PD e PS në Venecia: Nuk ndryshon sistemi zgjedhor

Dec 17, 2011 | 11:18

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste bien dakord për ndryshimin e Kodit Zgjedhor sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Në mbledhjen e djeshme të këtij organizmi këshillimor të Këshillit të Europës, përfaqësuesit e dy forcave politike nuk kanë pasur kundërshtime, duke i hapur rrugë prekjes së Kodit sipas problematikave të ngritura nga ndërkombëtarët. Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë Jozefina Topalli dhe Ilir Rusmali nga PD-ja, Damian Gjiknuri nga PS-ja si dhe Viktor Gumi si përfaqësues i Shqipërisë. Burime nga kjo mbledhje bëjnë të ditur për gazetën se përfaqësuesi i PSsë, Gjiknuri, ka vënë theksin te rikompozimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe rishikimi i sistemit të ankimimeve, çështje që janë ngritur edhe në raportin e fundit të Venecias. Në këtë mënyrë, pranimi i rekomandimeve të Venecias do të thotë se të dyja partitë bien dakord që sistemi zgjedhor dhe listat e mbyllura të mos ndryshojnë gjatë zgjedhjeve të ardhshme. Kjo për shkak se ndryshimi i këtyre dy pikave kërkon patjetër prekjen e Kushtetutës. Gjatë deklaratave publike demokratët janë shprehur se nuk do ta prekin ligjin themeltar të shtetit. Lidhur me listat e zgjedhësve, neni 68, pika 1 thekson se “kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Renditja e kandidatëve për deputetë në listat shumemërore nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në komisionin zgjedhor përkatës. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet”. Ndërsa sistemi zgjedhor përcaktohet në nenin 64, pika 2, ku thuhet se “zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativoterritorial”.

REKOMANDIMET E VENECIAS

Në draftin e miratuar dje me konsensus nga të dyja forcat politike thuhet se “Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR- i rekomandojnë adresimin e problemit të votave të hedhura në kutitë e gabuara në Kodin Elektoral. Gjithashtu, duhet të vendoset një procedurë e qartë për miratimin dhe përfshirjen e votave të hedhura gabim në tabelën e rezultateve. Për shembull, këto vota duhet të vendosen në një kolonë të veçantë në tabelën e numërimit dhe të numërohen pas përfundimit të numërimit të të gjitha kutive të votimit në një qendër votimi”, thuhet në rekomandimet e Venecias. Sa i përket administratës zgjedhore, theksohet se “sfida kryesore është, gjithsesi, nëse do të jetë e mundur të largohemi nga përbërja aktuale partiake e administratës zgjedhore të bazuar në një balancë ndërmjet të dyja partive politike kryesore, në një administratë zgjedhore që përfshin elementë jopartiakë dhe të paanshëm”. Një tjetër çështje e trajtuar në propozimet e bëra nga institucioni këshillimor pranë Këshillit të Europës është edhe veprimtaria e Kolegjit Zgjedhor. Venecia evidenton një mospërputhje mes neneve të Kodit Zgjedhor, sipas të cilave, vendimet e Kolegjit nuk apelohen dhe një dispozitë të Kushtetutës, sipas së cilës, vendimet e gjykatave apelohen në një shkallë më lart.

REKOMANDIMET

  • Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR-i rekomandojnë adresimin në Kodin Elektoral të problemit të votave të hedhura në kutitë e gabuara. Gjithashtu, duhet të vendoset një procedurë e qartë për miratimin dhe përfshirjen e votave të hedhura gabim në tabelën e rezultateve.
  • Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR-i rekomandojnë që Kodi të ndryshohet në mënyrë që vendimet e KQZ-së mbi tabelën e shpalljes së rezultateve mund të apelohen përpara një organi juridik në të njëjtën mënyrë si të gjitha vendimet e tjera të KQZ-së.
  • Sfida kryesore është, gjithsesi, nëse do të jetë e mundur të largohemi nga përbërja aktuale partiake e administratës zgjedhore të bazuar në një balancë ndërmjet të dyja partive politike kryesore, në një administratë zgjedhore që përfshin elementë jopartiakë dhe të paanshëm. Ky ndryshim është i domosdoshëm nëse dëshirohet të ulen konfliktet dhe polarizimi brenda administratës zgjedhore. Megjithatë, në rrethanat aktuale do të jetë ekstremisht e vështirë në Shqipëri të identifikohet një person ose një organ, i cili mund të caktojë anëtarë kaq jopartiakë në administratën zgjedhore.

Braçe: Pakti PD-PS të niste nga ndryshimi i kushtetutës

Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erjon Braçe, ka kritikuar marrëveshjen politike të nënshkruar mes kyesocialistit Rama dhe kreut të qeverisë, Sali Berisha. Braçe ka zgjedhur rrjetin “Facebook” për të shprehur pakënaqësinë e tij përsa u përket pikave të paktit PD-PS. Sipas tij, më rastin e 100-vjetorit të shtetit shqiptar, po konsolidohet shteti partiak, dhe jo shteti i së drejtës. Nënkryetari i Grupit të PS-së u është lëshuar kritikave duke thënë se marrëveshja duhet të niste nga ndryshimi i librit themeltar të shtetit, në mënyrë që Presidenti i Republikës të mos jetë një figurë partiake. “Në 100-vjetorin e shtetit po konsolidojmë shtetin partiak! Mendoni një shtet që do drejtohet nga Jozefina Topalli Presidente, Sali Berisha Kryeministër, Albana Vokshi kryetare Kuvendi! Ndaj, marrëveshja duhet të niste nga ndryshimi i Kushtetutës së shtetit partiak, jo nga Kodi i Detit pa varka!”, deklaroi Erjon Braçe. Nënkryetari i Grupit të socialistëve reagoi lidhur me deklaratat e shefit të qeverisë, i cili një ditë më parë pohoi se Presidenti do të zgjidhet nga radhët e Partisë Demokratike dhe se kandidatura e Fatos Nanos dhe e Bamir Topit nuk do të ishin në asnjë rast propozimet e së djathtës.

“PS, jo bisht i maxhorancës”

Kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, i kërkoi dje PS-së që të ndryshojë sistemin zgjedhor. “Opozita nuk është për t’u shërbyer si bisht i maxhorancës, aq më tepër kur bëhet fjalë për themelin e reformës zgjedhore. Opozita ka një platformë të vetën, tepër të legjitimuar e të argumentuar, ku ka dhe një qëndrim të sajin se çfarë sistemi i duhet Shqipërisë, një sistem demokratik që nuk deformon votën, pra korrektimin kombëtar”, tha kreu i socialdemokratëve.

Adi Shkembi

© Panorama.al

Te lidhura