Papa Benedikti XVI, këtë të diel mbajti në Romë fjalimin e tij tradicional të Krishtlindjeve, ku uroi në 65 gjuhë të botës, mes të cilave edhe shqip. Në ceremoni morën pjesë dhjetëra-mijëra besimtarë dhe në fund të fjalës së tij, Papa dërgoi mesazhin e përvitshëm Urbi et Orbi. Papa Benedikti XVI kritikoi në fillim të mesazhit të tij “Urbi et Orbi” (për qytetin dhe për botën) dëshirën e njeriut për të zënë vendin e Zotit, për të vendosur se çfarë është e mirë dhe e keqe dhe për të besuar krijuesin e jetës dhe të vdekjes. Ai u bëri thirrje besimtarëve në mbarë botën që gjërat t’i shikojnë më thellë dhe jo vetëm në sipërfaqe, sepse vetëm kështu mund të njohin gëzimin dhe dritën e vërtetë.











