Part-Time, do pranohen edhe 1800 studentë të rinj

Dec 7, 2011 | 13:46

Rreth 1800 studentë të rinj do të mund të ndjekin këtë vit studimet part-time. Gjithçka e bën me dije Ministria e Arsimit. Sipas këtij dikasteri, rreth 20% e kuotave të part-time do të rishpërndahen. Kjo do të thotë se në bashkëpunim me universitetet, MASH do të shtojë kuotat në degët më të preferuara, duke balancuar ato degë të cilat nuk kanë qenë të kërkuara. Burime zyrtare nga Ministria e Arsimit, pohuan për gazetën se vendimi për kuotat e part-time nuk parashikonte rishpërndarjen e kuotave. Por pas konsultimit me ekspertët është vendosur që pranë Këshillit të Ministrave të çohet propozimi për t’i shtuar këtij vendimi një pikë, sipas së cilës MASH ka të drejtë të rishpërndajë kuotat. “Kemi përgatitur propozimin dhe është dërguar tashmë në Këshillin e Ministrave e pritet të miratohet në mbledhjen e radhës”, thanë burime nga MASH. “Për degët më të kërkuara që janë kryesisht Juridiku, Psikologjia, Punët Sociale apo Infermieria dhe Teknologjitë e informacionit do të shtohen më shumë kuota, në mënyrë që kuotat e miratuara të mos digjen. Pra, nëse në total për këtë vit kishim rreth 9400 kuota, 20%-shi i mbetur do të ndahet mes degëve më të preferuara”, sqaruan specialistët e Ministrisë së Arsimit. Sa i përket pranimit, aplikimi për kandidatët do të jetë i njëjtë. Prioritet do të kenë ata që nuk e kanë një diplomë. Kandidatëve për fakultet të dytë u është lënë një numër i kufizuar vendesh, deri në 20 për qind të numrit total të pranimeve. Pjesa tjetër, 80% e numrit total të kuotave, janë të përcaktuara për ata kandidatë që nuk kanë kryer asnjë shkollë të lartë. Për të aplikuar, kandidati duhet të paraqesë një fotokopje të noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore dhe certifikatës së notave, ose të ndonjë dëftese apo diplome tjetër studimi, të fituar jashtë vendit, të barasvlershme me të në Shqipëri. “Kandidatët që e kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2011, të dorëzojnë një fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë të shkollës së mesme”, ka përcaktuar MASH. Dokumenti i dytë që kërkohet është kartë identiteti ose pasaporta dhe fotokopjet e tyre. Gjithashtu, kërkohen dy fotografi dhe mandat-arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1550 lekësh, paguar pranë Postës Shqiptare. Dokumenti i fundit ka të bëjë me një vërtetim, që dëshmon se kandidati nuk ndjek program tjetër studimi me kohë të plotë ose të pjesshme në ndonjë universitet publik.

9434 kuota
janë vendosur këtë vit nga qeveria për ciklin e studimeve me kohë të pjesshme. Pas mbylljes së procesit të pranimeve, do të rishpërndahen 20% e tyre. Rregullat e pranimit do të jenë të njëjta me ato që u zbatuan në fazën e parë.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura