NGA LEONARD DEMI 
Të sigurosh paqen do të thotë të përgatitesh për luftë
Carl von Clausewitz
Më 15 dhjetor, Kancelari Friedrich Merz mirëpriti në Berlin delegacionin ukrainas, ekipin negociator amerikan, nëntë liderë evropianë (të Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Holandës, Danimarkës, Suedisë, Finlandës, Polonisë dhe Norvegjisë), Presidenten e Komisionit Evropian dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s të miratonin një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës të Rusisë kundër Ukrainës, si dhe garancitë për të. Në këtë proces, që ngërthen vështirësi të mëdha, angazhimi dhe mbështetja e Presidentit Trump u krijoi të dërguarve amerikanë, ukrainas dhe evropianë “një mundësi reale për një proces paqeje”, gati katër vjet pas pushtimit të Ukrainës.
GARANCITË
Negociatorët amerikanë parashtruan angazhime “shumë domethënëse” dhe ligjërisht të detyrueshme për të mbrojtur Ukrainën: për të garantuar një armëpushim me Rusinë dhe të parandalojnë (shkurajojnë) çdo agresion të ardhshëm, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa janë të gatshëm t’i ofrojnë Ukrainës garanci të forta sigurie, “që korrespondojnë” me klauzolën e mbrojtjes së ndërsjellë të Nenit 5 të NATOs, edhe pse Ukraina nuk është anëtare e Aleancës, dmth., do të ndërmarrin menjëherë, individualisht dhe në bashkëpunim, veprime të tilla, që zënë fill me mbështetje ekonomike dhe diplomatike, duke përfshirë përdorimin e forcës të armatosur për të rivendosur dhe ruajtur sigurinë e Ukrainës. Po kështu, ekipi amerikan dhe negociuesit evropianë mbështetën kërkesën e Ukrainës për të mbajtur një ushtri të fortë në kohë paqeje prej 800,000 trupash dhe të vazhdojë të marrë ndihmë të gjerë ushtarake dhe ekonomik, përfshirë mundësinë e përdorimit të aseteve ruse të ngrira.
Për presidentin ukrainas, disa çështje, si: monitorimi i një armëpushimi të mundshëm, sanksionet në rast shkeljeje dhe cili komb do të ishte përgjegjës për mbikëqyrjen e tij kërkojnë më shumë qartësi. Kështu, mekanizmi ndërkombëtar, që do të ngrihet për monitorimin e armëpushimit dhe për të siguruar paralajmërim të hershëm ndaj shkeljeve do të udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara, për shkak të aftësive të tyre teknologjike dhe satelitore.
Përfaqësuesit e Shtëpisë së Bardhë premtuan se do të angazhohen më shumë se në të kaluarën, megjithëse, vërejtën se oferta e tyre nuk do të ishte “e përhershme”, gjë që jep përshtypjen sikur kërkojnë të nxitin Kievin të pranojë marrëveshjen pa vonesë. Për Uashingtonin, këto propozime ngjasojnë me një “kartë platini”, dmth., mbështetje të pakufizuar. Administrata “Trump” ra, gjithashtu, dakord, që plani në zhvillim e sipër do të shqyrtohej nga Senati, pa specifikuar natyrën “ligjërisht të detyrueshme” të votimit ose nëse do të përfshinte ratifikimin e një traktati ndërkombëtar, apo thjesht miratimin e një rezolute.
MOSMARRËVESHJE
Pos përparimit konkret në shumë drejtime, ende mbeten disa pika të pazgjidhura. Më të dukshmet prej tyre janë kërkesat e Rusisë që Ukraina të tërheqë trupat nga territori, që ende mban në Donbasin lindor dhe hollësi teknike, që kanë të bëjnë me monitorimin dhe kontrollimin e armëpushimit.
Në çështjet territoriale ukrainasit kanë qëndrime të ndryshme me ato të Shteteve të Bashkuara, por sigurojnë se do të punojnë “në mënyrë konstruktive” dhe “të drejtë” për to. Edhe pse negociatat e Berlinit riafirmuan qartë respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, mbështetjen e plotë për rrugën e Ukrainës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Presidenti ukrainas refuzon të lëshojë territoret e Donbasit, që ushtria ruse nuk ka arritur t’i pushtojë: “Ne nuk duam të heqim dorë nga Donbasi ynë. As de jure dhe as de fakto nuk do ta njohim Donbasin (pjesën e tij të pushtuar përkohësisht) si rus”. “Është populli ukrainas ai që ka mbrojtur territorin e tij për gati katër vjet me koston e sakrificave të mëdha… dhe i takon Ukrainës të vendosë për lëshime të tilla territoriale”, vëren Kancelari gjerman. Ndërsa, ndaj propozimit që Donbasi të funksionojë si zonë e lirë ekonomike paskonfliktit, Zelensky theksoi se zona të tilla duhet të mbeten nën sovranitetin e Ukrainës, edhe nëse kanë status të veçantë.
Dorëzimi i rajonit të Donbasit Rusisë zemëron forcat e armatosura të Ukrainës dhe qytetarët e vet të zakonshëm. Sipas një sondazhi të opinionit publik të kryer së fundmi nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë i Kievit, 75% e ukrainasve janë kundër tërheqjes nga rajoni lindor i vendit, vetëm 9% e tyre besojnë se lufta do të mbaronte në javët e ardhshme dhe më shumë se 60% janë të përgatitur të vazhdojnë të luftojnë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Në këto rrethana, delegacionet u zotuan të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të qasur qëndrimet. Interesi i Ukrainës është që ta përfundojë këtë luftë sa më shpejt të jetë e mundur, por jo me çdo çmim dhe në qarqet diplomatike ende qarkullon shqetësimi i një Jalte të re. Sidoqoftë, një raund i ri bisedimesh pritet të zhvillohet në Majami, përpara se të dërguarit e Presidentit Trump të bëjnë një përpjekje tjetër për të bindur Vladimir Putinin të pranojë një marrëveshje të mundshme.
PLAN PËR NJË FORCË SHUMËKOMBËSHE
Kryeministri britanik Starmer, Presidenti Macron i Francës dhe udhëheqësit e tjerë evropianë njoftuan, gjithashtu, një plan për të dërguar në Ukrainë një “forcë shumëkombëshe” të udhëhequr nga Evropa dhe që do të mbështetej nga Shtetet e Bashkuara. Dislokimi i saj do të synojë mbrojtjen ajrore dhe detare, ndihmën në trajnimin e ushtarëve ukrainas për të rigjeneruar Forcat e Armatosura, si dhe, në rast armëpushimi, në zbatimin dhe mbikëqyrjen e paqes.
ARMËPUSHIM PARA KRISHTLINDJES
Liderët evropianë kërkojnë të arrijnë një armëpushim para krishtlindjeve: një pauzë të sulmeve ndaj infrastrukturës civile, të paktën gjatë festave. Ata besojnë se ky armëpushim mund të hapë rrugën për negociata të vërteta dhe të drejtpërdrejta midis Ukrainës dhe Rusisë, por në situatën kur ushtria ruse vazhdon të ushtrojë trysni ushtarake në terren, ky armëpushim duket tejet i vështirë. Zëdhënësi i Kremlinit Peskov tha: “Ne duam paqe. Ne nuk duam një armëpushim për t’i dhënë Ukrainës një hapësirë frymëmarrjeje për t’u përgatitur të vazhdojë luftën. Ne duam ta ndalojmë këtë luftë, të arrijmë qëllimet tona, të sigurojmë interesat tona dhe të garantojmë paqen në Evropë për të ardhmen. Kjo është ajo që duam”.
KONSIDERATA
Samiti i Berlinit dëshmoi një angazhim të madh transatlantik për të miratuar një marrëveshje paqeje, për krijimin e një mekanizmi të fortë për të shkurajuar agresionin rus në të ardhmen, si dhe një front të bashkuar përpara se plani t’i paraqitet zyrtarisht Kremlinit. Ky takim shënoi, gjithashtu, një përpjekje vendimtare për të rievropianizuar trajtimin diplomatik të Ukrainës, duke mbajtur Shtetet e Bashkuara të angazhuara, por jo dominues dhe u përpoq të ribalancojë një strukturë paqeje në zhvillim të drejtuar nga SHBA, e cila, në fillim, perceptohej si tepër e favorshme për Rusinë (plani me 28 pika).
Pjesëmarrësit u kujdesën të trajtonin paralelisht shkurajimin dhe diplomacinë: për të ruajtur besueshmërinë përballë Rusisë, veprimtarinë politike dhe legjitimitetin global. Në përfundim, siç paraqitëm më lart, përfaqësuesit ukrainas, amerikanë dhe evropianë ranë dakord për pesë pika kryesore për t’i dhënë fund luftës: garanci të forta sigurie, forcë shumëkombëshe evropiane, mekanizëm ndërkombëtar për monitorimin e armëpushimit, mbështetje afatgjatë për ushtrinë dhe rindërtimin, e ardhmja politike e Ukrainës do të jetë në Bashkimin Evropian, por jo në NATO.
Berlini shmangu miratimin e çdo kuadri të qartë negociues. Shmangu gjuhën, që do të përjashtonte hapjet diplomatike në të ardhmen. Kjo paqartësi është e qëllimshme: ajo ruan unitetin ndërmjet partnerëve, të cilët kanë perceptime dhe kalendarë politikë, që ndryshojnë ndjeshëm. Në këtë mënyrë, takimi ishte gradual, jo transformues. Vlera e tij qëndron në riafirmimin e kohezionit, stabilizimin e pritjeve dhe blerjen e kohës për vendime më të rëndësishme më vonë. Në këtë kuptim, në fazën aktuale ai funksionoi si një operacion strategjik. Sot, tek evropianët ekziston një optimizëm i kujdesshëm se të paktën Perëndimi dhe Ukraina mund të gjejnë një qëndrim të përbashkët që do ta “lërë topin në fushën e Rusisë”.
KREMLINI
Në një takim me zyrtarët e mbrojtjes, Presidenti Putin i quajti udhëheqësit evropianë “derra të vegjël” dhe paralajmëroi se Rusia do të përdorte çdo mjet të nevojshëm për të pushtuar atë pjesë të Ukrainës, që e pretendon të vetën, dmth.,: rajonet Kherson, Zaporizhia, Donetsk dhe Luhansk, të cilat njihen kolektivisht si Donbas, ku Ukraina ende kontrollon rreth një të pestën Donetskut dhe qytetet kryesore në Kherson dhe Zaporizhia. Ai akuzoi aleatët evropianë se po përpiqen të prishin një marrëveshje paqeje të mbështetur nga SHBA (28 pikat) dhe se ishin ata që ndihmuan Presidentin Bajden të provokonte pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës për të mbrojtur sigurinë kombëtare të Rusisë, të ndalonte “gjenocidin” kundër rusishtfolësve në Donbas dhe për të mos lejuar kurrë Ukrainën të bashkohej me NATO-n.
Zyrtarë të lartë rusë përsëritën kundërshtimin e Moskës ndaj vendosjes së trupave të NATO-s në Ukrainë pas çdo marrëveshjeje paqeje: “Ne përfundimisht nuk do të pajtohemi në asnjë moment dhe as nuk do të kënaqemi me asnjë prani të trupave të NATO-s në territorin ukrainas”. Moska kërkon që Ukraina të dorëzojë sipërfaqe të mëdha toke, të bjerë dakord të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO dhe të pranojë kufizime në madhësinë e forcave të saja të armatosura përpara se të arrihet ndonjë paqe. Edhe pse President Zelensky deklaroi se Ukraina do të ishte e gatshme të braktiste ambiciet e veta për anëtarësim në NATO në këmbim të garancive të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara, Rusia dëshiron që Aleanca të zotohet se nuk do ta ftojë kurrë Ukrainën t’i bashkohet, gjë që ka të ngjarë të jetë një pikë ngërçi. Po kështu, Moska kundërshton propozimin e Uashingtonit për të shndërruar pjesën e rajonit të Donetskut, që e kontrollon ende Ukraina, në një zonë të lirë ekonomike të demilitarizuar.
EPILOG
Në prill të vitit 2022, në Stamboll u zhvilluan bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës të mbështetura nga Presidenti turk Erdogan. Këto bisedime, ndoshta, janë episodi më i mjegullt i kësaj lufte. Historia e plotë e kësaj intermexoje jetëshkurtër diplomatike nuk ka gjasa të zbulohet deri pas luftës, për shkak të ndjeshmërisë të dukshme politike që ngërthen: Ukraina dhe Rusia arritën një marrëveshje në tryezë vetëm disa javë pas fillimit të luftës. Një gjë është e qartë: aktorët perëndimorë, që ishin caktuan si “garantues” të sigurisë së Ukrainës, me gjasa europianë, shprehën rezerva për formatin e Stambollit dhe e braktisën atë (L. Demi, Kursk, Gazeta Panorama, më 19 shtator 2024). Megjithëse, Bashkimi Evropian u zotua se do ta mbështeste Ukrainën për aq kohë sa do të duhej, nuk i dërgoi armët që i nevojiteshin, kurse diktatura e Vladimir Putinit u tregua e vendosur. Sot, pas katër vjetësh, Rusia, edhe pse nuk e ka mundur Ukrainën, i ka zaptuar rreth 20% të territorit apo 117 100 kilometra katrorë dhe, pavarësisht premtimeve për një “derë të hapur”, anëtarësimi në NATO është jashtë tryezës së bisedimeve.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al











