Pas më shumë se 40 ditësh bllokim qeveritar (“shutdown”), Shtetet e Bashkuara duket se po i afrohen fundit të krizës buxhetore. Kongresi pritet të miratojë një projektligj për zhbllokimin e situatës financiare që ka paralizuar administratën federale që prej 1 tetorit.
Votimi në Dhomën e Përfaqësuesve pritet të mbahet rreth orës 19:00 me orën lokale (02:00 të mëngjesit të së enjtes me orën e Evropës), ndërsa Senati e ka miratuar tashmë projektligjin, me 60 vota pro dhe 40 kundër.
Projektligji zgjat buxhetin aktual deri në fund të janarit, duke i dhënë kohë qeverisë për të shmangur një tjetër krizë në fillim të vitit 2026.
Megjithëse Republikanët mbajnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, dhe Demokratët kishin kundërshtuar fillimisht, pritet që projektligji të kalojë pa pengesa të mëdha.
Nëse miratohet, vetëm nënshkrimi i Presidentit do të duhet për t’i dhënë fund shutdoën-it më të gjatë në historinë e SHBA-ve.
Sipas mediave amerikane, tetë senatorë demokratë votuan bashkë me Republikanët, duke bërë të mundur miratimin e kompromisit.
Megjithatë, projektligji nuk përfshin qartësisht vazhdimin e subvencioneve për programin shëndetësor “Obamacare”, çka ka shkaktuar zhgënjim në bazën demokrate.
Ndër pikat kryesore të projektligjit janë:
Rikthimi në punë i punonjësve federalë të pushuar gjatë bllokimit;
Financimi i programit të ndihmës ushqimore SNAP deri në shtator, që ndihmon mbi 42 milionë amerikanë, për të shmangur një tjetër ndërprerje ndihmash në rast të një shutdoëni të ri.
© Panorama.al












