Në ekonominë e tregut, kemi kuptuar se gjithçka në këtë botë e ka një çmim, pra edhe mund ta blejmë. Por a e keni pyetur ndonjëherë veten se cila është ajo gjë që nuk mund ta blini me para, edhe pse do të ishit të gatshëm të ofronit shuma marramendëse? I keni blerë të gjitha; shtëpi të mirë, makinën që ju pëlqen dhe keni një biznes të suksesshëm, ndërkohë që jeta në lagjet më të mira të Tiranës na bën të mendojmë se nuk ka vend më të mirë për të jetuar në Shqipëri, sesa kryeqyteti. Por është ajo gjëja që nuk e blejmë dot, dhe bëhet fjalë për ajrin që thithim çdo ditë. Ushqehu sa të duash me produkte të zgjedhura, vishu me rroba firmato e vër parfum të shtrenjtë, bëj sa të mundesh fushatë antiduhan, ajri që thithim na sfidon. Prandaj dhe nxitojmë fundjavave në vende ku të marrim pak oksigjen; në fshatra, male apo vende bregdetare dhe ajri është e vetmja gjë për të cilën ua kemi zili banorëve të këtyre zonave, ne që nuk mund të heqim dorë nga jeta e metropolit. E ndërkohë që ngushëllohemi se diku mund të gjejmë pak ajër të pastër, bombardohemi nga lajmet e trishta që me qindra hektarë pyje, nga veriu në jug, janë tashmë të shkrumbuara. Dhe kjo, jo nga ndonjë fatkeqësi natyrore, por nga çmenduria njerëzore, nisur nga deklaratat e organeve përgjegjëse shtetërore, të cilat bëjnë me dije se në 99% të rasteve kanë qenë zjarrvënie me qëllim… Kjo që po ndodh, është një dramë e madhe për natyrën tonë, me pasoja katastrofike për mikroklimat dhe bimësinë e vendit, për faunën dhe krejt speciet që gjallojnë në ato zona, ku Zoti ka dhënë me bujari gjithçka duhet për të jetuar shëndetshëm.
Fatkeqësia e zjarreve nuk është si puna e tymit që mbyt gjithçka dhe pastaj largohet në eter. Drama e sotme e natyrës është tragjedia e nesërme e saj dhe e jona. Banorët e këtyre viseve të përzhitura, që do vijojnë të jetojnë e punojnë aty, shumë shpejt do kuptojnë se bashkëfshatari i tyre që guxoi të djegë pyjet, nuk është as më shumë e as më pak, por krimineli i jetëve njerëzore, që me papërgjegjshmëri u shkrumboi të ardhmen edhe fëmijëve të tij, pastaj edhe të tjerëve. Para pak ditësh, një ekspert i fushës rendiste në media pasojat që vijnë për vendin prej këtij shkatërrimi masiv të pyjeve. Fliste me emocion dhe brengën e një specialisti me përvojë të gjatë, i vetëdijshëm se çfarë na pret më pas. Ai me të drejtë i mëshonte së pari rrezikut të erozionit, i cili pas këtij cikli të pazakontë shkrumbimi në male, kodra dhe pyje, të cilat janë aq pranë qendrave të banuara, jo vetëm që e ka shumëfishuar rrezikun, por në raste reshjesh të rrëmbyeshme, mund të shkaktojë edhe tragjedi. Tjetër pasojë e rrezikshme është ndotja e jashtëzakonshme e ajrit nga gjithë ky tym që çliron djegia e pemëve, dhe ky dioksid karboni nuk vonon të strehohet në mushkëritë tona, me pasoja serioze për jetën. E ndërkohë që tashmë gjëma ka ndodhur, lind pyetja, a ka ndonjë mundësi për të rikuperuar atë dëm të madh? Dje në mbledhjen e qeverisë, për herë të parë pas një muaji djegiesh seriale, Kryeministri Berisha dha disa statistika ku fliste për 1690 ha pyje të djegura, 400 ha kullota dhe 600 ha shkurre, duke filluar nga zonat veriore të Pukës, Malësisë së Madhe e Lurës, e duke vazhduar me Vlorën, Korçën etj. Shifra këto mjaft alarmante… Nevoja e rikuperimit është imediate, pasi në natyrë gjithçka është në ekuilibër për të mundësuar jetesën e shëndetshme. Si profesionist i fushës, me gradë shkencore në Agronomi, me dhimbje ju them se jam pesimist për rehabilitimin e asaj që ndodhi. Pishat, lisat dhe ahet e larta që tashmë janë kthyer në qymyr, duan disa dhjetëravjeçarë për t’u bërë siç kanë qenë, sepse çdo pemë ka ciklin e saj të rritjes. Vetëm për rikuperimin e një hektari pyll të djegur, duhen shpenzuar disa miliona lekë, ndërkohë që këtu po flasim për situatën ideale, në rastin kur ne kemi tashmë fidanishte të gatshme për ta bërë këtë. Mirëpo buxheti për të bërë pyllëzime është shumë i vogël, ndërkohë që Instituti i Pyjeve nuk ka më as fidanishte!
Duke mos dashur ta politizoj çështjen, sepse jam thjesht një qytetar që i dhemb gjithçka e keqe që ndodh, dhe jo një predikues foltoresh politike, e them me bindje se çdo qytetar i këtij vendi me kaq probleme ka nevojë të ndërgjegjësohet, të paktën për të mirat që i ka falur Zoti për t’ia bërë atij jetën më të mirë. Të shkatërrosh natyrën, ke shkatërruar veten, jetën tënde, të fëmijëve të tu dhe të brezave që do vijnë. Por ama ajo që mund të bëjë shteti krahas ndërgjegjësimit, është edhe një legjislacion akoma më i rreptë, që gjithkush të kuptojë se çfarë ndëshkimi e pret nëse e bën këtë krim. Meqë sytë i kemi nga vendet e zhvilluara, po ju them se Zvicra p.sh. që është një nga vendet që nuk pret asnjë pemë të pyjeve të saj, por vetëm importon, ndonëse i përdor shumë ndërtimet prej druri, si dhe jep dënime me mbi 15 vite burg për atë që guxon të presë qoftë edhe një pemë, ndërkohë që te ne aq dënim zor se merr edhe ai që vret një njeri. Në fakt, diçka e tillë duhet të ishte bërë me kohë, sepse ka vite tashmë që Shqipëria kallet në flakë çdo verë.
Një miku im që jeton prej vitesh jashtë, më telefonoi këto ditë dhe, kur po i tregoja për disa të reja, më ndërpreu duke më thënë: “Nuk ka nevojë të më thuash asgjë, ma merr mendja ç’ndodh andej edhe pa e ndjekur median, Shqipëria në dimër përmbytet dhe në verë digjet”. Dhe ka një arsye pse shumë prej nesh mendojnë se gjithmonë do të jetë kështu, sepse asgjë nuk po bëhet për të na kthyer besimin se do vijë një dimër apo verë më e mirë… Sikur politika e çdo krahu qoftë, në këtë çelje të sezonit elektoral, t’ia nisë pikërisht nga një problematikë e tillë, çdo qytetar do të ndiente një tjetër përgjegjësi dhe marrëdhënie për qëllimin e saj. Të shpresojmë që pas hirit që lanë zjarret, të shfaqemi aty, ne si qytetarë, por edhe shteti me forcën e tij. Të kapësh disa zjarrvënës, është shumë pak. Ndërkohë që nismat simbolike të disa ambientalistëve pak ditë më parë janë shumë domethënëse, por të pamjaftueshme, solidariteti masiv nuk u pa gjëkundi. Një shembull të dashurisë për natyrën, nëse nuk e kemi pjesë të ndërgjegjes dhe trashëgimisë, le ta fitojmë si imitim i bashkëkohësve tanë në vendet e BE-së, ku aspirojmë të aderojmë.
Sepse me të vërtetë ajrin që do të donim të thithnim, nuk e blejmë dot me para, por ama atë dhe gjithë natyrën tonë mund ta ruajmë me më shumë dashuri dhe përgjegjësi. Të gjithë ne.
© Panorama.al












