Pas divorcit, Devis Xherahu lidhet me ish-missin nga Korça

Dec 10, 2011 | 13:56

Shumë pak artistë guxojnë të fusin në lojë edhe jetën e tyre, por Devis Xherahu nuk ngurron ta bëjë. Me ish-bashkëshorten ka kaluar 20 vite nga jeta, gati po aq vite sa mosha e Ertemiona Mejdanit, Miss Shqipëria 2009, e cila vendos të jetë protagoniste në skenat erotiko-romantike me Devis Xherahun në klipin e këngës “Akoma s’e besoj”. Baladën e ndjerë të “Kënga Magjike”, ku dëshmohet dhimbja pas ndarjes, Devisi e realizon klip, ku ndërsa e gjen vetëm në apartamentin bosh pas ikjes së saj, në mendje i vijnë kujtime të dashurisë së shkuar. Në këtë intervistë, këngëtari rrëfen për ndjesitë pas divorcit, alkiminë me miss-in nga Korça dhe jetën e re në Shqipëri.

Dihet që krijimet e ndjera frymëzohen nga e vërteta. Ndodhi po kështu në rastin tuaj, ia kushtuat me vetëdije ndarjes këtë këngë me ishbashkëshorten?

Jo, kjo ishte një profeci e muzës frymëzuese të Jorgo Papingjit, i cili mendoi të bënte një tekst për ndarjen, pasi dëgjoi muzikën e shkruar nga ish-bashkëshortja ime, Paola Kondakçi. E vërteta është që kjo këngë u shkrua pesë muaj para se ne të ndaheshim. Pra kur vendosëm të marrin pjesë te “Kënga Magjike”, unë dhe Paola ishim bashkë. Pasi ajo shkroi muzikën, unë e telefonova Papingjin dhe i kërkova vargje të përshtatshme për këtë muzikë që transmetonte dhembje. I kërkova të shkruante vargje për dhembjen dhe ia lashë atij në dorë. Pastaj te “Kënga magjike” përkoi ky tekst sikur ne ta kishim krijuar posaçërisht për ndarjen tonë.

Ndërkohë turbulencat në martesën tuaj kishin nisur apo jo?

Ç’rëndësi ka kjo, kur mendoj se në një lidhje dashurie apo martesë probleme kanë të gjithë dhe gjithmonë. Por edhe pse ndarja ndodhi pas prezantimit të kësaj kënge, prapë nuk jam supersticioz.

Në natën finale të “Kënga Magjike” shumë pak e dinin që ti ishte ndarë. Je përlotur ndonjëherë?

Në fakt, unë u përlota natën e parë të “Kënga Magjike”. Përjetova shumë gjëra njëkohësisht. M’u kujtua ndarja në ato momente, pastaj ishte pritja e jashtëzakonshme e publikut duke më falur duartrokitjen më të gjatë të asaj nate, dhe të them të drejtën, kisha kohë që e dëshiroja entuziazmin e publikut tim, ndonëse këto kohë jam duartrokitur nga publiku në shumë vende të botës.

Ke derdhur lot… Ishte ndarje e dhimbshme, komunikoni me njëri-tjetrin?

Komunikojmë patjetër, por jo shpesh. Edhe pse jemi ndarë, vazhdojmë të jemi dy miq të mirë. Në përgjithësi jemi mësuar të dëgjojmë se njerëzit ndahen se nuk duhen, ndërsa në rastin tonë ne u ndamë se u deshëm shumë.

Ishte xhelozia një shkak?

Po të hyjmë në pse, do themi arsyen, por arsyen unë nuk mund ta them, sepse duhet të ketë pak shenjtëri në jetën private. Ajo që mund të them, është se kur e do një njeri, e humbet atë duke u ndarë, por të paktën i jep lirinë që ai kërkon. Pra, mund ta humbësh dikë duke i dhënë të drejtën të jetë vetvetja. Duhet të mësohemi edhe me ndarje të këtij tipi.

Po vendos ta bësh klip këngën që paralajmëroi ndarjen, duke e përjetësuar edhe më shumë këtë moment delikat të jetës sate. Pse?

E pashë të arsyeshme për ta bërë klip këngën “Akoma s’e besoj”, sepse në club-et ku unë këndoj ka shumë adhurues të kësaj balade, aq sa vijnë të dëgjojnë Devis Xherahun, se do këndojë pikërisht këtë këngë. Por vendosa të sjell variantin ndryshe në italisht-shqip, duke ftuar në bashkëpunim këngëtarin shumë të njohur lirik italian, Andrea del Principe, i cili nuk ngurroi ta këndonte këngën edhe në shqip. Ai e priti me shumë superlativa dhe u mallëngjye me vargjet e ndjera.

Klipi nuk është publikuar ende, por dimë që do ketë skena të nxehta me Miss Shqipëria 2009, Ertemiona Mejdani. Pse pikërisht ajo?

Unë vendosa të bashkëpunoj me mikeshën time të vjetër Ertemiona Mejdani, edhe për faktin se kjo është hera e dytë që bashkëpunoj me të pas klipit “Kompleksi fukara”, 3-4 vite më parë kur mbetëm të kënaqur nga njëritjetri. E ftova në bashkëpunim duke i prezantuar skenarin, duke i bërë të ditur që duhej të guxonte pak, pasi kishte skena erotiko-romantike. Asaj i pëlqente shumë kënga, duke më thënë se: “Vetëm me ty guxoj, pasi jemi miq shumë të mirë dhe nuk ndihem keq”. Realizojmë bashkë skena të guximshme që i përshtaten fabulës së këngës.

Pse vendose të ishe vetë protagonist i klipit?

Vendosa ta realizoj vetë, pasi kjo fabul është historia ime dhe nuk mund t’ia besoja askujt.Unë e kam ndier dhe vetëm unë mund ta realizoj ashtu siç duhet. Nga ana tjetër, ky videoklip është një minifilm, ne jemi artistë dhe nuk e di sa do më kuptojnë e paragjykojnë ne lidhje me Ertemionën. Por di të them që s’është e thënë që të gjithë ata që bëjnë skena të tilla mund të jenë të dashur apo të kenë diçka më shumë mes tyre. Di të them që jam i kënaqur me bashkëpunimin me missin, me pëlqeu dhe them se ndonëse i kam dhënë një puthje erotike brenda karakterit të filmit, e shijova.

Mund të ketë diçka serioze dhe të vërtetë mes jush?

S’mund të flas për këtë. Momentalisht ekziston një lloj afeksioni mes nesh apo ajo alkimia, por deri këtu jemi. Nuk mund të thosha jo për një femër dhe një njeri si Ertemiona. Është një femër aq e kompletuar, saqë nëse do isha në gjendje për ta marrë me atë sy, nuk do thosha jo. Por në jetë çdo gjë është relative, nuk ka gjë absolute. Unë jam pro dashurive që nëse njihesh mirë me një njeri, mund të kalosh në fazën tjetër. Për sa i përket sjelljes sime me femrat, ndoshta jeta jashtë më ka bërë të di ta trajtoj një femër të ndihet vërtet femër, se e ndiej që jam vërtet shumë mashkull.

Të ka zhgënjyer martesa, do e provoje sërish?

Jo absolutisht, jo. S’ka lidhje ndarja me zhgënjimin nga martesa, ka të bëjë thjesht me individin. Në jetë nuk kam ecur kurrë me receta. Unë prapë mund të martohem, pse jo?

Klotilda Harka

 

© Panorama.al

Te lidhura