Pas dënimit për shfrytëzim të personave në prostitucion, zbulohet data kur Diddy Combs do të lirohet nga burgu

Oct 28, 2025 | 11:09

Reperi dhe producenti i njohur amerikan Sean “Diddy” Combs, 55 vjeç, pritet të lirohet nga burgu më 8 maj 2028, sipas të dhënave zyrtare të Byrosë Federale të Burgjeve në Shtetet e Bashkuara.

Ai po vuan një dënim prej katër vjetësh e pak muajsh në Burgun Metropolitan të Bruklinit, pasi në korrik të vitit 2025 u shpall fajtor për dy akuza që lidhen me transportimin e personave për prostitucion.

Diddy u lirua nga akuzat më të rënda për trafikim seksual dhe zhvatje, të cilat mund ta kishin çuar në burgim të përjetshëm. Gjatë shpalljes së dënimit, gjykatësi federal në Manhattan theksoi se ai është një artist dhe sipërmarrës i vetëbërë që ka frymëzuar komunitetet, por gjithashtu ka abuzuar me pushtetin e tij. “Ju i abuzuat viktimat tuaja fizikisht, emocionalisht dhe psikologjikisht,” deklaroi gjykatësi, duke shtuar se gjykata nuk është e sigurt nëse, pasi të lirohet, ai nuk do t’i përsërisë këto krime. Ai theksoi gjithashtu nevojën që dënimi të shërbejë si mesazh për të gjithë ata që abuzojnë me pozitën e tyre.

Vendimi përfshin edhe një gjobë prej pesëqind mijë dollarësh, ndërsa artisti duhet të marrë pjesë në programe rehabilitimi që lidhen me shëndetin mendor dhe abuzimin me substanca. Asnjë kompensim financiar nuk është parashikuar për viktimat.

Aktualisht, Diddy po qëndron në burgun e Bruklinit, por ekziston mundësia që gjatë vuajtjes së dënimit ai të transferohet në një institucion tjetër korrektues. Data e lirimit, 8 maj 2028, përfshin uljet që burojnë nga sjellja e mirë dhe periudha e paraburgimit që i është llogaritur. Kjo do të thotë se, nëse nuk ka shkelje dhe tregohet bashkëpunues, ai mund të lirohet në pranverën e atij viti.

Megjithëse procesi i apelimit ende nuk ka përfunduar, autoritetet federale e kanë konfirmuar këtë si datën e parashikuar të lirimit. Për momentin, Sean “Diddy” Combs mbetet një nga figurat më të përfolura në industrinë e muzikës, jo për arritjet e tij artistike, por për historinë e errët që e çoi pas hekurave.

 

© Panorama.al

Te lidhura