“Aleanca për qytetarin” e drejtuar nga Partia Demokratike, është koalicioni i parë parazgjedhor që regjistrohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Dy ditë para afatit të parashikuar në Kodin Zgjedhor për regjistrimin e koalicioneve, 22 parti që do të përbëjnë aleancën e djathtë kanë zyrtarizuar dje të gjitha procedurat. “Mbështetur në nenin 65, të Kodit Zgjedhor si dhe në vendimin nr. 167, datë 10.3.2011 të KQZ-së, kërkoj: regjistrimin në KQZ të koalicionit zgjedhor ‘Aleanca për qytetarin’, i cili do të marrë pjesë në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të 8 majit 2011”, thuhet në kërkesën që i është drejtuar KQZ-së nga përfaqësuesi i koalicionit të djathtë në këtë institucion, Njazi Kosovrasti. Në kërkesë thuhet gjithashtu, se këto parti do të konkurrojnë së bashku në të gjithë Shqipërinë për kryetar bashkie, komune dhe njësi bashkiake të Tiranës si dhe për këshillat bashkiakë, komunalë dhe të njësive bashkiake të Tiranës, duke respektuar në çdo rast rregullat e përcaktuara në Kodin Zgjedhor. “Për këshillat e bashkive, komunave dhe të njësive bashkiake të Tiranës, të gjitha partitë pjesëtare të këtij koalicioni do të paraqesin listat e tyre shumemërore, të cilat do të depozitohen pranë KZAZ-ve përkatëse apo KQZ-së (për Bashkinë e Tiranës), sipas rregullave të përcaktuara në Kodin Zgjedhor”, thuhet më tej në kërkesën e koalicionit të djathtë. Demokratët kanë mbyllur dy ditë më parë negociatat me të gjitha partitë e koalicionit. Vetëm Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Republikane dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, do të kenë bashki dhe komuna ku do të propozojnë përfaqësuesit e tyre, ndërsa partitë e tjera do të kenë logon në emrin e kandidatëve të PD-së.
Koalicioni “Aleanca për qytetarin”
. Partia Demokratike
. Lëvizja Socialiste për Integrim
. Partia Republikane
. Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet
. Partia Agrare Ambientaliste
. Partia Lëvizja e Legalitetit
. Partia Levizja Demoktristiane
. Partia Balli Kombëtar Shqiptar
. Partia Bashkimi Liberal Demoktrat
. Aleanca Demokratike
. Partia e Ballit Kombëtar Demokrat
. Partia Demokracia e re Europiane
. Partia e të Drejtave të Mohuara
. Partia Aleanca për Demokraci e Solidaritet
. Partia Konservatore Shqiptare
. Partia Aleanca Maqedonasve për Integrim Europian
. Partia Bashkimi Demokrat
. Partia Ora e Shqipërisë
. Partia Aleanca Demoktristiane
. Partia Aleanca Popullore
. Partia Aleanca Ekonologjike Europiane
. Partia Personat me Aftësi te Kufizuar











