Dafina Zeqiri dhe Krenar Çoçaj janë ndarë përfundimisht. Një nga çiftet më të përfolura në faqet e shtypit rozë së fundi, jo vetëm në Kosovë por edhe në Tiranë, i kanë dhënë fund përfundimisht lidhjes së tyre të gjatë. Direkt pas shpërndarjes së lajmit disa gazetave me e-mail nga një mikeshë e këngëtares, është kontaktuar nga gazetarët kosovarë Krenar Çoçaj, i cili nuk ka pranuar të flasë për mediat, duke thënë se është i zënë dhe për momentin nuk mund të flasë. Ndryshe ka ndodhur me këngëtaren, e cila për herë të parë e pranon vetë ndarjen, pasi ka deklaruar këtë lajm nga jeta e saj private në profilin në Twitter fillimisht, dhe më pas në një intervistë ekskluzive dhënë para pak ditësh për emisionin e njohur që shfaqet në “Klan Kosova”, “Prive”. Dafina Zeqiri me qetësi ka konfirmuar ndarjen nga ish-i dashuri Krenar Çoçaj, duke e përmbledhur me fjalët: “Kur s’shkon mirë një lidhje, zgjidhja më e mirë mbetet ndarja”. Këngëtarja më e kërkuar e momentit ka shpjeguar më tej me pak fjalë: “E vërteta është që nuk jam më në lidhje me Krenarin, pasi me kalimin e kohës lidhja zbehet, kupton që nuk përshtatesh më me atë person, dhe zgjidhja më e mirë është ndarja, pas së cilës secili të vazhdojë rrugën e jetës së vet”. E shumëpëlqyera dhe mjaft e përfolura kohët e fundit për lidhjen e saj problematike me Krenarin, ka vendosur që t’i bjerë shkurt, duke e pranuar vetë dhe duke shpresuar se thashethmanaja do të mbyllet me kaq. Çifti ka qenë dhe më parë objekt i diskutimeve dhe shkrimeve në gazeta, pas një ndarjeje me sherr që bënë para dy muajsh, kur Dafina mori garderobën nga shtëpia ku bashkëjetonte me Krenarin. Atëherë u përfol për një lidhje të re që ajo kishte krijuar me Drin Zatriqin, djalin që ndërkohë ishte menaxheri i saj. Ky i fundit e mohoi publikisht të kishte ndonjë lidhje me Dafinën, ndërkohë që çifti Krenar dhe Dafina u panë të ridilnin sërish bashkë duke provuar edhe një herë rilidhjen. Ndërkohë që në këtë ndryshim të jetës së saj, ajo ka vendosur të shkëputet dhe nga menaxheri Zatriqi, duke u dhënë fund bashkëpunimeve të vjetra. Në intervistën e sipërpërmendur televizive, përveç të tjerash Duffye bëri të ditur se kurrë nuk ka qenë pjesë e grupit “ Baba Stars”, pjesë e të cilit është reperi Getoar Selimi dhe që menaxhohet nga Drin Zatriqi. Duke mos preferuar të flasë shumë gjatë për arsye të tjera të ndarjes, ajo ka paralajmëruar lançimin e klipit të këngës “SuperNova”, që i takon albumit të ri “Just Me”. Prishja e marrëdhënies së Dafinës edhe me menaxherin ka ndodhur së fundi, ndërsa thuhej se ishte duke e bërë një videoklip me reperin Getoar Selimi të titulluar D&G. Edhe pse kjo video ishte paralajmëruar se do të jepej premierë më 1 dhjetor, data është shtyrë. Dafina rrëfen se xhirimet e klipit “D&G” janë shtyrë për shkak të problemeve të Dafinës me Krenarin. Për këtë kishte dhënë përgjigje sërish në Twitter, duke sqaruar se ka ndërprerë marrëdhëniet me “Baba Stars”, për shkak të mospërputhjes dhe mënyrës së punës. Ajo ka sqaruar se s’kam qenë kurrë pjesë e produksionit të “Baba Stars”, ndërsa me Zatriqin nuk jemi përputhur nga ana profesionale e menaxhimit dhe punës. “Kënga D&G ka qenë kënga ime e albumit të ri, por menaxheri më kërkoi që ta realizoja me Getoar Selimin dhe e pranova. Por puna nuk eci në mënyrë profesionale siç unë kam menduar, dhe bashkëpunimi u ndërpre, ndaj vazhdova me një tjetër këngë”, tha këngëtarja. Por cilët do të jenë bashkëpunorët e saj të rinj, tashmë që ka ndërprerë bashkëpunimet e saj të vjetra? Dafina ka përmendur në intervistë emrin e reperit Big Basta, të cilin edhe e ka falënderuar si autor të tekstit të këngës “Supernova” dhe disa teksteve në albumin e saj të ri. Ndërkohë që tashmë të besuarit e saj ajo nuk i kërkon më në Kosovë, por i ka hedhur sytë nga Shqipëria e Suedia, vendi ku është rritur. Edhe pse e komentuar si një femër seksi, lidhja e saj me Krenarin nuk ka qenë aq e qetë sa mund të mendohej. Ajo u përfol për një ndarje pak kohë më parë, pasi u tha se Krenari kishte pasur një lidhje me modelen kosovare, Xhuli Nura, fakt të cilin ai e kishte mohuar.
Krenari dhe Drini i mbyllin të gjitha profilet e fansave
Fakti që ajo u bëri dalje të dyve në të njëjtën kohë, duket se kjo i ka shtyrë dy shokët e vjetër të bashkohen kundër Dafina Zeqirit, duke bërë të pamundurën që ta eklipsojnë tani me sa munden. I dashuri i saj prej vitesh, Krenar Çoçaj dhe menaxheri i saj së fundi, Drin Zatriqi, pasi i kanë prishur marrëdhëniet me Dafinën, puna e parë që kanë bërë së bashku ka qenë mbyllja e të gjitha faqeve të fansave që Dafina Zeqiri kishte në facebook, duke hequr kështu mundësinë për komente të ndryshme, ku mund të përfliteshin patjetër dhe ata të dy. Ishin me dhjetëra faqet virtuale të këngëtares seksi, ku komentonin fansat, ndërsa tashmë është hapur një faqe e re, që nuk i ka kapur ende 500 fansat.











