Maria Corina Machado, figura udhëheqëse e opozitës në Venezuelë, nisi të hënën pasdite arratisjen e saj spektakolare nga vendi, sipas një raportimi të Wall Street Journal.
E maskuar dhe me paruke, Machado synonte të mbërrinte në Norvegji deri të mërkurën, për të marrë çmimin Nobel për Paqen, që iu dha për luftën e saj kundër liderit autoritar të Venezuelës, Nicolás Maduro.
Fillimisht, ajo duhej të zhvendosej nga një periferi e Karakasit, ku ishte fshehur për një vit, drejt një fshati të vogël peshkatarësh buzë detit, ku e priste një barkë.
Sipas një personi të përfshirë në operacion, Machado dhe dy persona që e ndihmonin, për dhjetë orë të ankthshme kaluan nëpër 10 pika ushtarake kontrolli, duke shmangur arrestimin çdo herë, derisa arritën në bregdet në mesnatë. Ajo pushoi vetëm për pak orë, përpara fazës së rrezikshme të radhës: një udhëtim i vështirë në det të hapur, përmes Karaibeve, drejt Kurasao-s.
Machado dhe dy shoqëruesit e saj u nisën me një barkë të zakonshme prej druri në orën 5 të mëngjesit, ndërsa dallgët e forta dhe erërat e fuqishme i ngadalësonin. Ky udhëtim ishte rezultat i dy muajve përgatitje, me ndihmën e një rrjeti venezuelian që ka ndihmuar edhe të tjerë të arratisen nga vendi.
Para nisjes, ekipi i saj kishte lidhur një telefonatë të rëndësishme me ushtrinë amerikane, për t’i paralajmëruar mbi rrugën e barkës, pasi SHBA kishte goditur më shumë se 20 mjete të ngjashme muajt e fundit, duke i akuzuar udhëtarët për trafik droge.
“U koordinuam që ajo të nisej nga një zonë e caktuar, që të mos e hidhnin në erë barkën,” tha personi i afërt me operacionin. Sipas burimeve të informuara, administrata Trump ishte në dijeni të operacionit, megjithëse shkalla e përfshirjes së saj nuk ishte e qartë.
Machado mbërriti në Kurasao të martën pasdite. Pas një nate në hotel, ajo u nis me një avion privat që kishte ardhur nga Miami dhe fluturoi drejt kryeqytetit norvegjez.
Para se të hipte në avion, ajo regjistroi një mesazh të shkurtër falënderimi për “të gjithë ata që rrezikuan jetën e tyre” për t’i mundësuar largimin nga Venezuela. Pak pas mesnatës së së mërkurës, me orën lokale të Oslos, ajo u ul në kryeqytetin norvegjez.
Rruga e saj ishte aq sekrete, saqë edhe vetë Instituti Norvegjez i Nobelit deklaroi, teksa nisi ceremonia, se nuk e dinte vendndodhjen e saj. Çmimin e mori në emrin e saj e bija, Ana Korina Sosa, e cila përcolli mesazhin e nënës: “Ajo do të kthehet shumë shpejt në Venezuelë.”
Machado u shfaq në ballkonin e Grand Hotel në Oslo, ku përshëndeti mbështetësit që brohorisnin “e guximshme”.
“Erdha për ta marrë këtë çmim në emër të popullit venezuelian dhe do ta çoj në Venezuelë në momentin e duhur,” deklaroi ajo më vonë gjatë vizitës në parlamentin norvegjez.
“Nuk do të them se kur apo si do të ndodhë kjo, por do të bëj gjithçka që është në mundësitë e mia për t’u kthyer, dhe për t’i dhënë fund sa më shpejt kësaj tiranie,” shtoi ajo, duke theksuar se “puna duhet të përfundojë”, që demokracia të rikthehet në vendin e saj. Kur u pyet për kushtet e largimit, Machado u përgjigj: “Kush jeton në Venezuelë dhe thotë të vërtetën, rrezikon jetën.”
Ndërkohë në Karakas, zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez akuzoi opozitën se “punon në emër të SHBA për grabitjen e burimeve natyrore të vendit”.
© Panorama.al
















