PD, Alibeaj në krye të komisionit për Spahiun

Jan 26, 2012 | 11:48

Nënkryetari i KLD, Kreshnik Spahiu

Sot, vendimi në Parlament, anëtarë: Çoba, Hoti, Bogdani e Aliolli

Partia Demokratike do të votojë sot për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Në rendin e ditës, të publikuar në faqen e Kuvendit, pika e gjashtë është pikërisht kërkesa e 33 deputetëve të maxhorancës “për nisjen e procedurës së shkarkimit nga detyra të zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Kreshnik Spahiu”. Burime nga PD-ja bëjnë të ditur se janë caktuar edhe pesë anëtarët që do të jenë pjesë e komisionit, puna e të cilit duhet të përfundojë brenda tre muajve. Kryetar i komisionit do të jetë anëtari i Komisionit të Ligjeve dhe ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ndërsa anëtarë do të jenë Ramiz Çoba, Paulina Hoti, Gerti Bogdani dhe Ledina Aliolli. Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka deklaruar më parë që nuk do të jetë pjesë e komisionit hetimor, të cilin e quan një çështje vetëm të maxhorancës. Në raportin e hartuar nga sekretari i Komisionit të Ligjeve, Viktor Gumi, që do t’i paraqitet sot seancës, thuhet se “organi i emërtesës, në rastin konkret Kuvendi i Shqipërisë, ka kompetencën kushtetuese edhe të shkarkimit nga detyra të anëtarit që zgjedh ai vetë. Kjo do të thotë se kërkesa kërkon shkarkimin nga detyra të anëtarit të zgjedhur nga Kuvendi në KLD, zotit Kreshnik Spahiu, që, njëkohësisht, mban edhe detyrën e zëvendëskryetarit të KLD-së. Kërkesa përmban, madje, shkaqet për të cilat kërkohet masa e shkarkimit dhe motivacionin përkatës: respektivisht sepse ka kryer akte dhe sjellje që diskreditojnë rëndë figurën e një anëtari të një organi kushtetues”. Ndërsa opozita pritet të mbajë të njëjtin qëndrim refuzues si një javë më parë në Komisionin e Ligjeve. “Çështja që po trajtojmë sot është një çështje tërësisht e juaja, nuk është çështje e opozitës. Ju jeni të kompleksuar nga e gjithë kjo histori, edhe nga marrëdhënia me Kreshnik Spahiun, për shumë arsye, që për etikë, për edukatë, nuk dua t’i them sot këtu. Në të gjitha aspektet, por më kryesori, në atë që po gjykojmë, në aspektin politik, kushtetues dhe ligjor, kjo është çështja juaj, nuk është e opozitës. Dhe e dini pse nuk është çështje e opozitës? Sepse nuk e kemi zgjedhur ne Kreshnik Spahiun nënkryetar të KLD-së, e keni zgjedhur ju”, tha Xhafaj në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve.

Spahiu: Nisma, antikushtetuese
Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, e ka quajtur politik shkarkimin e kërkuar nga maxhoranca. “Vendosa të distancohem nga këto nisma antikushtetuese, nuk do të marr pjesë kurrë në punimet e këtij komisioni që ngrihet në kushtet antiligjore dhe kushtetuese. Kur ky pushtet nuk dëgjon zërin e një drejtuesi, si mundet të dëgjojë zërin e qytetarëve që e kanë votuar?! Prej ditës së sotme kam vendosur së bashku me këshilltarët e mi të përgatisim materialin për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetute”, është shprehur Spahiu.

Shkarkimi i Kreshnik Spahiut
Grupi i PD-së i është referuar nenit 147, paragrafi i parë i Kushtetutës, nenit 114 të Rregullores së Kuvendit dhe një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2002, për të argumentuar shkarkimin e Kreshnik Spahiut nga pozicioni i anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ndërsa në nenin 114 të Rregullores së Kuvendit thuhet se kryetari i Kuvendit ia dërgon Komisionit të Ligjeve kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor. Komisioni i Ligjeve hartoi një raport, i cili do të votohet në Kuvend dhe nëse merr shumicën e votave, komisioni hetimor fillon nga puna.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura