Siç njoftojnë mediat në Kosovë, të mërkurën në ambientet e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, i shoqëruar nga avokati Arianit Koçi është shfaqur këngëtari Besnik Çaka, i cili është i akuzuar për marrëdhënie seksuale me të mitur nën moshën 16-vjeçare. Pasi ka kryer procedurat, ai ka dashur të largohet nga Gjykata, por duke parë se jashtë e presin shumë gazetarë, këngëtari i njohur ka preferuar t’u shmanget duke qëndruar për rreth 15 minuta brenda në korridor. I veshur sikur ishte para daljes në ndonjë koncert, Çaka nuk ka dashur të ballafaqohet me mediat jo për të marrë ndonjë deklaratë për ndonjë këngë të re, por për keqpërdorim seksual të një të miture, siç akuzohet nga prokurori Haxhi Dërguti. Ndaj vokalistit të “NRG Band” dhe shtatë personave të tjerë është ngritur aktakuza për keqpërdorim seksual të personave nën moshën 16-vjeçare, që në Kodin Penal të Kosovës sanksionohet me burgim deri në dhjetë vjet. Por seanca e konfirmimit të aktakuzës është shtyrë për 3 korrik, pasi kanë munguar personat e tjerë të përfshirë në aktakuzë. Aktakuza e ngritur nga prokurori publik Haxhi Dërguti, të cilën e ka siguruar gazeta “Koha Ditore”, akuzon Nysret Jasharin (1985) i cili më parë ka qenë i dënuar për vjedhje, Kushtrim Hysenin (1983), Driton Hysenin (1980), Dashnim Aliun (1985) e Elbasan Behlulin (1989) të gjithë nga Ferizaj, të kenë kryer marrëdhënie seksuale me një të mitur, por në vende dhe periudha të ndryshme. Pjesë e së njëjtës aktakuzë është edhe Hamdi Emërllahu (1983) nga komuna e Vitisë, Fatmir Reshani (1983) nga Suhareka dhe Besnik Qaka (1982). Ka qenë fundi i muajit tetor i vitit 2008 kur, sipas aktakuzës, Besnik Çaka ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën M.H. Ajo ishte nën moshën 16-vjeçare. Marrëdhëniet seksuale nën këtë moshë janë vepër penale. Ngjarja kishte ndodhur në motel-restorantin “Rama Petroll” në magjistralen Prishtinë-Lipjan. I akuzuari ka mohuar të ketë kryer marrëdhënie më të miturën duke thënë se nuk e njeh vajzën për të cilën bëhet fjalë. Por në një emision televiziv në Prishtinë është thënë se ngjarja ka ndodhur, madje Besniku ka pirë edhe kafe me vajzën, teksa e motra e tij ka kaluar në dhomën e hotelit së bashku me vëllain e Besnikut.











