Paraburgim 48 orë për vëllezërit serbë Veselinoviç

Dec 22, 2011 | 11:32

Të arrestuar një ditë më parë në Kralevë nga Policia e Serbisë për akuza kontrabande, Zvonko dhe Zharko Veselinoviç janë edhe në listën e Prokurorisë kosovare si të dyshuar në aktivitete, si armëmbajtje pa leje, kontrabandë me naftë dhe nxitje e incidenteve në Veri, që nga muaji korrik i këtij viti. Kryeprokurori i Prokurorisë së qarkut në Mitrovicë, Shyqyri Syla, tha për mediat kosovare se vëllezërit Veselinoviç po hetohen për të gjitha krimet e kryera në Veri që nga paslufta. Ata ishin identifikuar nga misioni i NATO-s në Kosovë për përfshirjen në aktet e fundit të dhunës kundër ushtarëve ndërkombëtarë të KFOR-it, te barrikadat në Jarinë dhe Jagnenicë. Pas arrestimit të vëllezërve Zvonko dhe Zharko Veselinoviç, policia në Kralevë ka marrë masën e ndalimit prej 48 orësh për ta. Zvonko Veselinoviç është arrestuar për shkak të prodhimit ilegal dhe hedhjes në treg të armëve dhe materialeve shpërthyese. Ndërsa Zharko Veselinoviç është arrestuar për keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

© Panorama.al

Te lidhura