ATHINE- Kësti i gjashtë duhet të administrohet jo më vonë se 15 dhjetori, tha kryeministri i ri grek Lukas Papadhimos, duke theksuar se prioriteti i parë i qeverisë së re është përmbushja e drejtpërdrejtë e kushteve që çojnë në lirimin e këtij kësti.
Qeveria e koalicionit krijon kushtet për rivendosjen e besimit ndërkombëtar në vend, tha kryetari i qeverisë, duke vënë në dukje se pavarësisht përparimit të konsiderueshëm, Greqia është në udhëkryq.
Greqia, shtoi ai, mund t’ia dalë falë solidaritetit të kombeve evropiane dhe organizatave ndërkombëtare, zbatimit të politikave të përshtatshme dhe të reformave, si dhe me angazhimin dhe përpjekjet e popullit grek.
Defiçiti në fund të 2011 pritet të jetë rreth 9% i Prodhimit të Brendshëm Bruto, tha Lukas Papadhimos.
Dalja nga kriza do të arrihet nëpërmjet dy rrugëve, tha ai, “populli duhet të dijë të vërtetën në lidhje me atë se ku jemi dhe ku do të shkojmë, dhe duhet të rivendosim besimin e partnerëve tek ne. Por ne mund të vendosim besimin edhe tek forcat tona”- tha Papadhimos.
“Megjithë përparimin, Greqia është në një udhëkryq, zgjedhjet që do të bëjmë do të jenë vendimtare për mirëqenien e popullit,” tha Lukas Papademos.
© Panorama.al











