Paratë i harxhoi me femra, sajon padinë për grabitje

Nov 6, 2011 | 13:28
Gjykata e Tiranes

Është dëfryer me dy mikesha të tij në lokal e hotel te “Liqeni Artificial”, duke shpenzuar 30 mijë lekë të rinj në pak orë, por më pas e ka zënë sikleti se si do të justifikonte në familje harxhimin e parave. Ideja e parë që ka pasur në mendje, ka qenë të inskenonte një grabitje. Menjëherë ka lajmëruar policinë, duke u thënë se ishte grabitur nga dy të rinj, duke i dhënë policëve edhe përshkrimin fizik të grabitësve. Verifikimet e shpejta të forcave të rendit në terren, provuan se jo vetëm që nuk kishte grabitje, por se lajmërimi kishte qenë fals. Ngjarja është shënuar në qershor të këtij viti në Tiranë dhe ka për protagonist K.E., një 29 vjeçar kryeqytetas, i cili, vënç parave të shpenzuara duhet të paguajë edhe një gjobë shtetit. Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës vendosi gjobitjen e tij me 60 mijë lekë, pasi e deklaroi fajtor për veprën penale të “njoftimit të rremë të organeve të rendit publik”. Para gjykatës, ai pranoi akuzën dhe shfaqi pendim për kryerjen e saj.
ALRAMI I RREMË
“Alo, policia! Dy djem të rinj të veshur me të kuqe e të verdha, më kanë marrë me forcë te hyrja e pallatit 30 000 lekë!”. Ka qenë ky lajmërimi që ka marrë salla operative e Policisë së Tiranës mbrëmjen e 2 qershorit. Me urgjencë është nisur një patrullë policie drejt “të dëmtuarit”. Kur oficerët e kanë takuar ai u ka thënë se “persona me qese të zeza në kokë, të moshës 31 vjeç, të veshur me bluzë të kuqe e pantallona të verdha, pasi e kanë goditur, i kanë marrë një sasi prej 30 000 lekësh dhe më pas janë larguar me vrap”. Pas kësaj, oficerët e patrullës e kanë marrë në automjetin e tyre të pandehurin, me qëllimin për të patrulluar në afërsi të vendit ku “kishte ndodhur ngjarja”, por nuk kanë  gjetur asnjë gjurmë të autorëve të veprës penale. Vetëm janë drejtuar Komisariatit të Policisë, 29 vjeçari është penduar për “proçkën” e dytë të bërë, duke treguar të vërtetën dhe pranuar lajmërimin e rremë të policisë. “Mandej i pandehuri është shoqëruar në Komisariatin e Policisë për të paraqitur kallëzimin penal. I pyetur nga oficeri i Policisë Gjyqësore në lidhje me ngjarjen, i pandehuri, K.E., në procesverbalin e deklarimeve dt. 02.06.2011, në ndryshim nga sa kishte njoftuar sallën operative dhe punonjësit e Policisë të patrullës, ka deklaruar se: “…pasi kishte lënë punën rreth orës 20:30, kishte shkuar me dy shoqet e tij të quajtura M… dhe E… në një nga lokalet te ‘Liqeni Artificial’, kishte ngrënë darkë me to e mandej kishte shkuar në hotel. Pasi ishte duke u afruar për në banesë, është ndjerë në siklet për mungesën e lekëve dhe për mënyrën se si do të justifikohej para familjes. Në moment i ka lindur ideja për njoftim të rremë në polici dhe e realizon këtë gjë, duke njoftuar në numrin 129”, thuhej me vendimin e Gjykatës së Tiranës. Në të njëjtin vendim, që shpalli fajtor 29-vjeçarin, pohohej: “Njoftimi i realizuar nga i pandehuri përmbante fakte të rreme në lidhje me ndodhjen e krimit, rrethanat e kryerjes së tij dhe autoret e veprës penale, pasi nuk rezultoi të ishte realizuar vjedhja dhe për pasojë përshkrimi i rrethanave të kryerjes se saj dhe autoreve të veprës penale ishte një sajesë e të pandehurit”.

Tiranë, kallëzimet e rreme në linjën 129
Salla operative e Policisë së Tiranës, e cila përgjigjet në thirrjet që bëhen në numrin 129, është kontakti i parë i strukturave të rendit me qytetarët. Ndonëse një mënyrë efektive dhe një mjet i thjeshtë për të kërkuar ndihmën e policisë, kjo linjë telefonike shpesh mbart edhe brisqet e saj. Në vitet e kaluara salla operative ka pasur problematikë telefonatat e kota që bëheshin nga qytetarët, duke mbajtur linjën të zënë për ata që kishin probleme reale. Po kështu, shqetësuese kanë qenë njoftimet apo informacionet e rreme. Shpesh ka ndodhur që qytetarët kanë telefonuar në sallën operative dhe kanë pretenduar për një ngjarje. Policia ka çuar efektivat e saj në adresën e dhënë, por ngjarja nuk është konstatuar. Vitet e fundit numri i kallëzimeve të rreme është ulur, pasi salla operative vendosi pajisjet që identifikojnë numrat telefonues dhe mashtruesit u dërguan për ndjekje penale.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura