TIRANE- Partia Demokratike feston sot 21 vjetorin e krijimit të saj. Pas një historiku të shkurtër, kreu i kësaj partie, njëherësh kryeministri i vendit, Sali Berisha në fjalën e tij përkujtoi studentët dhe intelektualët e dhjetorit me në krye Azem Hajdarin, të cilin e quajti “tribuni i lirisë”
Pluralizmi dhe Pavarësia e Shqipërisë janë dy faqet më të ndritura të shoqërisë tonë, tha kryeministri.
“Sot nderojmë dhe festojmë me të gjithë shqiptarët 21 dhjetorin e themelimit te pluralizmit politik, dhe njëherazi krijimin e partisë opozitare, Partia Demokratike. Partia e të drejtave, shpresave, interesit kombëtar, të vokacionit të tyre perëndimor, integrimit në NATO dhe BE. Viti 90 është dhe do të mbetet si viti i mrekullive të vërteta për shqiptarët.”- tha kryeministri Berisha.
Sot, vazhdoi më tej kryeministri, çdo shqiptar ka ditëlindjen e lirive dhe të dinjitetit.
Sipas tij, sonte ne nuk festojme thjesht datën themelimit të një partie, por ne të gjithë kemi ditëlindjen tonë të dytë. Kombi ynë, shqiptarët, festojnë në këtë ditë ngjarjen më të madhe në historinë e tyre që nga shpallja e Pavarësisë, tha ai.
“Ne shqiptarët më shumë se çdo komb tjetër e provuam se Pavarësia pa demokraci, de facto nuk është Pavarësi , por shtypje, dëshpërim, poshtërim”- tha kreu i qeverisë.
Berisha tha se Shqipëria sot feston si vend i fjalës së lirë, i votës së lirë, besimeve të lira, i tolerancës së shkëlqyer fetare, i respektimit të lirive të minoriteteve, si vend ku funksionon shteti ligjor dhe rendi Kushtetues.
Kryeministri garantoj shqiptarët se liritë dhe të drejtat, janë dhe do të mbeten përparësia më e madhe e Partisë Demokratike.
Mes të ftuarve në festën e organizuar në Pallatin e Kongreseve janë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, ambasadori i BE-së, Etore Sekui, si dhe shefi i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth.
© Panorama.al











