Zgjedhjet ishin shumë të mira. Na e thanë edhe ndërkombëtarët”, raporton një pjesë e mediave në Shqipëri, duke cituar politikanët e njërës palë. “Këto zgjedhje ishin një shans i humbur për Shqipërinë, që shkeli ligjin e shpërfilli institucionet.Na e thanë edhe ndërkombëtarët”, raporton pjesa tjetër e medias, edhe kjo duke cituar politikanë që interpretojnë mesazhet e ardhura nga miqtë e Shqipërisë. Ky është një ndër problemet në çorbën aktuale të politikës shqiptare; interpretimi i mesazheve të dhëna nga ndërkombëtarët. Jo përkthimi, por interpretimi i tyre. Aq i polarizuar është bërë ky interpretim, sa tani shohim se jo vetëm e njëjta deklaratë e të njëjtit njeri, por edhe e njëjta frazë interpretohet sipas dëshirës e interesit nga palët. Jo vetëm kaq. Media i shton dozën e vet të interpretimit, e, si rrjedhim, kemi zotin Kukan, kryesues i Delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin, që rezulton edhe t’i ketë mbrojtur zgjedhjet, edhe t’i ketë sharë ato. T’i ketë dhënë të drejtë procesit të pas 484-485 (kufiri i fundit i një procesi pa normalitet), por edhe ta kenë vënë në pikëpyetje këtë proces. Deklaratën e tij e kupton si të duash; varet kë politikan shqiptar dëgjon ta interpretojë dhe te cili kanal televiziv e sheh. Ndaj është bërë tani e domosdoshme të dëgjosh në origjinal dhe të plotë fjalën e ndërkombëtarëve, që të jesh në gjendje të kuptosh se ç’thuhet. Ja një fjali në origjinal e thënë nga Kukan në datën 25 maj, teksa raportonte në Parlamentin Europian për procesin zgjedhor në Shqipëri: “The legal part of the electoral code raises some questions, but this must be left to experts and respective institutions”. (Ana ligjore e Kodit Elektoral ngre disa pyetje, por kjo u duhet lënë ekspertëve dhe institucioneve përkatëse).
Partia në pushtet dhe mediat rreth saj e interpretuan si thirrje ndaj opozitës, që ajo ta lërë të qetë KQZ-në të bëjë punën e saj, madje, edhe të pranojnë rezultatin e shpallur nga ajo. Ndërkaq, socialistët e opozitës e interpretuan si thirrje ndëshkuese ndaj të djathtëve (dhe të majtëve që kanë përreth), që të mos cenojnë punën e KQZ-së, se procesi është i cunguar e rezultati i shpallur nga KQZ-ja është i paligjshëm. Mund të interpretohet edhe si tregues shqetësimi për pikëpyetjet që ngre Kodi Zgjedhor e, meqenëse politikisht këto pikëpyetje janë keqpërdorur, atëherë duhet që me to të merren vetëm juristët e gjyqtarët, por jo politikanët.
Akoma nuk figuron që Berisha apo Rama të jenë pajisur edhe me Diplomat e Ekspertit në fushën e së drejtës, megjithatë, duke marrë të mirëqenë sjelljen e tyre publike si “ekspertë që dinë gjithçka”, edhe mund të kuptohet interpretimi i dyanshëm që i bëjnë së njëjtës deklaratë. Po media, me ç’të drejtë dhe në ç’cilësi i interpreton njëjtësisht në mënyrë të polarizuar deklaratat?
Si zhvillimet e çuditshme në KQZ javën e fundit, ashtu edhe thirrjet për revolta popullore, janë dënuar nga gjuha e përpunuar e ndërkombëtarëve. Sado djathë të na duket sapuni i sjelljeve politike, prapë e qartë ngelet që këto dy momente janë të turpshme për Shqipërinë e 2011-s. Por, shqetësimi që lind rishtazi është se sa më shumë të keqinterpretohen deklaratat e të huajve sipas interesave partiake, aq më shumë polarizohet gjendja dhe aq më shumë rritet tensioni politik.
Edhe theksi i deklaratës së bërë nga zv.ndihmëssekretari i Shtetit për Euroazinë, Tomas Kantrimen, u soll për shembull në dy prizma: njëra palë pretendon se Kantrimen mbrojti ligjshmërinë dhe pozitivitetin e procesit, përfshirë edhe shpalljen e rezultatit, duke vënë në plan të parë fjalinë e tij: “Mendoj se këto ishin zgjedhjet më të pastra dhe të drejta që ka parë Shqipëria në historinë e saj”. Mirëpo ky mendim dhënë në “Zërin e Amerikës”, vazhdonte edhe më tej me: “Nuk dua të minimizoj problemet që u shfaqën dhe që vazhdojnë të jenë, por shoh shumë shenja pozitive në mënyrën si u zhvilluan këto zgjedhje”.
Këtu mbaron raportimi i parë nga e djathta. Ndërkaq, e majta dhe mediat pranë saj, si pjesën kryesore të deklaratës së Kantrimenit shohin problematikën që ai ngre për procedurat e ndjekura nga KQZ-ja: “Rregullat për numërimin e votave të hedhura gabim u bënë pas ditës së zgjedhjeve dhe baza ligjore e këtij vendimi nuk është e qartë për ne. Megjithëse e kuptojmë argumentin e KQZ-së, mendoj se ky vendim mund dhe duhej të ishte bërë para zgjedhjeve dhe me konsensus mes partive, pa pasur nevojë të hidhte hije mbi një proces që ishte shumë pozitiv”, dhe politika e media pranë së majtës merren pikërisht me këtë pjesë të deklaratës së Kantrimenit. Megjithëse shtojnë edhe pjesën tjetër të deklaratës së tij, që vijon me: “Dua të vë në dukje se unë nuk po them që vendimi është i paligjshëm. Unë thjesht po them se baza ligjore nuk është e qartë për ne dhe duket se nuk është në përputhje me praktikat e mëparshme të komisioneve zgjedhore”. Ana e majtë e politikës dhe e medias e lë jashtë pjesën e parë të vlerësimit për zgjedhjet, ashtu siç e djathta injoron në mënyrë flagrante pjesën e dytë të deklaratës, që identifikon problematikën absurde të këtij procesi zgjedhor.
Sipas interpretimeve, të dyja palët kanë të drejtë në qëndrimet e tyre, të cilave mundohen t’iu veshin edhe fjalët e gjoja mbështetjen e ndërkombëtarëve. E vërteta është se deklaratat, të plota e të përkthyera saktë, qartë dhe pa interpretime politike, nuk jepen nga asnjëra palë. Me vëmendjen më të vogël, po t’i shohësh të dyja deklaratat e sjella si shembull, fshikullojnë si procedurat e paqarta të ndjekura nga KQZ–ja pas 15 majit, ashtu dhe sjelljen e së majtës dhe nxitjet e saj për tensionim të mëtejshëm të situatës. Të dyja palët kanë humbur në mënyrë të turpshme në Tiranë, sepse diferenca, si me 10 vota, ashtu edhe me 80, është një rezultat për t’u pasur frikë nga palët. E, meqë janë ekspertë të interpretimit, secili prej këtyre dy rezultateve duhet përkthyer si mungesë totale besimi që ka elektorati te të dy kahët politikë. Përndryshe, diferenca do të ishte më e kuptueshme për ta dhe më legjitime për sjelljen e të tyre. Kështu siç janë votat, procedurat dhe interpretimet sipas interesit, nuk ka asnjë shans për përmirësim. Ndaj, që edhe qytetarët të marrin atë që presin e që meritojnë (e në këtë pikë, të gjitha deklaratat bien të paktën në një mendje), atëherë, manipulimi i gjithçkaje nën dritën e diellit është mirë që në fakt të marrë fund. Se qytetarët dinë edhe të shohin, edhe të dëgjojnë goxha mirë, pa qenë nevoja për ndërmjetësues që të bëjnë qorr, shurdh apo agresiv. Pamja, pra, duhet parë e plotë, edhe pse është e frikshme për më shumë se një palë, që përveç se manipuluese dhe tallëse në interpretime, nuk është në gjendje të sjellë tjetër zhvillim në situatën e paqartë ku e kanë futur vendin. Sërish.
© Panorama.al












