Pas 13 vitesh, i ati i Flamur Pislit: Të zbardhet e vërteta!

Jun 12, 2012 | 13:48

Flamur Pisli gjatë momenteve të rrëmbimit të autobusit grek

Rrëmbeu autobusin grek më 28 prill ‘99

Nuredin Pisli: Im bir u vra pa qenë i rrezikshëm. Prokuroria e Elbasanit të më japë dosjen.

Prej 13 vitesh, familja Pisli në Patin të Bashkisë Klos troket në institucionet shtetërore dhe kërkon t’i thuhet e vërteta për vrasjen e djalit të tyre. “Policia e Shtetit e ka konsideruar djalin tim kriminel, ndërsa Bashkia Klos dhe komuna Bradashesh e kanë shpallur ‘Qytetar Nderi’.
Kë duhet të besojmë?”, shprehet Nuredin Pisli, 72-vjeçari klosian që vuan për humbjen e djalit të tij, Flamur Pisli. Ai nuk kërkon para nga shteti për vrasjen e djalit, as hakmarrje nuk denjon, por shprehet se kërkon një kopje të dosjes së djalit të ekzekutuar më 28 prill 1999 në Elbasan. Ditën kur mori peng autobusin e kompanisë greke “Ktel” me 15 pasagjerë dhe u nis drejt vendlindjes në shenjë hakmarrje ndaj pronarit që jo vetëm nuk i kishte dhënë rrogën e dy viteve punë, por dhe e spiunoi në polici, prej nga doli me plagë të trup. Nuredini është fjalëpak dhe i matur. Thotë se ka shkruar shumë letra drejt krerëve më të lartë të shtetit. Ka pritur një përgjigje, por ajo ka munguar. Janë përpjekur ta politizojnë ngjarjen, por familja Pisli thotë se e keqja nuk i ka ardhur nga forcat politike, por nga struktura të Policisë, të cilat, sipas Nuredin Pislit, kanë shkelur çdo konventë ndërkombëtare kur i kanë ekzekutuar djalin.
Çfarë kërkoni në këto momente zoti Pisli, pas 13 vitesh nga ngjarja?

Nuredin Pisli, babai i Flamurit

Ka 13 vjet që ne jemi të shqetësuar pa masë se djali ynë nga disa persona të Policisë së Shtetit konsiderohet kriminel, ndërkohë që e vërteta është krejt ndryshe. Për djalin tim artistë grekë kanë përgatitur një film. Gazetarë të shumtë grekë, por edhe nga shtete të tjera, na kanë pohuar se konventat ndërkombëtare nuk lejojnë ekzekutimin e një personi kur ai nuk vret njerëz. Ata kanë zbardhur plotësisht ngjarjen dhe kanë faktuar se djali im, Flamur Pisli, nuk ka vrarë askënd, madje sipas vëzhgimeve të kryera ai ishte një njeri normal që kërkonte t’u jepte një mësim të mirë pronarëve grekë që shfrytëzonin emigrantët shqiptarë, por nuk i paguanin ata. Kërkesa ime është e thjeshtë: Kërkoj të zbardhet e vërteta, sepse nga hetimet e para djali im është konsideruar si një njeri i rrezikshëm. Vetëm pak ditë më parë i kam dërguar një kërkesë tjetër Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan. I kam kërkuar asaj të më mundësojë një kopje të dosjes hetimore. Edhe sikur të mos bëj asgjë me të, ta kem në arkivin e materialeve të tjera të djalit të ekzekutuar padrejtësisht. Kam kontaktuar me një avokat, mirëpo procedurat për zbardhjen e plotë të ngjarjes po zvarriten. Ne duam të faktojmë se nuk është e vërtetë se fillimisht u vra një shtetas grek dhe pastaj Flamuri. Burime të sigurta na thonë se Flamuri është vrarë i pari dhe pastaj efektivat e ish-repartit 88 kanë ekzekutuar edhe shtetasin e huaj, për të krijuar alibinë e vrasjes së tij nga djali ynë.
Dini ju si ndodhi ngjarja realisht?
Djali punonte për 8 vjet në Greqi. Dy vitet e fundit kishte punuar te një polic grek. I kishte kërkuar atij hakun e punës, por ai jo vetëm nuk i dha 1 milion e 600 mijë dhrahmi, por e denoncoi në polici sikur e kishte kërcënuar Flamuri. Ishte 28 prilli i 1999-s kur Flamuri pasi kishte qëndruar për më shumë se tre muaj i sëmurë nga plagët që kishte në trupin e tij, ngrihet ashtu i pashëruar mirë dhe shkon në Greqi te pronari që nuk e kishte paguar për shumë vite punë krahu. Qëllimi i Flamurit ishte të bisedonte edhe një herë për ato padrejtësi që ai mendonte se i kishte bërë pronari, duke mos i dhënë djersën e ballit. Ai merr një përgjigje negative. Në gjendje tepër të nervozuar ai ka vendosur të marrë peng një autobus grek me 15 pasagjerë. Në Selanik, Pisli liroi gjysmën e pengjeve duke mbajtur në autobus vetëm 8 pengje, 5 burra e 3 gra. Ata që ai zbriti ishin pleq dhe fëmijë, ndërsa me pengjet e tjerë ai sillej mirë. Me anën e një celulari, Pisli lidhet në telefon me shefin e Policisë së Selanikut duke i bërë të ditur qëllimin e këtij rrëmbimi, si dhe kërkesat e tij për të liruar pengjet, të cilat ishin 50 milionë dhrahmi. Flamuri herë pas here hiqte këmishën duke u treguar efektivave që e ndiqnin 12 plagët që kishte marrë në trupin e tij si rezultat i dhunës.
Keni takuar zyrtarë të asaj kohe dhe u keni kërkuar t’u thonë si u vra djali juaj?
Po. Pak kohë pas ekzekutimit të djalit jam takuar me ish- ministrin e Rendit Publik, Spartak Poçi. I vajta në zyrë si mik. Babai i tij, rreth viteve ‘80 ka qenë në shtëpinë time dhe unë që atëherë mbaja lidhje më të. Vajta në zyrë dhe i kam bërë vetëm një pyetje ish-ministrit: Kush ma vrau djalin? Ai më tha se djali juaj është vrarë nga policia, sepse ishte një pengmarrës dhe paraqiste rrezikshmëri për jetën e pengjeve. Që atëherë nuk kam pasur mundësi të takoj zyrtarë të shtetit. Të ardhurat që kam nuk më mundësojnë lëvizje të shumta.
Bashkia Klos dhe komuna Bradashesh e kanë shpallur djalin tuaj “Qytetar Nderi”. Si ndjeheni?
Interesimi i ish-kryetarit të Bashkisë Klos, aktualisht deputet, Bedri Hoxha, sikur ma lehtësojnë pak dhimbjen. Disa vite më parë të gjithë këshilltarët e Bashkisë Klos, pa dallime politike, ranë dakord që djali të shpallej “Qytetar Nderi”. Kjo më dha më shumë forca, se djali im nuk ishte një kriminel, por një njeri që rrojti me nder sa ishte gjallë. Të njëjtën gjë bënë edhe këshilltarët e komunës Bradashesh në rrethin e Elbasanit. As këshilltarëve të Klosit dhe as atyre të Bradasheshit nuk do t’ua harroj sa të jem gjallë. Lanë mënjanë bindjet e tyre politike dhe vlerësuan djalin tim pas vdekjes.
Keni ju njerëz në shtetin fqinj që interesohen të zbardhet e vërteta?
Në shtëpinë time kanë ardhur gazetarët grekë Triandafillos Triandafillidis dhe Penelope Papailias. Po ashtu, ishte për vizitë një prift grek. Ata tani janë miqtë e familjes sonë. Herë pas here flasim në telefon dhe na urojnë për raste festash. Nuk e kam vendosur ende, por shpresoj që një ditë edhe unë të udhëtoj drejt Greqisë pas 13 vjetësh dhe të kërkoj si ndodhi ngjarja. Nuk shkoj për t’u hakmarrë, por për të mësuar diçka më shumë.

Nga Klosi, HASAN PASHA

© Panorama.al

Te lidhura