Pastrohet shtrati i lumit, shmangen përmbytjet

Dec 12, 2011 | 16:34

GJIROKASTER- Shtrati i lumit Drino është pastruar plotësisht dhe nuk përbën më kërcënim për përmbytje të luginës.

Pastrimi i shtratit ka prekur një gjatësi prej 2.1 km dhe vlera shkon deri ne 90 milion lek.  Sipas specialistit të Ndërmarrjes së Ujrave në Gjirokastër, Niko Lici, ndërhyrja ka siguruar rjedhën normale të lumit në kohë reshjesh duke shmangur përmbytjen e tokave bujqësore, rrugës nacionale dhe veçanërisht Nënstacionin Elektrik.

Shtrati i lumit Drino, i cili e kishte humbur fizionominë e tij gjatë viteve të tranzicionit, pas realizimit të plotë të këtij projekti, do të shkojë në një gjerësi prej 80 metra linearë.  Në një ndërhyrje të mëvonshme, synohet prekja e shtratit të lumit nga Nënstacioni Elektrik i ri deri në afërsi të fshatit Mashkullorë.

Projekti për pastrimin e tij mori një rëndësi mjaft të veçantë po të merret në konsideratë se në periudhën me reshje, përmbytjet ishin mjaft të shpeshta sidomos në rrugët që të çonin në Komunat e Antigonesë, Lunxhërisë dhe Zagorisë.

Piro Nase

© Panorama.al

Te lidhura