Pas marrëveshjes së Italisë me Shqipërinë edhe Holanda drejt krijimit të qendrave të kthimit të emigrantëve të paligjshëm jashtë BE-së

May 25, 2026 | 22:49

Qeveria e Holandës ka avancuar me planet për krijimin e të parave qendra në Evropë të ashtuquajtura “return hubs” jashtë Bashkimit Europian, ku do të dërgohen emigrantët të cilëve u është refuzuar e drejta e qëndrimit në territorin e BE-së.

emigrant

Sipas dokumenteve të qeverisë holandeze të dërguara në parlament dhe të raportuara nga media ndërkombëtare, projekti pritet të konkretizohet me “hapa të prekshëm” në muajt në vijim.

Paralelisht, Holanda së bashku me disa vende të tjera europiane po shqyrton mundësinë e procesimit të kërkesave për azil jashtë territorit të Bashkimit Europian, me synimin për të përshpejtuar kthimin e personave që nuk përmbushin kriteret për qëndrim.

Zëvendëskryeministri dhe ministri për Azilin dhe Migracionin, Bart van den Brink, deklaroi se “në të gjithë Evropën po kërkohen zgjidhje të besueshme dhe funksionale për të rikthyer kontrollin mbi migracionin”, duke shtuar se këto zgjidhje “po marrin formë dhe janë të zbatueshme ligjërisht”, shkruan Politico.

Sipas planit, qendrat e kthimit synojnë të shmangin që emigrantët e refuzuar të qëndrojnë për periudha të gjata në vendet pritëse, sidomos kur vendet e origjinës nuk i pranojnë ata mbrapsht. Në të njëjtën linjë, procesimi i azilit jashtë BE-së synon që vetëm aplikantët e aprovuar të lejohen të hyjnë në territorin europian.

Burime diplomatike bëjnë të ditur se qendra e parë jashtë BE-së pritet të shërbejë jo vetëm për Holandën, por edhe për Greqinë, Gjermaninë, Austrinë dhe Danimarkën, vende që mbështesin një qasje më të ashpër ndaj emigracionit.

Sipas të njëjtave burime, Holanda po bashkëpunon gjithashtu me Danimarkën, Maltën dhe Suedinë për opsionet e procesimit të azilit jashtë Evropës. Italia ndërkohë ka një marrëveshje të ngjashme me Shqipërinë që nga fundi i vitit 2023, e cila ka hasur edhe sfida ligjore.

Qeveria holandeze ka deklaruar se, pas një vlerësimi ligjor, nuk sheh pengesa për krijimin e këtyre strukturave, ndërsa negociatat me vende potenciale pritëse janë ende në zhvillim.

Marrëveshja përfundimtare për krijimin e qendrës së parë pritet të shpallet brenda gjashtë deri në shtatë muajve të ardhshëm, ndërsa procesi i reformës së migracionit në BE është ende në fazë negociatash mes vendeve anëtare.

© Panorama.al

Te lidhura