Papa Leon XIV mbërrin në Liban vizita tre-ditore në një rajon të trazuar nga konfliktet: Dëshiroj të jem si “i dërguar i paqes”

Nov 30, 2025 | 18:44

Papa Leo XIV zbriti të dielën në kryeqytetin libanez, Bejrut, me mesazhin se dëshiron të jetë një “i dërguar i paqes”, ndërsa nisi vizitën e tij tre-ditore në një vend të goditur rëndë nga tensionet e fundit në Lindjen e Mesme, vetëm disa ditë pas një sulmi izraelit në jug të Bejrutit.

papa leon

Në Pallatin Presidencial në Baabda, nën një mbishkrim që lexonte “Lum ata që sjellin paqe”, Papa Leo u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në vend përballë “eksodit të të rinjve dhe familjeve” që largohen prej “pasigurisë, dhunës, varfërisë dhe kërcënimeve të tjera”.

“Duhet ta kujtojmë se të qëndrosh në atdhe dhe të punosh çdo ditë për të ndërtuar një civilizim dashurie dhe paqeje është diçka me vlerë të jashtëzakonshme,” u shpreh ai në fjalimin drejtuar autoriteteve dhe shoqërisë civile.

Papa nënvizoi se paqja “nuk trembet nga disfata” dhe “nuk ndalet përballë zhgënjimit”. “Kërkon këmbëngulje për ta ndërtuar. Kërkon durim për ta mbrojtur dhe ushqyer jetën,” shtoi ai.

Vizita e tij synon t’i japë mbështetje komunitetit të krishterë në Liban, një nga më të vjetrit në rajon. Gjatë qëndrimit, ai pritet të takohet me liderë politikë dhe të rinj, të marrë pjesë në një tubim ndërfetar dhe të kremtojë meshë në shëtitoren bregdetare të Bejrutit. Kjo është vizita e tij e parë ndërkombëtare që prej zgjedhjes si papë në maj.

Turma të mëdha, me flamuj libanezë dhe vatikanas, mirëpritën pontifin e parë amerikan, ndërsa qindra të tjerë u mblodhën në oborrin e pallatit presidencial, nën qiellin e zymtë me reshje shiu.

Thirrjet për dialog dhe unitet erdhën në një kohë kur tensionet në rajon janë rritur, pas sulmit izraelit që javën e kaluar goditi shefin e shtabit të Hezbollahut, Haytham Ali Tabatabai, duke lënë pesë të vrarë dhe 28 të plagosur, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë.

Para uljes në Bejrut, Papa Leo u tha gazetarëve në avionin papnor se vizita e tij në Liban dhe Turqi synon të “promovojë paqen në të gjithë rajonin”. Ai përsëriti se Selia e Shenjtë mbështet zgjidhjen me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez, duke e cilësuar si “zgjidhjen e vetme të drejtë për të dyja palët”.

Një nga ndalesat e tij do të jetë Manastiri i Mar Marounit në Annaya, ku pritet të lutet te varri i Shën Sharbelit, i njohur për përpjekjet e tij për të afruar njerëz të besimeve të ndryshme.

Libani ka 18 komunitete fetare të njohura zyrtarisht, mes tyre 12 të krishtera, ndërsa myslimanët shiitë përbëjnë sot grupin më të madh fetar. Gjatë vizitës, Papa Leo do të zhvillojë takime të veçanta me udhëheqës të krishterë, myslimanë dhe druzë.

Të martën, në ditën e fundit të vizitës, ai do të lutet në vendin e shpërthimit katastrofik në portin e Bejrutit në vitin 2020, ku humbën jetën mbi 200 persona dhe u plagosën më shumë se 6 mijë. Më pas, ai do të niset për në Romë.

Më herët gjatë javës, duke dënuar përdorimin e fesë për të justifikuar “luftë dhe dhunë”, Papa Leo u bëri thirrje katolikëve të bashkojnë forcat për të ndërtuar paqe “pavarësisht etnisë, kombësisë, fesë apo bindjeve personale”.

Vizita e tij vjen në një periudhë të tensionuar, një vit pas vendosjes së një armëpushimi të brishtë mes Izraelit dhe Hezbollahut, ndërmjetësuar nga SHBA. Vizita e fundit papnore në Liban ishte ajo e Papa Benediktit XVI në vitin 2012.

© Panorama.al

Te lidhura