I pyetur nga sheshi i protestës mbrëmjen e sotme, në ditën e 51-të të saj, një i ri iu përgjigj kryeministrit Edi Rama për fyerjet e tij ndaj qytetarëve që i quajti “korba dhe sorra”, se është populli që punon dhe nëpërmjet të cilit ai merr rrogën e tij.
Ai i bëri thirrje kreut të ekzekutivit që të punojë për mirëqenien e qytetarëve dhe të mos i shërbejë krimit të organizuar dhe oligarkëve klientelistë të tij.
“Protestuesit janë ata që punojnë nga mëngjesi në darkë dhe Rama të marrë pagën. Por ky kryeministër në vend t’i shërbejë qytetarëve po i shërben oligarkisë dhe krimit të organizuar. Ka lënë popullin në gjendje të mjerueshme, pensionistët nuk blejnë dot ilaçet. Industria, bujqësia, ekonomia janë kthyer në kolaps”, tha ai mes të tjerash.
Më tej i riu tha se protesta bëhej që gjërat në Shqipëri të ndryshonin dhe të sillte shpresë te shqiptarët.
“Kjo protestë është shpresë që gjerat të ndryshojnë. Kemi pasur 36 vjet politikanë që kanë menduar për veten, që kanë zhvatur popullin e tyre. Duam që Shqipëria të mos shitet, zonat e mbrojtura të mos tjetërsohen, duam njerëz të ndershëm”, tha ai.
Në fund ai vuri në dukje se Parlamenti ishte mbushur me analfabetë dhe Shqipëria duhet të pastrohej nga kjo kategori.
“Nuk duam deputetë analfabetë me të cilët është mbushur Parlamenti, apo njerëz të krimit dhe oligarkisë”, tha ai.
© Panorama.al












