“Pasuritë me origjinë kriminale janë si një tumor”- Kreu i SPAK, Klodian Braho: S’ka zgjidhje tjetër veçse të sekuestrohen e të konfiskohen sepse i japin fuqi financiare grupeve

Jul 3, 2026 | 12:43

Drejtuesi i SPAK, Klodian Braho deklaroi para deputetëve në Komisionin e Ligjeve se pasuritë me origjine kriminale janë si një tumor.

klodian braho

Në interes të pyetjes së socialistit Damian Gjiknuri, i cili ngriti shqetësimin për ndikimin që sekuestrimet e kompanive të ndërtimit mund të kenë në ekonomi, Braho, tha se institucioni ka trajtuar disa raste të sekuestrimit të pasurive që dyshohen se janë produkt i krimit të organizuar.

Sipas Brahos, pikërisht këto të ardhura të paligjshme krijojnë potencial për korrupsionin e zyrtarëve publikë.

Damian Gjiknuri: Për sektorin që ju e keni konstatuar penetrimin e parasë së paligjshme në sektorët e ndërtimit, duke marrë parasysh që ndërtimi është 25% e GDP, një vlerë goxha e madhe në raport me sektorët e tjerë të ekonomisë, fakti që ju herët e fundit keni sekuestruar kompani, asete kompanish duke ditur që ekspozimi i këtyre kompanive në zinxhirin e furnizimit për shumë palë, kontraktorë porositës të aseteve qoftë të huaj e shqiptarë, a është në gjendje SPAK sot të mendojë që mund të rrezikohen sektorë të tërë të ekonomisë të lidhur me këtë fenomen, qoftë porositësit qoftë furnizuesit të cilët janë të pafajshëm, njerëz që janë në mirëbesim. Ky është element që duhet marrë parasysh, si do mbrohen porositësit e palët e treta furnitorët?

Klodian Braho: E vërtetë që kemi pasur disa raste që lidhen me sekuestrime të pasurive dyshohen se janë produkt i krimit të organizuar. Ajo që duhet të kemi të qartë e që duhet të kuptojmë mirë të gjithë është që produktet, pasuritë që kanë origjinë nga krimi, sidomos nga krimi i organizuar, sidomos nga grupe kriminale me shtrirje ndërkombëtare, janë si një tumor në trupin e njeriut në ekonomi. E nuk ka zgjidhje tjetër veçse ato të sekuestrohen e të konfiskohen sepse nuk shërbejnë për asgjë tjetër veçse i fuqizon ato grupe e u jep fuqi financiare që ato të vazhdojnë veprimtarinë e tyre të krimit të organizuar dhe është pikërisht ai produkt që është potenciale që sjell pastaj korrupsionin e zyrtarëve publikë. Pra në këtë pikë SPAK është i vendosur që në çdo rast që konstaton pasuri që kanë lidhje me veprën penale, që janë të personave të përfshirë në këto aktivitete e janë të pajustifikuara do merren masat që parashikon ligji.

© Panorama.al

Te lidhura