Pastruan 500 mijë USD me naftën, 3 në pranga

Sep 19, 2011 | 11:42

Tre persona u arrestuan, ndërsa 11 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë nga Policia dhe Prokuroria e Fierit, për një skemë disamilionëshe të evazionit fiskal në dëm të shtetit, me vlerën e së paku 150 mijë dollarëve shmangie.Prokuroria e Përgjithshme dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit në dy deklarata të ndara nga njëra-tjetra, informuan dje në lidhje me operacionin e koduar me emrin “Kompania Guaskë”. Sipas burimeve zyrtare, gjatë aksionit u ekzekutua masa e sigurisë arrest me burg për tre shtetas, ndërsa për dy të tjerë u verifikua prezenca dhe iu njoftua  masa e sigurisë detyrim paraqitje. Besnik Murataj, 37 vjeç, inspektor në Portin e Durrësit, së bashku me ekonomistin Ervis Sinanaj, 32 vjeç dhe shtetasin Dylejman Qerimi, janë arrestuar. Masa e sigurisë detyrim paraqitje iu komunikua ndërkohë edhe shtetasit Vangjel Profka, shofer dhe Sotiraq Sallaku, po ashtu shofer.
Evazioni fiskal
Në prill të këtij viti, Prokuroria filloi hetimet, pasi mësoi se shtetasi Besnik Murataj, në bashkëpunim me Ervis Sinanajn dhe Dylejman Qerimin krijuan një shoqëri tregtare “Guaskë”, inekzistente. Ata e regjistruan këtë shoqëri në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, me administrator shtetasin Selman Doçi. Shoqëria mori emrin “Mobil Albania”, me numër NIPT L02806405S, me objekt veprimtarie private në fushën e tregtisë me shumicë e pakicë, import-eksport të prodhimit të mobilieve, mallrave të ndryshëm industrialë, mobilie zyrash, prodhim dhe tregtim materialesh ndërtimi. Sipas hetimeve të Prokurorisë, kjo shoqëri është krijuar prej të akuzuarve me qëllim futjen në qarkullim dhe mbulimin e natyrës së krijimit të shumës se lekëve prej 500 mijë dollarë. Sipas hetimeve të Prokurorisë, shoqëria fantazmë e krijuar nga të dyshuarit, “Mobil Albania”, rezulton të ketë kryer blerje te naftës bruto te shoqëria “Stream Oil Gas, l.t.d”, në shumën prej 310 mijë dollarë. Kjo shoqëri (Mobil Albania) ka bërë blerje të naftës bruto nga muaji Maj–Gusht të vitit 2010 te subjekti “Stream Oil Gas l.t.d”, në shifrën 33.9 mijë dollarë, që i korrespondon sasisë 1 476 743 litra naftë bruto. Çmimi i blerjes së naftës, referuar aktit të konstatimit, është 23 lekë/kg. Sipas Prokurorisë, subjekti “Mobil Albania” ka shitur 210 181 m3 naftë, me çmimin 46 lekë/kg, që kap vlerën 9 668 331 lekë. Prokuroria tha se ky subjekt nuk ka deklaruar shitje sasinë prej 1 266 562 tonë. Po ashtu, shoqëria “Mobil Albania” ka shmangur të gjitha detyrimet tatimore, të detyrueshme për t’u paguar. Kështu, nuk rezulton të jetë paguar akciza e pagueshme për sasinë e shitur prej 1 476 743 lëndë djegëse, në bazë të ligjit Nr. 8976, datë 12.12.2002, “Për akcizën në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar.

Të akuzuarit
1. Besnik Murataj, inspektor në Portin e Durrësit, i dyshuar për veprat penale të “Pastrimit të produkteve të veprës”, në bashkëpunim dhe “Mashtrimit”, në bashkëpunim.

2. Dylejman Qerimi, shofer, i dyshuar për veprat penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, në bashkëpunim dhe “Mashtrimit”, në bashkëpunim.

3. Ervis Sinanaj, ekonomist, i dyshuar për veprat penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, në bashkëpunim dhe “Mashtrimit”.

4. Vangjel Profka, dyshuar për veprat penale të “Moskallëzimit të krimit”, “Falsifikimit të formularëve, vulave dhe stampave”, dhe “Deklarimit të rremë përpara prokurorit”.

5. Sotiraq Sollaku, i dyshuar për veprat penale të “Moskallëzimit të krimit”, “Falsifikimit të formularëve, vulave dhe stampave”, dhe “Deklarimit të rremë përpara prokurorit”.

11 ne hetim
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit deklaroi dje se, pas kryerjes së operacionit “Kompania Guaskë”, edhe 11 persona po hetohen me akuzën e bashkëpunimit në kryerjen e veprave penale të pastrimit të parave, mashtrimit dhe falsifikimeve. Sipas Policisë, vepra penale është kryer gjatë 4 muajve, ndërkohë që në realizimin e skemës së mashtrimit kanë marrë pjesë një numër i konsiderueshëm personash, siç dyshohet, 16 të tillë, përfshirë të arrestuarit dhe personat në hetim.

Ekonomisti
E gjithë mënyra e shmangies së detyrimeve fiskale, tatimore dhe shmangia e pagesave të sigurimeve shoqërore në aktivitetin e shit-blerjes së naftës së papërpunuar (nafta “Virgin”) është realizuar nga ekonomisti Ervis Sinanaj. Sipas Policisë dhe Prokurorisë, ky shtetas ka mbajtur dokumentacionin e veprimtarisë ekonomike dhe financiare të kompanisë, e cila ka futur në veprim 310 mijë dollarë dhe ka arritur fitim bruto 150 mijë dollarë, duke përfshirë faktin se nuk kishte derdhur detyrimet.

“Dëmi ndaj shtetit 150 mijë USD”

FIER – Një shumë prej 150 mijë dollarësh duhej të ishte arkëtuar në formën e tatimit dhe TVSH-së në arkën e shtetit nga veprimtaria e biznesit të kompanisë, e cila ka ekzistuar në mënyrë fiktive, pa u regjistruar në Tatim-Taksa. Sipas Prokurorisë, kjo shoqëri nuk ka paguar as TVSH, tatimin mbi të ardhurat apo sigurimet shoqërore, duke shmangur në këtë mënyrë të gjitha detyrimet ligjore, që kapin shumën 15 986 415 dollarë. Sipas Prokurorisë, kjo shoqëri është krijuar për të shmangur të gjitha detyrimet tatimore, të cilat kapin vlerën 15 986 415 dollarë (fshehje akcize + tatim fitimi + TVSH + sigurime shoqërore).

I papuni i varfër që u “emërua” president i kompanisë së naftës
Tre personat e arrestuar në Fier ditën e djeshme kishin gjetur një mënyrë origjinale për drejtimin e kompanisë fantazmë që kishin krijuar. Ata kanë siguruar një person të papunë dhe në gjendje të vështirë ekonomike, shtetasin Selman Doçi, të cilit i kanë premtuar që në shkëmbim të krijimit të kësaj shoqërie dhe pranimit nga ai për të shkruar emrin si drejtues, do t’i krijonin atij një shoqëri tjetër të vetën, ku fitimet do t’i kishte të gjitha për vete. Sipas Prokurorisë, mësohet se shtetasi Selman Doçi ka marrë edhe pagesën mujore 100 mijë lekë, në mënyrë që të paraqitej në Fier për plotësimin e dokumenteve dhe realizimin e procedurave. Sipas hetimeve, shtetasi Dylejman Qerimi ka shërbyer si ndërmjetës kryesor për të lidhur shtetasin Besnik Murataj me shtetasin Selman Doçi, që fiktivisht u bë president i kompanisë. Dylejmani është favorizuar për të bërë ndërlidhjen, nisur nga fakti që me Selmanin njiheshin se ishin bashkëfshatarë dhe kishte dijeni për gjendjen e vështirë të tij ekonomike. Po ashtu, i gjithë dokumentacioni është përpiluar nga shtetasi Ervis Sinanaj, me profesion ekonomist dhe me njohuritë e duhura ligjore. Të gjitha transaksionet bankare janë kryer nga shtetasi Ervis Sinanaj, ndërkohë që janë nënshkruar nga ana e shtetasit Selman Doçi. Shtetasi Ervis Sinanaj, veprimet bankare i ka kryer në BNT, duke u ndihmuar nga fakti se drejtor i kësaj banke ishte vëllai i tij, shtetasi Ilir Sinanaj. “Hetimet në lidhje me këtë procedim janë në vazhdim për persona të tjerë si  të implikuar në lidhje me këtë ngjarje”, tha Prokuroria.

Hetim rimbursimit për naftën “Virgin”

I akuzuari, Hajri Elezaj

Çdo kompani shqiptare, që eksporton jashtë vendit mallra dhe produkte, përfiton nga shteti shqiptar rimbursimin e pagesës së akcizës dhe TVSH–së.Një rimbursim i tillë në mënyrë të paligjshme është përfituar nga kompania “Euroil”, në pronësi të biznesmenit Hajri Elezaj, tashmë i shpallur në kërkim nga Gjykata e Tiranës, pas thyerjes së masës së sigurisë “arrest shtëpie” që u vendos ndaj tij pas arrestimit. Prokuroria e Tiranës filloi hetimet më 13 tetor 2010 ndaj të akuzuarit Hajri Elezaj për veprat penale të “mashtrimit”, “falsifikimit të dokumenteve” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Sipas akuzës, personi nën hetim Hajri Elezaj, duke vepruar me cilësinë e përfaqësuesit ligjor të Shoqërisë “Euroil” sh.a. ka bërë të mundur që të përfitojë rimbursim të TVSH-së, në mënyrë të padrejtë, pasi dyshohet që me veprimet e tij të ketë falsifikuar dokumente, duke pasqyruar një sasi të konsiderueshme nafte “Virgin” si të eksportuar në mënyrë fiktive dhe duke e shitur këtë sasi në tregun e brendshëm. Sipas Prokurorisë së Tiranës, Njësia Task-Force i ka përfunduar hetimet në lidhje me kontrabandën e naftës dhe është duke kryer së fundi një ekspertim kontabël për shumën e dëmit, që i është shkaktuar shtetit nga rimbursimi i padrejtë i eksportit të rremë të naftës në rastin e kompanisë “Euroil”.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, sasia e naftës “Virgin”, e blerë prej shoqërisë “Euroil” sh.a. nga shitësi shoqëria “Armo” sh.a., është shumë më e vogël nga ajo e dy deklaratave doganore për praktikat e datave 10 dhe 28 shkurt 2009, të cilat pasqyrojnë sasinë 17 mijë tonë, ndërkohë që nga aktet e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, sasia që figuronte gjendje në depot e “Euroil”, e deklaruar prej kësaj të fundit në tatime, është vetëm 3681,2 tonë. Sipas akuzës, krijimi i dy praktikave doganore, që pasqyronin të dhëna të rreme, të sipërpërmendura nga Shoqëria “Euroil”, i ka shërbyer këtij subjekti të përfitonte rimbursimin e paligjshëm të TVSH-së. “Euroil” sh.a është provuar se ka pasur detyrimin të eksportonte jashtë vendit nënproduktin “Virgin nafta”, por nga shkresat e DPD, datë 28.12.2010 dhe atyre të tërhequra nga dogana, në lidhje me ngarkesat e anijeve “Rita S” dhe “Calitea”, rezulton se nafta “Virgin” nuk është eksportuar, por dokumentacioni i shoqërisë “Euroil” përmban të dhëna të rreme. Një sasi e madhe e naftës “Virgin”, jo vetëm që është deklaruar në mënyrë fiktive si e eksportuar jashtë vendit, por kjo sasi nuk ka qenë e blerë nga shoqëria “Euroil” sh.a.  Rimbursimi mësohet se ka qenë në shuma mbi 300 mijë euro. Konkretisht, kompania “Euroil” akuzohet se ka plotësuar dokumente false sikur po e eksportonte naftën “Virgin” për përpunim jashtë vendit, duke përfituar kështu rimbursim nga shteti për sasitë e mëdha, ndërkohë që nga ana tjetër nafta nuk dilte nga Shqipëria e madje shpërndahej në treg dhe shitej e papërpunuar pas përzierjes me lëndën e pastër “D2”. Për këtë çështje, prokuroria arrestoi vitin e kaluar më shumë se 10 persona, përfshi edhe biznesmenin Hajri Elezaj, i cili pak muaj më parë doli nga arresti me burg me vendim gjykate dhe u la me qëndrim të detyruar në shtëpi, por më pas humbi gjurmët.

Gjykimi
Njësia Task-Force në Prokurorinë e kryeqytetit mësohet se ka përfunduar hetimet për kontrabandën e naftës “Virgin”. Hetimet kanë faktuar se dokumentet e bëra sikur nafta dërgohej jashtë Shqipërisë janë false, pasi në doganat e shteteve pritëse të mallit nuk është mbajtur shënim asnjë gjë e tillë për mbërritjen e naftës. Po kështu, Prokuroria ka verifikuar se nafta që deklarohej se po dërgohej jashtë Shqipërisë, është shitur brenda vendit.

Denoncimi i Priftit hapi hetimin
TIRANE – Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, denoncoi një vit me parë skemën e naftës “Virgin”. Sipas dëshmisë që dha publikisht ish-ministri Prifti, rezultoi se dy kompani e blinin naftën e papërpunuar në Ballsh dhe më pas bënin dokumente false sikur e dërgonin jashtë për përpunim nga Porti i Vlorës. Ndërkohë, autobotet me naftë të papastër shpërndaheshin nga Fieri dhe Vlora deri në Durrës, duke dërguar naftën e papastër në pika të ndryshme karburantesh, ku përzihej e shitej me naftën “D2”. Pas dëshmisë së Priftit, Prokuroria filloi hetimet kryesisht dhe arrestoi 9 persona.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura