qenë ne në pushtet, kemi qenë ne në maxhorancë dhe kemi pasur edhe shumicën e cilësuar për të zgjedhur Presidentin me 84 vota, por u ulëm një javë të tërë, negociuam me ju dhe pranuam propozimin dhe ofertën tuaj. Ne jemi gati të ulemi të negociojmë për të gjitha institucionet e pavarura kushtetuese. Uluni negocioni!
Patozi: Ne, si përfaqësues të maxhorancës, për të qenë të sinqertë, nuk prisnim ndonjë gjë të madhe sot, por ndoshta as më vonë se sot. Sepse, për fat të keq, përgjigjen zhgënjyese e kemi marrë tri ditë më parë, kur kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi me pompozitet se Grupi i tij Parlamentar nuk do të votojë asnjë nga ligjet me shumicë të cilësuar, të cilat i konsideroi si “arna” dhe “rromapërtoma”. Sot, gjithashtu, për herë të parë kemi hasur dhe në oferta të reja që të nisim negociatat për Presidentin e ardhshëm dhe për disa çështje të tjera që artikulohen për herë të parë. Ne, zotërinj të opozitës, jua themi qartë dhe pastër. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pazar me integrimin, në rast se ju e konsideroni tender, në rast se ju mendoni që bashkëpunimi juaj për reformat integruese duhet të marrë në këmbim pushtetin, sigurisht që gaboheni rëndë.
Topalli: Duhet të pyesim veten, qoftë për një sekondë, ç’është më e mira për Shqipërinë, jo thjesht ç’është më e mira ime (në fakt nuk është  as e mira juaj)? Shqipëria ka humbur dy vjet nga bllokimi e bojkoti. Nga 12 tetori na ndajnë 20 ditë. Nuk mund të presim më. Sot Shqipëria nuk ka luksin të humbë edhe një vit tjetër. Jemi të vonuar. Bojkoti ka dëmtuar. Ne nuk jemi një popull që rrimë duarkryq. Ne jemi shqiptarë. Ne bëjmë që gjërat të ndodhin.
Ruçi: Ne, nga 2009-a deri në 2011-n kërkuam që krizën politike, që është bërë shkak për mbylljen e derës së Europës, ta zgjidhim. Në dy ligjëratat tuaja hodhët benzinë për ta mbajtur ndezur këtë krizë. Problemet e parlamentarizmit nuk i krijoi opozita. Kishte një problem që opozita të ishte në vendet e ulura, ja ku është. Zgjedhjet nuk i vodhëm ne. Hapja dhe transparenca e 2009-s ishte për të përgatitur manipulimin e 2011-s dhe humbët një shans tjetër. Në qoftë se ju vazhdoni mos t’i dëgjoni këto rekomandime, që nga mosfunksionimi i Parlamentit dhe përgjegjësia juaj si spikere, nuk është faji ynë, është përgjegjësia juaj. Ju keni ardhur sot t’i paraprini mbledhjes së progres-raportit, por s’ka budallenj që ta besojnë që përgjegjësinë e ka opozita.
Patozi: Fakti që unë nuk replikoj dot me Ramën, përballë me të, nuk është problemi ynë, por i tiji që nuk është në këtë sallë. BE është fare i qartë dhe ka 12 kërkesa, 5 prej të cilave kërkojnë bashkëpunimin e dy palëve. Sot kemi 5 projektligje t’i kalojmë. Nëse nuk doni pesë, të kalojmë njërin, atë që anëtarët e PS-së në Komisionin e Ligjeve e kaluan.
Hapet votimi për prezencën dhe dalin 123 deputetë të pranishëm. Në votimin për projektligjin e mbetjeve votojnë 68 deputetë pro dhe 56 kundër. Ligji për veterinarinë miratohet në parim me 68 vota pro, 49 kundër dhe 7 nuk morën pjesë në votim.
Ruçi: Në këtë moment, Grupi i PS-së nuk merr pjesë në votimin e këtij projektligji, derisa ju të siguroni kuorumin.
Topalli: Mirë mo, ju po bojkotoni, mirë po e bëni. U votua njëherë prezenca dhe ishin 126.
Deputetët e PS-së i flasin Topallit nga salla.
Topalli: Ju keni harruar çdo gjë mo, ju nuk dini më se si votohet mor. Ju ka bërë dëm fort këto dy vite.
Ruçi: Ne folëm 15 veta për ligjin që sapo kaluat, për ligjin e mbetjeve dhe e kundërshtuam edhe me votë. Duhet të dini një gjë, që nëse nuk merrnim pjesë në votim fare, ju s’keni numrin e kuorumit për të votuar.
Topalli: O ju mos merrshit pjesë, ne do t’i mbledhim gjithë numrat, siç i kemi mbledhur.
Ruçi: Ne nuk jemi këtu të arrijmë kuorumin tuaj kur jemi kundër. Krijoni kuorumin ju, keni 69 veta në sallë.
Topalli: Ju do bojkotoni sot 2 javë para se të dalë progres-raporti. Dakord. Nuk do merrni pjesë në votim? Sekretare, numëroni sa janë këtu.
Patozi: Ne kemi sot një kthim të qartë te marrëdhëniet e kushtëzuara me Parlamentin. Zoti e ndihmoftë opozitën! Unë kërkoj që votimi i këtij ligji të shtyhet në seancën e ardhshme dhe të vazhdohet me çështjet e tjera të rendit të ditës.
Topalli kërkon 5 minuta pushim.
Topalli: Hapim seancën. Meqenëse zoti Ruçi kërkoi të shtyhet votimi në tërësi dhe zoti Patozi ra dakord për t’i dhënë një mundësi tjetër, kalojmë te interpelanca.

Konferenca
Përpara nisjes së seancës së djeshme parlamentare, u mblodh Konferenca e Kryetarëve, e cila miratoi pa konsensusin e opozitës kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit. Burime nga PS-ja bëjnë të ditur për
gazetën se gjatë mbledhjes së Konferencës u kërkua konsensusi për miratimin e ndryshimeve në Rregulloren e Parlamentit në këmbim të votave për kodet që kërkojnë shumicën e cilësuar. Në fund, në kalendar janë përfshirë për të disatën herë të gjitha kodet dhe ngritja e Gjykatës Administrative.

Parlamenti- Shtyhet votimi edhe për Konkurrencën
Heqja dorë e opozitës nga votimi në Parlament bëri që të mos votohet as kryetari i Autoritetit të Konkurrencës. Sipas një raporti të sjellë në seancë nga Komisioni Parlamentar i Ekonomisë, edhe për pesë vite të tjera këtë institucion do ta drejtojë Lindita Lati. “Komisioni vlerëson rezultatet e arritura nga zonja Lindita Milo (Lati) gjatë periudhës 5-vjeçare në krye të Autoritetit të Konkurrencës dhe është i mendimit se ajo plotëson kushtet për t’u rizgjedhur për një mandat të dytë në këtë detyrë”, thuhet në raport.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura