Papa Leoni XIV në Bejrut, thirrje të rinjve libanezë: Mos e braktisni vendin

Nov 30, 2025 | 22:49

Në Bejrut, mijëra libanezë i rezervuan një pritje të ngrohtë Papës Leon XIV, duke dalë në rrugë pavarësisht reshjeve të dendura të shiut. Me muzikë tradicionale, këngë, flamuj dhe madje edhe portrete të ish-liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, qytetarët përshëndetën autokolonën e Pontifikut që po hynte në kryeqytet.

papa leon XIV

Papa Leon XIV mbërriti në Liban për një vizitë 48-orëshe, ku u takua me presidentin Zhozef Aoun dhe mbajti një fjalim para autoriteteve dhe trupit diplomatik në pallatin presidencial. Në fjalën e tij, ai u fokusua tek situata e brendshme e vendit dhe rëndësia e punës së përbashkët për “paqen”, një fjalë që e përsëriti 27 herë, duke shmangur çdo referencë për tensionet rajonale ose bombardimet e fundit izraelite.

Thirrje për të qëndruar në vend dhe për pajtim

Papa u bëri thirrje libanezëve të “qëndrojnë” në vendin e tyre, në një periudhë ku kolapsi ekonomik ka nxitur valë të reja emigrimi masiv. Ai kërkoi “pajtim” për të kapërcyer ndarjet e thella politike dhe komunitare.

“Shpesh është më e lehtë të largohesh ose thjesht më praktike të shkosh diku tjetër. Kërkohet guxim dhe vizion për të qëndruar apo për t’u rikthyer në vendin tënd”, tha ai në fjalimin e tij të parë para autoriteteve libaneze.

Kolapsi ekonomik që nga viti 2019 ka shtyrë shumë të rinj, veçanërisht nga komunitetet e krishtera, të emigrojnë masivisht. Papa vuri në dukje se pasiguria, dhuna dhe varfëria po e detyrojnë rininë dhe familjet të kërkojnë një të ardhme jashtë vendit, pavarësisht dhimbjes së largimit.

Sipas vlerësimeve të qendrës së pavarur kërkimore al-Doualiya, rreth 800 mijë libanezë kanë emigruar midis viteve 2012 dhe 2024. Sot Libani ka rreth 5,8 milionë banorë, prej të cilëve mbi një milion janë refugjatë sirianë.

“Libani duhet të ndjekë rrugën e vështirë të pajtimit”

Në fjalimin e tij të mirëpritur me duartrokitje, Papa amerikan u bëri thirrje autoriteteve dhe shoqërisë libaneze të zgjedhin “rrugën e vështirë të pajtimit” për të mbyllur “plagët personale dhe kolektive”.

“Nëse këto plagë nuk shërohen, nëse nuk punojmë për t’i dhënë drejtim kujtesës dhe për t’i afruar ata që kanë pësuar dëme dhe padrejtësi, atëherë do të jetë e vështirë të ecim drejt paqes”, paralajmëroi ai.

Libani ende vuan pasojat e luftës civile të viteve 1975–1990, për të cilën nuk u ndërmorën kurrë hapa të vërtetë për shërimin e kujtesës apo pajtimin kombëtar. Përplasjet janë thelluar edhe më shumë pas luftës së fundit me Izraelin, ndërsa Hezbollahu që nga tetori 2023 ka mbajtur të hapur frontin kundër Izraelit në mbështetje të Hamasit, duke krijuar tensione me shumë komunitete të tjera, përfshirë ato të krishtera.

© Panorama.al

Te lidhura