“FBI flet për ‘të shtëna vdekjeprurëse’, jo ‘vrasje me dashje’”
Partia Demokratike sulmon Prokurorinë e Përgjithshme, duke e akuzuar atë se po spekulon me ekspertizën e FBI-së për ngjarjet e 21 janarit. Deputeti demokrat, Fatbardh Kadilli, tha dje në një konferencë për shtyp se kryeprokurorja Ina Rama faktoi edhe njëherë tjetër se është bashkëpunëtore e Partisë Socialiste në përpjekjen për të marrë me dhunë pushtetin. Sipas tij, një vit pas këtyre ngjarjeve, Ina Rama doli përpara publikut dhe spekuloi me ekspertizën amerikane, duke thënë se gardistët vranë me dashje më 21 janar. “Pas 1 viti, në intervistën e saj, “shoqja e bulevardit” apo prokurorja e Përgjithshme akuzoi gardistët për vrasje me dashje dhe spekuloi me ekspertizën e ardhur nga FBI”, u shpreh Kadilli. Sipas tij, ekspertiza e FBI-së, nuk flet për “vrasje me dashje”, por për “të shtëna vdekjeprurëse”, duke shtuar se akuza e kryeprokurores është bërë në Kryesinë e Partisë Socialiste. “Sqarojmë shqiptarët se në ekspertizën e FBI-së dhe në asnjë ekspertizë tjetër, në asnjë germë dhe asnjë rresht, nuk bëhet fjalë për vrasje me dashje, por për të shtëna vdekjeprurëse, ndërsa akuza e prokurores është formuluar nga Edi Rama në Kryesinë e Partisë Socialiste, në një tentativë të pashpresë të tyre për t’i shpëtuar përgjegjësisë për 21 janarin”, theksoi më tej deputeti demokrat. Arrestimi i gardistëve
Në të njëjtën kohë, Partia Demokratike akuzoi kryeprokuroren Ina Rama se bashkëpunoi me Partinë Socialiste edhe në rastin kur policia refuzoi të bënte arrestimin e gardistëve, për shkak se në urdhrin e nxjerrë kishte lapsuse. Pak ditë më parë, prokurorja e Përgjithshme e mohoi të ketë folur me liderin e Partisë Socialiste për këtë çështje. “Unë nuk do të ndalem në trillimet dhe mashtrimet e saj, sepse për shqyrtimin e tyre ekzistojnë të gjitha mundësitë, por dua t’i rikujtoj shqiptarëve sot se në datën 22 janar, në orën 4 të mëngjesit Edi Rama, që kërkonte në mënyrë ultimative arrestimin horrave të Gardës, e heronjve që mbrojtën Kushtetutën dhe ligjet e vendit, duke i cilësuar si persona shoqërisht të rrezikshëm, ekzaktësisht siç shprehet kryeprokurorja publikisht dhe në akuzë, u deklaroi shqiptarëve se drejtori i Përgjithshëm i Policisë i ka thënë në telefon prokurores së Përgjithshme se nuk do të ekzekutojë vendimet, pasi aty ka lapsus, duke dëshmuar kështu bashkërendimin e ngushtë midis tyre”, u shpreh Kadilli në komunikimin me mediat. Pak ditë më parë, në një intervistë në “Opinion”, Ina Rama deklaroi se vrasja e protestuesve ishte me dashje. “Pse them se është vrasje me dashje. Kemi konsultuar ligjet për Gardën, ligjin për përdorimin e armëve të zjarrit. Rregulli për ata që ruajnë institucionet dhe personalitetet është që në çdo rast që tubimet e ligjshme shndërrohen në tubime të kundërligjshme, parimi është se duhet bërë minimumi i forcës. Ka një rregull, që thotë se nëse tentohet të hyhet, thotë Garda, në oborrin e Kryeministrisë personi paralajmërohet, goditet në tokë, paralajmërohet në ajër dhe pastaj goditet ai vetë nëse shikohet që ka një rrezik për institucionin. Garda është aty për të mbrojtur institucionin”, u shpreh kryeprokurorja.
Kreu i PS reagon nga Greqia
Rama: Sharjet ndaj Ina Ramës, turpëruese
Kreu i PS, Rama
Kryesocialisti Edi Rama, gjatë një turi në shtetin e Greqisë, ka komentuar dje aktualitetin politik dhe sulmin e Partisë Demokratike ndaj kryeprokurores Ina Rama. Për shefin e opozitës, Bashkimi Europian nuk mund t’i hapë derën e integrimit Shqipërisë, për sa kohë që kreu i ekzekutivit sulmon hapur punën e organit të akuzës dhe pengon zbardhjen e ngjarjeve të 21 janarit. Rama gjatë takimeve me emigrantët shqiptarë në Athinë ka ndarë në rrjetin social “Twiter” dhe mesazhet që janë përcjellë gjatë takimeve. “Pyetja e parë mes një grupi shqiptarësh në Athinë: Si mundet t’ia hapë dyert BE-ja një vendi ku Këshilli i Ministrave shan për turp prokurorin e Përgjithshëm?”, theksoi Rama. Kryetari i selisë roze theksoi se vendi ka nevojë për një ndryshim rrënjësor, pasi sipas tij, qeverisja aktuale po tenton të pengojë punën e institucioneve të Drejtësisë për vrasjen e 4 protestuesve një vit më parë. Për Ramën, provat e Prokurorisë janë të qarta dhe sulmi ndaj organit të akuzës tregon pengesën që po tentohet t’i behet këtij hetimi. “Këshilli i Ministrave vijoi dje (sot) ndaj prokurores me sharjet turpëruese për Shqipërinë! Provat e hetimit janë gozhduese, kurse sharjet provojnë pse duhet ndryshim”, pohoi Rama dje në Twitter.
Partia Socialiste nuk do të lejojë të mos i shkohet deri në fund të vërtetës së 21 janarit. Nënkryetari i Grupit Socialist, Saimir Tahiri, deklaroi dje se PS-ja nuk do të lejojë që institucionet e pavarura të uzurpohen nga maxhoranca. “Ne presim vetëm që Prokuroria dhe Drejtësia në Shqipëri të bëjnë drejtësi. Të bëjë drejtësi do të thotë t’i shkojë deri në fund këtij skenari tragjik për të vrarë protestuesit përpara Kryeministrisë. Nuk kemi ndërmend të lejojmë që as e vërteta e 21 janarit të mos zbardhet, as që institucionet e pavarura kushtetuese të bien në nënshtrimin vetëm që ky të vazhdojë me korrupsionin e fshehjen e së vërtetës për 21 janarin. Këtu kam parasysh Parlamentin dhe çdo produkt që vjen nga Parlamenti”, tha Tahiri. Më i ashpër në qëndrime është treguar nënkryetari tjetër i PS-së, Erjon Braçe, që në “Facebook” thekson se vrasjet më 21 janar nuk kanë ndodhur pa dashje. Braçe akuzoi Kryeministrin Berisha si shkaktarin kryesor të humbjes së jetës së Hekuran Dedajt, Ziver Veizit, Alekës Nikës dhe Faik Myrtajt. “Një pyetje tjetër për Sali Berishën: Si ka mundësi të qëllojë pa dashje një armë 11 herë rresht? Si ka mundësi që kur qëllon pa dashje, me pas i prish gjilpërën dhe i ndërron tytën armës? Një përgjigje ka: Ke qëlluar me dashje, ke vrarë me dashje, ke prishur provat me dashje për të fshehur krimin!”, theksoi Braçe.
Jensen: Hetim të plotë për 21 janarin
Ambasadori i Danimarkës në vendin tonë, Karsten Jensen, kërkoi një hetim të plotë dhe të gjithanshëm për ngjarjet e 21 janarit. Pas një takimi me kryeprokuroren Ina Rama, të dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin se “mbështetja te ligji, zbatimi me rigorozitet i tij dhe shmangia e çdo ndikimi ekstraligjor nga organet e Drejtësisë është një nga kushtet themeltare të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe të demokracisë në vend”. Në të njëjtën kohë, edhe Bashkimi Europian ka kërkuar hetim gjithëpërfshirës për atë ngjarje.
KiE: S’duhet të përdoreshin armët nga Garda
Komisioneri për të Drejtat e Njeriut, Thomas Hammarberg, tha dje në një intervistë për “Vizion Plus” se më 21 janar nuk duhet të përdoreshin armët. “Armët nuk duhet të përdoreshin, si dhe nuk duhet t’u drejtoheshin demonstruesve, edhe nëse ata bëheshin të dhunshëm, që ndoshta ndodhi edhe në rastin në fjalë. Është shumë e rëndësishme që sjellja e Policisë dhe Gardës të jetë e matur në këto raste, sepse kjo do të bënte që forcat policore të përfshiheshin në dhunë e kjo e përkeqëson situatën,” u shpreh Hammarberg.