Deputetët e opozitës votojnë pro te Veprimtaria Prodhuese, kundërshtojnë te Ligjet. Në një komision kërkon kohë, në tjetrin voton kodet me 3/5
Ndërkohë që në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese deputetët e PS-së kanë votuar ndryshimet e propozuara në tri kode, Ajrorin, Hekurudhorin dhe Detarin, nuk ka ndodhur e njëjta gjë në Komisionin e Ligjeve.
Debati te Ligjet
Që në fillim të mbledhjes, nënkryetari socialist i këtij komisioni, Fatmir Xhafaj, kërkoi një procedurë të veçantë për miratimin e ndryshimeve në Kodin Rrugor. “Unë besoj se konferenca e kryetarëve ka urdhëruar që pa u zbardhur dita dhe në mënyrë jo shumë korrekte të vijmë me shqyrtimin e një projektligji. Nuk e përjashtoj edhe rëndësinë që ka amendamenti që sjell Ministria e Ekonomisë për shqyrtimin e kuadrit ligjor të Kodit Rrugor edhe amendamentet që sjellin institucionet e tjera të paraqitura për ndryshimin e Kodit Rrugor, por mendoj që për të mirën e procesit, për t’i dhënë procesit mbështetjen e duhur, kemi nevojë për të bërë një proces të shëndetshëm, jo formal”, u shpreh Xhafa. Sipas tij, para miratimit të këtij Kodi duhet që tri nismat të bashkohen në një të vetme, të caktohen dy relatorë dhe të thirren grupet e interesit. Sipas socialistit Xhafa, “të përgjegjshëm për rëndësinë që ka jemi këtu, por nuk jemi për të qenë kartonë apo numra që mund të na përdorni ju apo kushdo tjetër sipas mënyrës së tij, këtë harrojeni”. Nga ana tjetër, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, duke iu referuar deklaratës së Ruçit pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, hodhi dyshime se qëndrimi i Xhafës në Komision ishte personal. “Unë nuk dua të besoj se ne jemi këtu duke bërë të gjitha përpjekjet për t’i lënë vend historisë së dështimit dhe për ta bërë dështimin historik. Unë besoj te vullneti i mirë i palëve dhe se vullneti i mirë i palëve është shprehur në nivelin më të lartë parlamentar dje. Dhe nuk kam asnjë motiv të mendoj që ajo të cilën me plot gojën Ruçi e tha dje, që ky është fryt i konsensusit për ta çuar gjënë përpara, sot përgënjeshtrohet nga Xhafa. Me gjithë respektin që kam për zotin Xhafa, unë nuk dua të shoh përçarje mes përfaqësuesve më të lartë parlamentarë të PS-së”, tha Rusmali. Duke u ndalur te propozimet e opozitës, ai tha se tri nismat do të përmblidhen në një të vetme kur drafti të kalojë në seancë; Komisioni nuk mund të caktojë dy relatorë për një çështje, pasi Komisioni i Ligjeve nuk është përgjegjës për këtë projektligj. “Konferenca e kryetarëve me unanimitet hodhi poshtë tentativën për t’i imponuar Parlamentit procedurat përjashtimore. Dje konferenca e hodhi poshtë këtë tentativë për t’i imponuar Parlamentit procedura përjashtimore”, u shpreh Rusmali. Në përfundim të debatit ai vendosi që mbledhja të shtyhet për të hënën, për t’i dhënë më shumë kohë opozitës që të ndryshojë qëndrim. “Vazhdon konsensusi, ia zgjatëm jetën deri të hënën, pastaj të hënën shohim”, tha Rusmali në fund të seancës. Ndërkohë, në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, opozita votoi pa kundërshtime tri kodet. “Do ta gjykonim si shumë më të dobishme të mos nxitoheshim për disa ndryshime për të cilat ne jemi dakord, për të mos përsëritur atë situatë të vazhdueshme kur sillet një ligj, ndryshohet pas 3 muajsh, pas gjashtë muajsh, pas një viti”, u shpreh Shalsi përpara se deputetët e majtë të ngrinin dorën pro propozimeve.
Berisha: Opozita po i kthehet realitetit
Kryeministri Sali Berisha u takua dje me zv.presidentin e Parlamentit të Norvegjisë, Per-Kristian Foss. Kryeministri u shpreh se Parlamenti sapo kishte marrë vendim për të zhbllokuar miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, fillimin e reformës zgjedhore dhe asaj të Rregullores së Parlamentit, kushte këto të vendosura edhe nga Bashkimi Europian. “Kryeministri nënvizoi se pas një bllokimi dyvjeçar të reformave kyçe, opozita më së fundi po i kthehej realitetit politik dhe shprehu shpresën se një kurs i tillë politik do të vazhdojë në interesin më të mirë të vendit. Ai e siguroi bashkëbiseduesin se integrimi europian është projekti më i rëndësishëm i qeverisë së tij dhe se ky projekt bazohej vetëm në merita dhe reforma”, thuhet në një njoftim të Këshillit të Ministrave.
Topi: Partitë të votojnë reformat që kërkon BE-ja
Presidenti Bamir Topi ka reaguar dje duke përshëndetur paktin e arritur në Parlament mes maxhorancës dhe opozitës për ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore, grupit të punës për reformën parlamentare dhe miratimin e ligjeve me 3/5. Në një deklaratë për mediat, kreu i shtetit shprehet se dialogu politik, megjithëse i votuar, është një detyrim për klasën politike në vend. “Presidenti i Republikës, Prof. dr. Bamir Topi, mirëpret rikthimin e dialogut politik dhe institucional në Parlament midis partive politike të maxhorancës dhe të opozitës. Dialogu politik për reformat institucionale, edhe pse i vonuar, përbën një detyrim dhe sfidë madhore për politikën shqiptare, në përpjekjet e vendit tonë për arritjen e standardeve ndërkombëtare të anëtarësimit në Bashkimin Europian”, thuhet në deklaratën e Presidentit. Në të njëjtën kohë ai u bëri thirrje partive që të votojnë reformat që ka kërkuar Bashkimi Europian përmes raportit të tij të muajit të kaluar. “Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës inkurajon forcat politike parlamentare që të ndërmarrin një proces gjithëpërfshirës dialogu dhe me vullnet të qartë politik të bashkojnë energjitë e tyre për të realizuar dhe votuar në kohë reformat e premtuara prej tyre dhe ato të cilësuara në Raportin e Përparimit të Komisionit Europian mbi Shqipërinë”, theksohet më tej në reagimin e Presidentit një ditë pas arritjes së paktit mes maxhorancës dhe opozitës.
Patozi: Pakti, jo dhurim pushteti
Sipas kreut të Grupit të PD-së, Astrit Patozi, marrëveshja u arrit mbi bazën e parimeve, dhe jo në bazë të ofertave për ndarje pushteti. “Kjo është një marrëveshje tërësisht parimore, e cila nuk prek asnjë qelizë të pushtetit. Pra nuk ka asgjë që dhurohet në tavolinë. Është një marrëveshje tërësisht principale e arritur mes palëve. Me sa duket, opozita shqiptare është kthyer me këmbë në tokë” theksoi Patozi.
ADI SHKEMBI











